Parlamenti Europian votoi dje rreth mesditës në një seancë plenare, me shumicë dërrmuese votash, rezolutën për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe 25 vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Rezoluta u hartua në bazë të raportit të eurodeputetit Tomas Ilves, zv.kryetari i Komisionit të Jashtëm të KE-së, i cili i bën jehonë ecjes më tej të reformave kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, respektimit të ligjit, të të Drejtave të Njeriut, minoriteteve, medias, pika këto që u vunë në fokus të seancës së djeshme plenare. Gjatë fjalës së saj në seancën e mbajtur në Strasburg, eurodeputetja Doris Pack, e mbështetur edhe nga dy eurodeputetë të tjerë, tha se është i nevojshëm lehtësimi i regjimit të vizave me Shqipërinë, çështje kjo që gjeti mbështetje të plotë nga të pranishmit. Përsa i përket situatës politike në vendin tonë, zonja Pack vlerësoi marrëveshjen e arritur para pak ditëve mes dy forcave më të mëdha politike, por shtoi se është mirë që klasa politike shqiptare të gjejë konsensusin pa pasur nevojën e ndërhyrjes së ndërkombëtarëve. Ndërsa Olli Rehn, Komisioneri për Zgjerim i BE-së, përgëzoi parlamentarët që mbështetën lehtësimin e regjimit të vizave për shqiptarët dhe në veçanti, iniciativën për t'i dhënë zgjidhje konkrete dhe sa më të shpejtë kësaj çështjeje. Ai tha se shumë shpejt do të hapen negociatat zyrtare me qeverinë shqiptare për lehtësimin e regjimit të vizave. Duke iu referuar procesit zgjedhor në Shqipëri, Rehn tha se po vihet re një maturi e klasës politike përsa i përket këtij procesi të rëndësishëm, por shtoi se gjithçka varet nga suksesi i implementimit të MSA-së dhe standardeve europiane. Të gjitha grupet që folën në seancën e djeshme, përfshirë edhe të Majtën e Bashkuar Europiane, ishin në favor të nënshkrimit të MSA me Shqipërisë dhe BE-së. Në raport theksohet se qeveria shqiptare duhet të modernizojë ligjet fiskale, duke i përshtatur me legjislacionin e vendeve të BE-së. Në mënyrë të veçantë duhet të shikohet me përparësi përmirësimi i legjislacionit për doganat, që të rritet efikasiteti i administratës në luftën kundër korrupsionit. Në seancën e djeshme plenare të PE, Shqipëria përfaqësohej nga ambasadori ynë në Bruksel, Artur Kuko.
Xhumelina Dervishi
Berisha: Ratifikimi i MSA shton detyrimet për zbatimin e saj"Ky votim që çel siparin e ratifikimeve të MSA-së nga parlamentet e vendeve anëtare, shton detyrimin ndaj institucioneve shqiptare, forcave politike dhe gjithë shoqërisë shqiptare për të zbatuar me vendosmëri të gjitha pikat e kësaj kontrate të shqiptarëve me Evropën". Ky ka qenë deklarimi përshëndetës i kryeministrit Sali Berisha, pas votimit të djeshëm të Parlamentit Evropian për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Kryeministri e cilësoi këtë votim "si një ngjarje historike për përpjekjet e mëdha të shqiptarëve për të realizuar ëndrrën e tyre të integrimit, si projektin më të mirë për shekullin XXI - projektin e Shqipërisë evropiane"
Trashani: Ratifikimi i MSA, ogur i mirë për Shqipërinë drejt BE-së"Ratifikimi i MSA-së mes Shqipërisë dhe BE-së është një shtysë për institucionet në rrugën e implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe një ogur i mirë për vendin në rrugën drejt BE-së". Ky ka qenë vlerësimi i ministres së Integrimit, Arenca Trashani, e cila ka reaguar pasi Parlamenti Europian votoi rreth mesditës, në një seancë plenare, me shumicë dërrmuese votash, rezolutën për ratifikimin e MSA-së mes Shqipërisë dhe 25 vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
PE vlerëson progresin e arriturDeputetët e Parlamentit Europian dhanë pëlqimin e tyre për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Parlamenti Europian gjithashtu miratoi Rezolutën me përfundimet e MSA-së mes Shqipërisë dhe BE-së.
