Komandanti legjendar Adem Jashari
Shkruan: Iljaz PROKSHI
Nuk e mban mend kush në histori, që të flijohet gati një familje e tërë për lirinë e vendit. Dhe ja, ORA, urdhri për Liri a Vdekje tek erdhi në familjen Jashari të Prekazit. E tashmë të gjithë e dinë se festa e Flamurit është 28 Nëntori. Mirëpo, kjo datë shënohet edhe si ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari, i lindur më 28 nëntor 1955. Në atë gëzim, të porsalindurin e mbuluan me flamurin e Skënderbeut.Luftëtari i ardhshëm i lirisë u rrit dhe u edukua me frymën e atdhedashurisë nga babai Shaban Jashari, dhe duke dëgjuar për ngjarjet me përmasa kombëtare, si dhe këngë për heronj të mëdhenj. Ai nuk e duronte dot robërinë. E dinte kur duhej të fliste dhe të heshte. Një veti e luftëtarëve të mëdhenj të Kosovës dhe gjithandej trojeve etnike shqiptare. Amanetin e tyre për çlirimin e vendit do ta përjetësojë në luftën çlirimtare, me një emër tashmë emblemë: UÇK. Atëherë, duke ndjerë se Kosova kishte shumë nevojë për t’u çliruar nga pushtuesi i tmerrshëm, Adem Jashari tuboi rreth vetes ndër djemtë më trima, të cilët kapën armët për të luftuar gjer në fitore. Luftëtari i lirisë, ishte shfaqur edhe në vitet ’80-ta kur patën plasur demonstratat, ndërsa të ’90-tatë po hynte në aureolën e lavdisë për të shënuar një epokë të re në historinë e Kosovës. Ishte një strateg dhe komandant i zoti, ndërsa sikur ta kishin të tjerët do t’ia kishin lakminë dhe do ta kishin ngritur gjer në qiell. Të rrosh apo të mos rrosh, këtë dilemë hamletiane, Adem Jashari s’e kishte dot në mendje. Ishte mëngjes i hershëm, me ankthe, i 30 dhjetorit 1991, kur armiku me një makineri të tërë policore kishte rrethuar lagjen e Jasharëve dhe kërkonte dorëzimin e komandantit. Por, ai me tërë familjen, me të afërmit dhe me shokë të luftës, armikut iu përgjigjen me breshëri armësh. Ishte kjo pushka e parë që krisi në Drenicë. Komandanti legjendar tani ishte kudo me UÇK-në, të dalë në skenë, që më 28 Nëntor 1997, në Llaushë, një ushtri që u bë shpresë për popullin dhe tmerr për armikun. S’mund të ishte ndryshe, sepse Adem Jashari kishte prejardhje nga një botë e lavdishme, që madhërishëm po hynte dhe në legjendë. Ai si Tezeu ia futi armikut frikën në shpirt, duke e sulmuar grykave, udhëkryqeve, stacioneve famëkeqe policore dhe kudo. Mirëpo, pushtuesi i tmerrshëm prapë në mëngjesin e 5 marsit 1998, ndërmori edhe një sulm me forca të mëdha policore
dhe ushtarake. Adem Jashari me familjen e vet, me Jasharët e tjerë, me ata që ndodheshin në ato momente rreth tij, sulmuan nga çdo anë; a
s jepeshin dot; dhe lufta zgjati tri ditë e tri net. Luftëtari i lirisë ndriti me ditë, duke dalë si nga baladat. Pas asaj lufte të tmerrshme, armiku dogji shtëpi, shkatërroi kullën e trimit dhe lagjen e Jasharëve, vrau madje dhe fëmijë, por kurrë vendosmërinë për të vazhduar luftën. Në çastet më të ndjeshme, ai luftoi duke kënduar gjer në rënie; dhe nuk ishte vetëm. Jo, vdekja e tij nuk është vdekje. Ushtria Çlirimtare e Kosovës humbi prijësin e saj të madh, por fitoi komandantin legjendar, përgjithmonë i pavdekshëm, përgjithmonë në kujtesën e paharrueshme të popullit shqiptar. Tani çdo gjë është përjetësi... Legj. Statuja e Adem Jasharit në Skenderaj
<< Home