28 Nentor 2004
SHPALLJA E PAVARESISE SE SHQIPERISE SHQIPTARE Ngritja e flamurit kombetar ne Vlore nga Ismail (Bej) Qemali me 28 Nentor 1912
Ngritja e Flamurit Shqiptar ne Vlore me 28 Nentor 1912
Në këto çaste të vështira për popullin Shqiptar, kur krerët e Lëvizjes Kombëtare bënin çmos për mbrojtjen e vendit nga coptimi, vendimtare ishte nisja e Ismail Qemalit nga Stambolli për në Bukuresht. Prej ku me 25 tetor i përcjellë nga 20 atëdhetarë arriti në Vjenë, ku u takua me diplomatë të jashtëm si kontin Berhtold dhe me ambasadorët e Anglisë dhe të Italisë. Nga Vjena, Ismail Qemali u kthye përsëri në Bukuresht, ku më 5 nëntor u mbajt një mbledhje e rëndësishme në hotelin “Kontinental”. Këtu u muarr vendim i rrëndësishëm politik, për emrimin e një “ Komiteti drejtonjës ”, nga vetë shqiptarët për të udhëhequr vetë me politikën e Shqipërisë. Ismail Qemali pasi mori përkrahjen e plotë të Kolonisë Shqiptare në Bukuresht, me katër shokë u nis përsëri për Vjenë, ku arriti më 6 nëntor 1912. Në këto çaste të vështira të popullit shqiptar, më në fund “ diplomacia shqiptare ”, falë Ismail Qemalit, arriti të përfitonte nga kundërthëniet ekzistuese të Fuqive të Mëdha, që të përfitonte simpati për rregullimin e ardhshëm të Shqipërisë. Ismail Qemali, në takimet e fundit që pati me përfaqësuesit diplomatik evropian, arriti të sigurojë simpatinë e idesë së popullit shqiptar për shpalljen e pavarësisë. Pas kësaj garancie që mori Ismail Qemali, më 9 nëntor ai nga Vjena në Vlorë dërgoi një telegram me këtë përmbajtje: “ E ardhmja e Shqipërisë është siguruar, telegrafoni kudo që të kenë besim të plotë për fatin e atëdheut …"
Por Ismail Qemali për të qenë më i sigurt në premtimet e dhëna para se të nisej për ne Shqipëri përsëri pati një takim me ministrin e Punëve të Jashtme kontin Berhtold, takim qe u mbajt në shtëpinë e kontit Hadik në Budapest. Pas këtij takimi, Ismail Qemali dërgoi një telegram tjetër për organizimin e Kuvendit, që duhej të thirrej në Durrës ose Vlorë duke theksuar se çështja e Shqipërisë është siguruar. Për këtë arsye duhej formuar një komision për shpalljen e pavarësisë, prandaj Ismail Qemali kërkonte me urgjencë mbledhjen e delegatëve të Shqipërisë në Durrës apo Vlorë.
Pas këtij telegrami, Ismail Qemali e lëshoi me të shpejtë Budapestin dhe arriti në Trieste, ku u bashkua me grupin e patriotëve shqiptarë që kishin ardhë për të njejtin mision të shenjtë. Ismail Qemali me këta 14 patriotë shqiptarë më 19 nëntor u nis nga Trieste me anijen “Linx” të Llojdit, për në Durrës, ku arriti më 21 nëntor 1912. Por pas arritjes në Durrës, nuk ekzistonin kushte politike për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, pasi propaganda greko-turke, në bashkëpunim me policinë e kishin përgatitur terrenin për të burgosur Ismail Qemalin. Po ashtu, edhe politika greke kishte përhapur një propagandë të fortë kundër veprimit patriotik të Ismail Qemalit dhe veprimtarëve te tjerë. Politika greke bënte një rezistencë të fortë nëpërmes Dhespotit ortodoks Jakovit. Nga këto arsye nuk u bë shpallja e pavarësisë në Durrës. Në këto rrethana të rrezikshme politike që ekzistonin në vend nga rryma të lloj-llojshme dhe zënkat e feudalëve shqiptarë për primat, pamundsonin veprimin e lirë në ngritjen e flamurit kombëtar. Në këto çaste kritike që ekzistonin në Shqipërnë e Mesme, Ismail Qemali me shokë vendosi që të vazhdojë rrugën për nga Vlora. Më 18 nëntor Mytesarifi i Beratit i përcolli nënprefektit të Vlorës, urdhërin e Valiut të Janinës, për të ndaluar Ismail Qemalin që të mbante Kuvendin në Vlorë.
