e premte, shkurt 24

Edhe pas afro 210 vjetësh!





Rexhep Meidani


Në shtator 2005, qeveria demokratike dhe koalicioni i saj bëri betimin e saj kushtetues. Një mirëseardhje normale, por dhe shprese. Askush nuk dyshoi në fillim se, duke u betuar në respekt të Kushtetutës dhe legjislacionit shqiptar në fuqi, kjo qeveri, me “formula” nga më të ndryshmet, të nxjerra nga arkivat e dikurshme, para “shkrirje-dështimit” apo dhe ato të mëparshmet të kohës së monizmit, do të sulmonte, diku hapur e në mënyrë të drejtpërdrejtë, diku me “marifete” e rrugë të tërthorta, vetë parimet themelore të një Kushtetute demokratike, përfshirë edhe mekanizmat e saj të ndarjes, baraspeshës dhe kontrollit të pushtetit politik. Por nuk mund të mohohet se këtë radhë argumenti i antikorrupsionit është tashmë shumë më i drejtë dhe i nevojshëm, më i arsyeshëm dhe i “përzgjedhur”, shumë më “bashkëkohor” në krahasim me “objektivin” e dikurshmin të “luftës kundër komunizmit me mendësi komuniste”...Këto gjëra të synuara për t’u realizuar me “vrullëzim” politik, normalisht nuk ngjasin ose nuk lejohen të ngjasin, dhe as nuk mund të ngjasin në vendet që konsiderohen të stabilizuara dhe realisht demokratike. Mbi të gjitha, në këto vende janë të panjohura sulmet mediatike e politike-publike ndaj institucioneve të tilla kushtetuese si institucioni i presidentit, i zyrës së prokurorit të Përgjithshëm, KLD-ja, KLSH-ja, etj., siç po ngjet në Shqipëri në këto muaj të parë të rotacionit normal të pushtetit legjislativ e ekzekutiv. Për më tepër, po tentohet të tkurret, me anë të “VKM”-ve, autonomia vendore dhe funksionimi i pavarur i KRT-ve lokale. Krahas dobësi-arbitrariteteve e kufizimeve të parametrave të lirisë njerëzore (me moratoriume apo urdhëresa ministrore), këtij sulmi nuk po i shpëtojnë as disa parime autonomie e pavarësie të ndërtimit të strukturave të tjera të shtetit e shoqërisë, madje deri dhe vetë këto struktura. Këtu mund të përmenden: prirja e shprehur për abrogimin e autonomisë zgjedhore universitare, nxitja e materializuar për reduktimin e funksionimit apo shkrirjen e instituteve të akademisë me universitetin (pa u konsultuar gjerësisht e me transparencë me të dy bashkësitë përkatëse), projekt-urdhri dhe drafti përkatës për shkurtimin e afateve ligjore të KKRT-së dhe të vetë drejtimit të RTSH-së (që më shumë se për reformim, “potencon” dhe mundësinë e rritjes së komandës apo të “uzurpimit politik” të medias), “marifetet” për ndërhyrje te Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë, te Federata e Futbollit, Shërbimi Civil, etj. Për më tepër, nga të “pavarurit e varur” ka filluar të zhvillohet dhe teoria demagogjike e moslejimit të “(mikro)shtetit brenda shtetit”. Sikur ka pretenduar ndokush për gjë të tillë apo sikur na ekziston ndonjë rrezik i këtij lloji! Apo se mos autonomia vendore dhe pavarësia institucionale do të thotë “krijim shteti brenda shtetit”! Këto janë thjesht spekulime që në thelb synojnë të jetësojnë “me servilizëm” goditjen e parimeve bazë të shtetit demokratik, duke harruar që kjo gjë është provuar më parë dhe shteti u shkrifërua!...Por le të kthehemi te problemi. Në ndonjë rast edhe mund të jetë krejtësisht e sinqertë goditja apo ndërhyrja me motivimin e shkurtimit të shpenzimeve administrative