Deputetët europianë mirëpritën MSA-në, e cila nënkupton perspektivë më të afërt dhe marrëdhënie kontraktuale me ndikim më të gjerë mes BE-së dhe Shqipërisë, një instrument për arritjen e stabilitetit politik, ekonomik dhe institucional në vend, dhe në të gjithë rajonin dhe për promovimin e transformimit të Shqipërisë në një demokraci pluraliste, duke respektuar shtetin ligjor, me një ekonomi tregu funksionale. Parlamenti Europian beson se, progresi i arritur në përmbushjen e standardeve të përfshira në marrëveshje duhet të monitorohet me mjete konkrete, të matshme nga Këshilli i MSA-së dhe komitetet e përbashkëta parlamentare përkatëse. Parlamenti Europian i kërkon BE-së dhe Shqipërisë të përdorin marrëveshjen si një mundësi përfitimi reciprok. Deputetët europianë këshillojnë Shqipërinë të shfrytëzojë mundësinë për të gjetur vendin e saj në tregun europian dhe të zhvillojë konkurencën në sektorët e përcaktuar. Gjithashtu, nëpërmjet Rezolutës së miratuar, anëtarët e Parlamentit Europian i rekomandojnë Shqipërisë që të fokusohet më tepër në zhvillimin e potencialit të saj ekonomik, jo vetëm nëpërmjet zgjerimit të infrastruktutrës së saj, por edhe në zhvillimin e turizmit. Parlamenti i bën thirrje Komisionit Europian të përcaktojë fonde të mjaftueshme për zhvillimin e infrastrukturës së vendit, në veçanti për zhvillimin e transportit. Parlamenti Europian shprehet se përpjekje më të mëdha duhen bërë, në veçanti për përdorimin e gjuhës së minoriteteve, gjatë marrëdhënieve të qytetarëve me autoritetet dhe vendosja e emrave tradicionalë lokalë, duke përmirësuar aksesin në media të anëtarëve të grupeve minoritare dhe zgjerimi i arsimimit në gjuhët e minoriteteve.
Kryetarja e Kuvendit përshëndet ratifikimin nga ana e Parlamentit Europian të MSA me ShqipërinëTopalli: Ëndrra jonë europiane, tani më e prekshme
"Si kryetare e Kuvendit, falenderoj edhe një herë Parlamentin Europian për mbështetjen dhe gjej rastin të ftoj të gjitha partitë politike për maturi, vullnet politik, angazhim e përkushtim në sfidat e reja që na presin në këtë qëllim ambicioz. Sfida fillon tani. Ky nuk është momenti për t'i pakësuar përpjekjet. Kjo do të thotë më shumë përgjegjësi nga klasa politike shqiptare për synimin madhor, anëtarësimin në BE". Ky ka qenë falenderimi për Parlamentin Europian për këtë dhuratë të çmuar që i bëri Shqipërisë, por njëkohësisht edhe një thirrje për ndërgjegjen e politikës shqiptare për të vepruar siç nevojitet në vazhdim. Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, tha se nënshkrimi i MSA-së në 12 Qershor të këtij viti dhe miratimi i saj sot, në Parlamentin Europian, janë pasojë e progresit të Shqipërisë, pasojë e arritjeve të konsiderueshme, pasojë e përpjekjeve dhe seriozitetit në reforma. "Ratifikimi i sotëm nga Parlamenti Europian, i hap rrugën ratifikimit të MSA-së nga 25 vendet e tjera të BE-së. Kjo ditë është padyshim fryt i një pune intensive e angazhimi maksimal për zhvillimin pozitiv të vendit". Ky ka qenë një vlerësim i kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, e cila në një konferencë për shtyp ka përshëndetur ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit nga Parlamenti Europian. "Miratimi zyrtarisht me shumicë votash i MSA-së, është një tregues domethënës në mbështetjen që vendet e Bashkimit Europian i japin vendit tonë. Është tashmë e qartë se rezultatet e dukshme janë perceptuar pozitivisht jo vetëm nga qytetarët shqiptarë, por edhe nga faktorët ndërkombëtarë", theksoi Topalli. Sipas kryetare së Kuvendit të Shqipërisë, Topalli, "Axhenda e BE-së për integrimin realizohet përmes një klime bashkëpunimi konstruktiv midis forcave politike, si një shtysë për reformat dhe fuqizimin e mëtejshëm të demokracisë. Kjo, jo për ta kthyer anëtarësimin në qëllim në