Në këtë kohë ushtritë ballkanike kishin hyrë thellë në tokën e Shqipërisë. Ata, tashmë, kishin pushtuar Strugën, Elbasanin, Tiranën dhe ishin nisë për në Durrës, kurse Vlora mbahej e rrethuar prej Grekëve.
Ky vendim i shenjt i patriotëve shqiptarë se shkonin në Shqipëri për shpalljen e pavarësisë u njoftua në Trieste, për herë të parë botërisht, pastaj u publikua në gazetën Austriake “ Noie Fraj Prese ”, në intervistën që dha Ismail Qemali më 19 nëntor të vitit 1912 .
Qarkullimi nëpër Shqipëri nuk ishte aspak i lehtë, pasi bandat dhe ushtria e shteteve ballkanike kishin zaptuar pjesën më të madhe të vendit. Greket kishin zbritur në Himarë më 19 nëntor, ndërsa flota e tyre kishte zënë pozicionet para Vlorës. Serbët pasi kishin pushtuar Mirditën dhe Matin, më 18 nëntor arritën në Lezhë. Prej andej një pjesë e ushtrisë Serbe iu drejtua Shkodrës, për ta pushtuar dhe pjesa tjetër e ushtrisë u nis në drejtim të Durrësit. Këtu duhet të përmendim edhe faktin se përveç pengesave nga ana e ushtrive të armikut edhe autoritet turke që ishin mbyllur nëpër qytetet e Shqipërisë, ku silleshin pa ndonjë koncept ushtarak, i pengonin udhëheqësit Shqipëtarë atje ku mundeshin. Ismail Qemali në Durrës hasi edhe në pengesa jo vetëm nga ana e autoriteteve Turke, por edhe nga dhespoti grek i Durrësit, Jakovit, i cili nuk njihte askend, as nuk nderonte tjetër flamur përveç atij të Turqisë, i cili ishte një shovinist Grek i tërbuar. Kjo tregon se në çfarë gjendje të mjerrueshme ndodhej kombi ynë në atë kohë, kur njëfarë Greku i gjallëzuar i komandonte Shqipëtarët ortodokse të Durrësit.
Ismail Qemali i shoqëruar nga delegatet e Durrësit, Shijakut, Tiranës e Krujës u nis për në Kavajë. Prej aty në Fier, ku u takuan me delegatët e Kosovës dhe me 25 nëntor arritën në Vlorë. Ky qytet qysh më parë ishte përcaktuar si qendër ku do të mbahej Kuvendi Gjithkombëtar për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë .
Por, për shkak të përparimit të shpejtë të ushtrive Serbe , Malazeze dhe Greke gjendja në Shqipëri po bëhej gjithnjë e më kritike. Kjo ishte një ndër arsyet kryesore që në mbrëmje të 27 nëntorit delegatët që ndodheshin në Vlorë, vendosën ta shpejtojnë mbajtjen e Kuvendit dhe vendosën të mblidhen të nesërmen, për ta shpallur pavarësinë edhe pse nuk kishin arritur të gjithë delegatët nga disa krahina të Shqipërisë Etnike.
Ismail Qemali Kryetar i Parë i Qeverisë së Përkohëshme - Vlorë
Kuvendi Kombëtar e filloi punën më 28 nëntor të vitit 1912, në ora 3/30', pasdite në sarajin e familjes së Vlorajve, në shtëpinë e atëdhetarit Xhemil beu, në të cilin merrnin pjesë 37 delegatë. Në këtë Kuvend nuk ishin të pranishëm disa delegatë nga Kosova të cilët për shkaqe lufte ende ndodheshin nëpër pozicione, duke i bërë rezistencë ushtrisë Serbe e cila dita ditës po përparonte drejt Durrësit.