apo të luftës kundër korrupsionit. Por fakte të tjera, me shtimin e strukturave vendore apo ngritjen e bordeve dhe të mekanizmave shtesë, flasin dhe për të kundërtën. Po ashtu, siç flet për të kundërtën dhe një luftë frontale ndaj vetë autonomisë e pavarësisë së institucioneve ekzistuese shtetërore apo private, të konsideruara jo “pronë besnike” e politikës aktuale qeverisëse, ndaj vendimmarrjeve të tyre jo në përputhje me dëshirat, “oreksin” dhe vullnetin e shprehur të kësaj maxhorance. Ndërkohë që pikërisht e kundërta, ndryshimi e reformimi me vullnetin e të gjitha palëve dhe aktorëve kryesorë është shprehja më e koncentruar e një zhvillimi demokratik e të qëndrueshëm! ... Shtator 1796.Ndoshta për rastësi, po në shtator, por 209 vjet më parë, në vitin 1796, Xhorxh Uashingtoni (George Washington) në fjalën e tij programatike të lamtumirës, porosit pikërisht për të kundërtën, për të mbrojtur me domosdo shëndetshmërinë e lirisë dhe të demokracisë amerikane. Aty, midis të tjerash, ai është shprehur me forcë kundër tiranisë së uzurpimit të pushtetit politik. Ky merak i madh i tij duket se ka po atë vlerë për shqiptarët sot, si për amerikanët afro 210 vjet më parë! Sepse po aty ai shfaq po atë preokupim, që kohët e fundit ka filluar të vibrojë, diku me mjaft shqetësim e objeksion, diku në hamulli e konfuzion, diku me “fërkim duarsh”, edhe në mjedisin shqiptar: “Eshtë e rëndësishme, po ashtu, që shprehia e të menduarit në një vend të lirë të mund të inspirojë maturi, përkujdes e dorëzani për ata që u besohet të punojnë në administratën e tij, t’i kufizojë ata brenda sferës përkatëse kushtetuese, duke mos lejuar që një sektor të ushtrojë fuqinë e tij duke shkelur apo cenuar një tjetër. Ky shpirt cenimi, nëpërkëmbjeje apo shkeljeje synon të përqendrojë fuqitë e të gjithë sektorëve duke i konsoliduar në një të vetëm, dhe kështu të krijojë njëfarë forme qeverisjeje që është një despotizëm real...Nevoja e kontrolleve të ndërsjella në ushtrimin e pushtetit politik, duke e copëtuar dhe shpërndarë atë në “depozitë-mbajtës” të ndryshëm, dhe duke e bërë secilin prej tyre një gardian të drejtimit e mirëqenies publike kundër çdo uzurpimi apo invazioni nga të tjerë, është provuar më së miri nga përvoja të vjetra dhe moderne... Nëse, sipas opinionit të popullit, shpërndarja apo modifikimi i pushteteve kushtetuese në një aspekt të veçantë, konsiderohet i gabuar, le të korrigjohet ai me anë të një amendamenti, po vetëm në rrugën që përcakton vetë Kushtetuta. Por, në asnjë mënyrë, të bëhet ky ndryshim me anë të uzurpimit, sepse, edhe sikur ky ndryshim, në një çast, mund të duket si një instrument pozitiv, ai më tej kthehet në një armë të zakonshme, me anë të së cilës shkatërrohet vetë një qeverisje e lirë.”...Ç’nënkuptonte Uashingtoni me këto fjalë? Që një Kushtetutë demokratike detyrimisht instalon ndarjen e fuqisë apo të pushtetit politik. Që është vitale të ruhet me fanatizëm kjo ndarje e fuqisë për të mos lejuar ndërtimin e tiranisë, d.m.th. dhe uzurpimin e pushtetit nga një degë e qeverisjes. Sepse, në fund të fundit, një uzurpim i tillë, pavarësisht “premtimeve” e “garancive” deklarative, të çon gradualisht në tirani dhe despotizëm. Sepse një lëshim i sotëm ndaj lirisë kthehet nesër në një normë të zakonshme