e diel, tetor 16

Fan Stilian Noli pergatitur nga Gezim AJGERAJ


Fan Stilian Noli

(1882-1965)

Atdhetar e demokrat, burrë shteti, dijetar, poet, përkthyes dhe historian. Lindi në Qytezë (Ibrik-Tepe), fshat i banuar nga shqiptarë në rrethin e Edrenesë. Shërbeu në punë të ndryshme për të siguruar jetesën, shkroi dramat "Zgjimi" (greqisht e pabotuar) dhe "Izraelitë e filistinë" (botuar më 1907). Mësues shetitës në Egjipt, bashkëpunoi me Athanas Tashkon, J.Vruhon, A.Z.Çajupin, etj., si veprimtar i lëvizjes kombëtare. Botoi artikuj në "Drita" (të Sofjes) dhe përktheu greqisht veprën "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet"të S.Frashërit, shkoi në SHBA (1906), ku luajti rol për bashkimin e shoqërive shqiptare dhe për botimin e gazetës Kombi. Në këtë vit krijoi vargjet e para dhe nisi shqipërimet. Duke synuar për themelimin e kishës ortodokse shqiptare të pavarur që do t'i shkëpuste shqiptarët nga veprimtaria shkombëtarizuese e kishës greke u dorëzua prift (1908). Erdhi në Shqipëri më 1913 dhe më 1920. U bë këtu figurë udhëheqëse në luftën për vendosjen e rendit demokratik. Me fitoren e Revolucionit të Qershorit u vu në krye të qeverisë dhe pas përmbysjes së kësaj, vazhdoi veprimtarinë në krye të KONARE-s. Më 1932 u ngul në SHBA ku edhe vdiq në Florida.
Dashurinë për popullin e atdheun ia ushqyen rrethi familjar e mjedisi shqiptar i Qytezës. Ende i ri Fan Noli u hodh në luftën për çlirimin e atdheut nga zgjedha osmane. Kultura e gjerë që mori i dha atdhetarizmit të tij përmbajtje të përparuar. Luftën për çlirimin kombëtar e konceptonte si luftë me armë e pendë. Ashtu siç e tregonte përvoja historike, Fan Noli kërkonte që bashkatdhetarët të mbështeteshin në «krahët . . . . trimërinë .... e kordhën e tyre ....».
Fan Noli përdori kishën si tribunë për forcimin e shqiptarizmit. Përkrahës i përdorimit të dhunës për t'u çliruar nga zgjedha e huaj, mbështeti veprimet e çetave dhe kryengritjet e mëdha me armë kundër sundimit osman (1910-1912). Pas Shpalljes së Pavarësisë, u vu në shërbim të qeverisë kombëtare të Vlorës. Me vështrim të mprehtë politik e bindje demokratike, ai e kuptoi se ruajtja e pavarësisë e përparimi shoqëror nuk mund të arriheshin, veçse me luftë të vendosur kundër armiqve të brendshëm çifligarë e konservatorë dhe kundër armiqve të jashtëm, të lidhur midis tyre në dëm të lirisë, tërësisë territoriale e zhvillimit demokratik të vendit. Pikëpamjet mbi organizimin e shtetit, politikën e brendshme e të jashtme, i shtjelloi në shkrime e fjalime në vitet 1921-1924. Luftoi që shteti të vinte në jetë parimet e demokracisë së përparuar borgjeze. Në krye të qeverisë Fan Noli i shpalli këto parime demokratike, por ai dhe bashkëpunëtorët e tij nuk treguan vendosmërinë e duhur për t'i zbatuar deri në fund. Idetë noliane u zhvilluan e u poqën dhe arritën kulme të mendimit shqiptar. I mërguar, vazhdoi të ishte për disa vjet tribun i demokracisë shqiptare.
Përvoja e këtyre viteve u mishërua në një varg krijimesh me nivel të lartë artistik, ku rrihen disa nga problemet kryesore të kohës, si problemi i luftës kundër prapambetjes e obskurantizmit, i dhunës revolucionare dhe i reformave, i rolit të masave dhe të individit në zhvillimin historik shoqëror e të tjera.
Fan Noli është një nga figurat më të shquara të kulturës kombëtare. Me veprimtarinë e shumanshme ai dha ndihmesë të çmuar në formimin e kulturës demokratike shqiptare në vitet 20-30. Një pjesë të mirë të forcave të tij Fan Noli ua kushtoi gazetarisë dhe publicistikës, drejtoi me ndërprerje gazetën "Dielli" dhe "Revistën Adriatike", themeloi dhe drejtoi gazetën "Republika". Artikujt dhe shkrimet e tij publicistike, me mendime të thella dhe frymë të mprehtë polemike, luajtën rol të rëndësishëm në luftën kundër zgjedhës osmane.
F.N. është ndër mjeshtrit e poezisë shqiptare, lirikat e tij ngërthejnë përgjithësime të rëndësishme artistike dhe shquhen nga forca vepruese emocionale. Ai shprehu aspiratën e shtresave demokratike për liri e tokë, për drejtësi e përparim, tregoi thelbin antikombëtar dhe obskurantist të regjimit çifligaroborgjez. Lirikat më të mira politike të Fan Nolit ushtojnë nga besimi i patundur i poetit në fitoren e vegjëlisë mbi armiqtë e vendit dhe të përparimit (Anës lumenjve dhe Rent or Marathonomak). Fan Noli u kushtoi vëmendje të posaçme edhe studimeve historike. Në këtë fushë interesat e tij u përqendruan rreth jetës dhe bëmave të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Monografitë Historia e Skënderbeut, botimi i dytë i plotësuar dhe i ripunuar doli më 1947, dhe Historia e Skënderbeut (1949) në gjuhën angleze, shënojnë një etapë më të lartë në studimet për Heroin Kombëtar. Njeri me interesa të gjera krijuese Fan Noli u mor edhe me muzikologji; monografia e tij Bethoveni dhe revolucioni francez (1947) në gjuhën angleze u çmua lart nga specialistë . dhe personalitete të shquara evropiane të kohës. Ai është autor edhe i një vargu kompozimesh muzikore, nga të cilat vlen të përmendet një rapsodi për Skënderbeun etj. Fan Noli la përkthime mjeshtërore të disa veprave të shkrimtarëve të shquar përparimtarë botërorë, si U.Shekspiri, H.Ibseni, M.Servantesi, O.Kajami etj. Vepra e tij poetike publicistike dhe përkthimet dalin nga kuadri thjesht letrar, ato luajtën rol të rëndësishëm për formimin shpirtëror të intelektualëve demokratë të viteve 20 dhe e kanë ruajtur vlerën e tyre.