Isa Boletini me shokë në Vlorë pas shpalljes së pavarësisë
Ismail Qemali, në referatin e vet foli shkurt për të kaluarën e Shqipërisë, gjendjen dhe rrethanat momentale politike. Ai foli edhe për pjesëmarrjen e Shqipëtarëve në kryengritjet të viteve 1909-1912 duke theksuar se Shqiptarët kishin marrë pjesë në këto kryengritje jo si ushtarë të Turqisë, por si zotët e vendit dhe për të mbrojtur vetveten .
Ismail Qemali pasi e lexoi ekspozen e vet , në fund në mënyrë të shkëlqyer e diplomatike i pyeti delegatët: “ Tani më, s'na ka mbetur tjetër rrugë shpëtimi, veç se ndarja e Shqipërisë nga Turqia ”, dhe propozoi:
Shqipëria të shpallë pavarësinë
Të formohet qeveria e PËRKOHËSHME;
Të emrohet pleqësia (senati).
Pleqësia e propozuar nga vet Ismail Qemali kishte për detyrë koordinimin dhe mbikëqyrjen e punëve në Qeveri dhe emërimin e një komisioni për në Evropë, për të mbrotjur të drejtat e Shqipërisë dhe popullit Shqiptar përpara Fuqive të Mëdha.
Këto propozime u miratuan njëzëri nga Kuvendi Kombëtar:
1. U shpall Qeveria e Përkohëshme, në krye:Ismail Qemali;
2. U zgjodh Pleqësia prej 18 anëtarësh; ku për Kryetar u zgjodh Vehbi Dibra.
Duhet theksuar se edhe në qeveri edhe në pleqësi u zgjodhën njerëz me themel të fortë kombëtar. Ata ishin atdhetarë nga mbarë Shqipëria Etnike, duke përfshirë nga të tre fetë.
Ismail Qemali propozoi që Shqipëria të shpallet “ Shtet m ë vete- e lirë, e pavarur. ” Të gjithë delegatët këtë propozim e aprovuan duke u ngritur në këmbë dhe duke e përcjellur me duar-trokitje frenetike aktin e Shpalljes së Pavarësisë .
Menjëherë pas nënshkrimit të aktit të Shpalljes nga të gjithë delegatët, Ismail Qemali doli në orën 17/30'( pesë e gjysëm) , në ballkonin e selisë, ku zhvilloi punimet Kuvendi për të njoftuar botërisht Shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali e ngriti lartë në Vlorën heroike flamurin e lavdishëm të Skëndërbeut.
Ky ishte po ai flamur kuq e zi, flamur i luftrave heroike , i vuajtjeve dhe gjakut të derdhur, i shumë viktimave të rinisë deri në mosha të ndryshme, të rënë dëshmor për ideale, kombëtare, për një të ardhme më të mirë të shqiptarëve.
Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohëshme, Ismail Qemali, më 29 Nëntor 1912, i njofton për aktin historik gjashtë Fuqitë e Mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë. Po ashtu për këtë vendim Ismail Qemali njofton edhe shtetet ballkanike, Rumaninë, Malin e Zi, Serbinë, Bullgarinë, Greqinë dhe Turqinë, duke kërkuar nga ata që të njihnin aktin e Pavarësisë si ndryshim i vullnetit politik të Kombit Shqiptar.
Në këtë njoftim Kryetari i Parë Shqiptar, ndër te tjerash shkruan: “ Kam nderin t’i njoftoj Shkëlqësitë tuaja se delegatët e të gjithë krahinave Shqiptare, pa dallim feje, të mbledhur dje në Asamblenë Kombëtare në qytetin e Vlorës, shpallën Pavarësinë e Shqipërisë dhe kanë ngritur një Qeveri të Përkohëshme.
Shqiptarët po gëzohen që munden të hynë në familjen e popujve të lirë të Orientit, duke mos pasur për qëllim tjetër veç se të jetojnë në paqë dhe harmoni me të gjithë shtetet fqinje, shpresojmë se ky ndryshim i jetës politike dhe kombëtare i Qeverisë së Përkohëshme të Shqipërisë, ka për t’u njohur prej qeverive tuaja dhe Evropiane.
Kryetari i Qeverisë së Përkohëshme Ismail Qemali - Vlorë
<< Home