të pushtetit politik kundër saj...Shkurt 2006. Ky është dhe mësimi i madh i njërit prej baballarëve të shquar, themeltarë të Amerikës së lirë dhe demokratike. Ende sot, pas 210 vjetëve, ai mbetet një “koncentrat” i qartë orientimi e kritike për përpjekjet e djeshme dhe të sotme uzurpuese të pushtetit politik në një “dorë të vetme”, edhe për kushtet shqiptare. Ai mbetet dhe një udhërrëfyes bazë për një reagim të fuqishëm në mbrojtje të lirisë, për t’iu kundërvënë çdo lloj “invazioni” politik, përfshirë dhe atë me natyrë të kriminalizuar ekonomike. Dhe jo thjesht e vetëm për opozitën e sotme, por, në radhë të parë, për të gjitha strukturat e segmentet e shoqërisë shqiptare, për qytetarët e saj. Ndërsa, nga ana tjetër, “teknologjia” e bashkëveprimit, mirëkuptimit dhe kompromisit nevojitet të bëhet pjesë inerente e jetës tonë politike. Madje, konsensusi për çështje thelbësore, me rëndësi jetike për demokracinë dhe shtetin e së drejtës, për lirinë e të drejtat e njeriut dhe progresin ekonomik, duhet të jetë më se normal në debatin pozitë-opozitë dhe zgjidhjet përkatëse. Në këtë shumëplanësh, ia vlen të lexohet e kuptohet dhe fjala e mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë nga Presidenti i Komisionit Evropian, J. M. Barroso, me rastin e firmosjes paraprake të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe përgatitjen e saj për t’u ratifikuar në 25 Parlamentet e vendeve anëtare të BE-së, ngjarje kjo me kontribut të veçantë në rrugën evropiane të Shqipërisë. Sidomos një vlerë të madhe, krahas kërkesës së qartë, për një luftë më të vendosur e institucionale kundër krimit e korrupsionit, kanë (pavarësisht formulimit të tyre me një gjuhë të “rrumbullakosur” apo diplomatike) dhe mesazhet e tij të mëposhtme: “...Shqipëria lipset të liberalizojë ekonominë për ta hapur për konkurrencën dhe për më shumë investime. Elementët jetikë të arritjes së ecurisë ekonomike do të jenë përmirësimi i kushteve për investime, duke fuqizuar të drejtat për pronën, duke përmirësuar drejtimin e sektorit publik dhe duke përfunduar procesin e privatizimit. Si një vend që e vlerëson lirinë, Shqipëria duhet të mundësojë që individët dhe organet e shtetit t’u nënshtrohen vërejtjeve dhe kritikave të ligjshme. Kjo do të thotë që legjislacioni i Shqipërisë për mjetet e komunikimit të përmbushë standardet e BE-së dhe që të sundojë liria e plotë e fjalës.Për t’u dhënë zgjidhje me efektivitet këtyre sfidave, Shqipëria do të duhet të ketë vullnetin politik, disiplinën dhe instrumentet e duhura për ta bërë këtë gjë. Kjo do të thotë ndjekje e planeve dhe e strategjive brenda fushëveprimit të ligjit. Por do të thotë edhe mbajtje e një administrate publike, e cila ka performancë të mirë, mbështetur në profesionalizmin, ndershmërinë dhe shërbimin për komunitetin.Axhenda e BE-së për integrimin e vë theksin te bashkimi, jo te ndarja, dhe për ta vënë në jetë duhet konsensusi ndërpartiak. Një klimë bashkëpunimi konstruktiv midis forcave politike është shtysë për reformën dhe fuqizimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike. Marrëdhëniet midis forcave politike, institucioneve, pushtetit qendror dhe vendor duhet t’i frymëzojë bashkëpunimi dhe respekti i ndërsjellë, brenda kufijve të përcaktuara nga Kushtetuta...”