e hënë, tetor 31

Iliaz Prokshi



Iljaz Prokshi u lind në fshatin Vërbovc.
Studimet i kreu në Fakultetin Filozofik,
Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në
Universitetin e Prishtinës.
Herët filloi të merret me letërsi.
Jeton në Prishtinë.
Deri më tash ka botuar këta libra:
POEZI:
Pikë e bardhë ëndërr, 1983,
Satana në ferr, 1992, Fytyrë në pergamenë, 1995,
Psalm arbëror, 1998,Sonatë e dhembshur, 2003,
TREGIME:
Libri i kujtimeve, 1987,
Daullet e natës, 1990, Vdekja në ëndërr, 1996,
Magjia e mjegullës, 1997. Vajza e trëndafilave, 2002.
Pallati i Helenës, 2003,
ROMANI:
Fundi i zemërimit, 1997,
Dashuri në labirint, 2001





Iljaz Prokshi


Poezi nga libri:SATANA NË FERR

RILEXIMI

Kur ikën lakuriqët e natës së heshtur
Kam parë shkronja trungut duke hipur,
Palla s'më hëngri për gjarprin e mbytur
Ja, tek rrëzoi diq dhe flet tani shqip.

Dhe sapo u ndezën fjalë që nuk thuhen
Mes universit tim gjeta eshtra dhe gurë,
Po sall dhimje t'ishin prapë do më duhen
Sepse mbi këtë lumë, bëmë dhe një urë.

Mbi epokat e zeza engjëlli seç më zgjoi,
As lamtumirë kujt s'i kam thënë, o Nënë;
Dhe ç'u ngrit kjo erë, s'di dot a kaloi
Vendenisi a hyri qetë apo jo në Ulpianë.

Kështu mbeti çdo vetëtimë duke e ditur
Se rileximi po fillonte fletë me fletë,
Dhe kurrë s'do të humbë asgjë e ndritur,
ç ' trazojnë krrokatjet, Uni do të rrijë i qetë.

Dhe kur lakuriqët e natës ikën nëpër to
Prapë shkronjat lart trungut kanë hipur,
S'më hëngri palla a vdiq gjarpri apo jo
Ja, tek shpërtheu diç dhe flet tani shqip.


GJARPRI DHE ËNDRRA

ULTIMA VERBA

Kushedi ç'do të bëhet pas nesh,
Ku ikën fjala,
ç'duan tani ëndrrat?

Po trilli i zi ç'i thyen mëkatarët.
Shekujt në udhëtim prush ndezin,
Dikush sikur rri prore në derë të Ferrit
Dhe bën sehir në heshtje,
Satana tek i gjuan engjëjt.

Kafka dhe rrënja ime përshpërisin
Ultima verba *
Sikur duan të heqin llahtarin,
Këtë sa herë e kërkuan martirët.

Koha sërish ikën vetëtimthi,
Dhe vazhdon të qenmen e vet gjer në fund;
ç' dhimbje njëjtë me imagjinatën
Mbi Arbëri klith gjaku, dashuria:
U bëftë drita.

Dy mijë vjet ka që rri vetëm,
Hëna perëndoi në mëngjesin e shkuar,
errësira ish vërtet e hidhur

ç' më shikon pa iluzione
Histori ilire e amshuar...

*Fjala e fundit

MENDIME

Ka çaste kur kujtoj lisat, shtëpitë
Më shumë se çfarëdo tjetër në jetë,
Ka çaste kur matem me detin, lartësitë
Dhe marr të ta shkruaj dramën e vërtetë.

Dhe në qoftë se mendon se kjo dhimbje
Kalon shpejt, mes zërash diç vjen prapë
Tashti s'ka hënë, ç'bren kaq shumë ky krimb
Ullinjtë e detit piqen, gjethet era ua hap.

Ja, sërish marr një copë Dheu të Verdhë
Dhe eci midis Sheshit të Ulpianës së lashtë,
Shkel trotuare, imagjinoj retë, lot derdh
E pastaj më rrëmbejnë fusha e lumenj të gjatë.

Dhe ikën Djalli i zi, nata prapë s'qetësohet
Sa një fyell nga larg ndihet, unë mendoj:
A ka shpëtim vargu im përse tani shqetësohet,
A më ndien kush apo mbase kot po ëndërroj?

Në vete, Toka ime, kam ende shumë fuqi,
Nëpër rërë të irnosur të iki me kalë,
Të të mos shqetësoj më nënën, as Ty,
Por t'ia sjell Doruntinën, në fjalë t'i dal.

ELEGJI ËNDRREç' është futur në dhomë, a humbi,
S'di sa do të rri, a zgjohet sërish?
Nëse Ti nuk je, ç'ëndërron tjetër njeri
Askush të mos ndiejë,
As të vijë kurrë prapë tek Ti.
Loti ç'të akuzon:a je ti Helena e Trojës,
Te lufton me mua e s'më flet dot
Humb nga unë e sërish më pikëllon.

Nda Lumit të Harrimit qyteza ruan fjalët
Pikërisht aty çdo gjë sikur mposhtet,
Ti as njeh veten, as shpëton nga gënjeshtrat.
çasti tjetër vjen pas ëndrrës dhe ikën
Pas çdo gënjimi makabër që dot nuk heshtet.

KUSH THA SE VDIQ SATANA

365 ditë përbuze Dheut tënd,
Dhe dashurinë e përmasave pa tufan
Arrite në fund si të mos kishe qenë kurrë.

Dhe zure të lëpish fjalët tua si në Sodomë,
Mos doje të ngriheshe sërish majë olimpi
Përrallën ta godasësh fshehtas
Loti t'i shqyente plagët në mërzi.

A pak ishe e lumtur me gjarpërinjë?
Tani mallkon Gruan e Zezë në stepë,
I druan shkëlqimit në gur, nuk rrëfen Dhiatën,
Mbase mallkon varrin tënd, Satanë.

E në hyrje të kësaj dhome të përmortshme
Me zemër nise të urresh zot e profet,
Ti kot mbase beson,
Mbase ende pështyn në engjëj e demonë.

Po ç't'u desh fjala e zhdukjes në qytet,
A të vërbojë vallë vdekja?
S'ndien vallë se si të therin, nuk dëgjon.
Trupi t'u bë mish i gjallë,
Kufomë e zezë t'u bë, Satanë.
Ndanë pirgut këqyr ca çuditshëm,
Mbase mallkon ende vitet, shekujt.
Kush s'ndjeu vajin tënd labirinteve të Ferrit.

VETËM KËNGË

Ka mbetur këtu nga koha ilire
Dhe hyn në çdo shtëpi, tek ecën gjithnjë.
Pastaj pse të këndohet ndryshe
Se në vend të këtyre erërave të tërbuara
Fryn prapë diç e re,
e sigurt për nënat, fëmijët.
Sepse ata e duan Arbërinë përjetësisht,
Hyjnë dhe në botën e tyre reale.

Dhe në të ka vend për të gjithë.
Zëri i qëndron fatit, ëndrrës dhe gjarprit;
Mjafton të ndjesh se ke gjak për truallin.

Vetëm zëri mund të hyjë tek njëri-tjetri,
Zë që sikur lind pas mijëra vjetësh,
oshëtin mbi këtë oazë lulëkuqesh
Gjithmonë për diell të ri,
Dhe Dardaninë e përshkon pathyeshëm.

(Prishtinë, 1986-1990)