vetvete, por për të realizuar reformat, të cilat do të ndryshojnë pozitivisht të gjitha aspektet e jetës politike, ekonomike dhe shoqërore të vendit, përfshi këtu edhe lëvizjen e lirë", tha Topalli. Kryetarja e Parlamentit, Topalli, nuk ka kursyer falenderimet e saj për Parlamentin Europian dhe urimet për të gjithë shqiptarët për këtë ditë të rëndësishme. "Kam kënaqësinë e veçantë të jem këtu përpara jush, në këtë ditë të shënuar, për të përshëndetur ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE, me shumicë votash nga Parlamenti Europian. Gjej rastin të uroj të gjithë shqiptarët, në këtë ditë të bekuar, ditë që na e bën akoma më të prekshme ëndrrën tonë të përbashkët europiane. Ky është një hap i rëndësishëm përpara në rrugën drejt Europës", tha Topalli. Më tej ajo ka vijuar duke thënë: "Një falenderim dhe mirënjohje të veçantë për përfaqësuesit e lartë të Parlamentit Europian, eurodeputetët, të cilët me votën e tyre, ndezën më fort shpresën e një vendi europian për t'iu bashkuar familjes së madhe ku meriton të jetë". Topalli deklaroi më pas se, "Raporti i zëvendëspresidentit të Komitetit për Politikën e Jashtme, Ilves, por edhe diskutimet e europarlamentares Doris Pack, Komisionerit për Zgjerimin, Oli Rehn, përfaqësueses së Finlandës, që ka aktualisht presidencën e radhës së BE-së, flasin për një zhvillim pozitiv dhe në drejtimin e duhur të qeverisë shqiptare, dhe njëherazi na bëjnë më reflektiv e më të përgjegjshëm se anëtarësimi i Shqipërisë në BE varet nga maturia, përpjekjet dhe angazhimi ynë në plotësimin e standardeve dhe në bërjen e reformave". Kryeparlamentarja theksoi se, "Kuvendi ka tashmë një axhendë të ngjeshur për përafrimin e legjislacionit me atë të Bashkimit Europian, por edhe për thellimin e bashkëpunimit me parlamentet e vendeve anëtare. Kuvendi i Shqipërisë u ka dhënë dhe do të vazhdojë t'u japë një dimension tjetër shkëmbimeve parlamentare, duke pasur parasysh faktin se reformat, në kuadrin e integrimit europian, janë udhërrëfyese të punës sonë të përbashkët".
Xhumelina Dervishi
Raporteri për Shqipërinë në PE, Tomas Ilves, flet rreth raportit për ShqipërinëIlves: Raporti për Shqipërinë, pozitiv
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin e Europës, Tomas Ilves, ka hapur diskutimet për ratifikimin e MSA-së. Shqipëria nënshkroi marrëveshjen me BE në qershor të këtij viti, por ajo tani u aprovua nga të gjitha shtetet anëtare në Parlamentin Europian. Ilves ka bërë një panoramë në Parlamentin Europian se ku e gjen ky debat Shqipërinë. "Do të shohim se çfarë do të thonë deputetët, por raporti im është pak a shumë i njëjtë me atë që u aprovua në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë në fillim të verës", ka deklaruar Ilves në një intervistë për BBC. Si raporter për Shqipërinë, Ilves ka ndjekur zhvillimin e Shqipërisë. Ecuria e këtij zhvillimi sipas Ilves, është: "Raporti im shoqëron një marrëveshje shumë të rëndësishme, atë të Stabilizim-Asociimit, që është hapi i parë drejt anëtarësimit të mundshëm dhe kjo marrëveshje sqaron midis të tjerave edhe marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në, duke i hapur Shqipërisë shumë mundësira". Në lidhje me këtë, ai i hedh një vështrim gjithë gjendjes ku është Shqipëria. "Ka fusha ku ka shqetësime që kanë të bëjnë me korrupsionin, por nga ana tjetër, thelbi i raportit është pozitiv", theksoi Ilves. Parë me syrin e pritshmërive të mundshme, paraprakisht është hedhur edhe teza se shtetet e ndryshme anëtare të BE-së mund të votojnë kundër në të ardhmen, pasi Parlamenti debaton për Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit të Shqipërisë me BE-në. Lidhur me këtë, Ilves deklaroi se "asnjë komb nuk është kundër ndonjë kombi tjetër. Ne jemi këtu si deputetë të zgjedhur nga vendet tona. Por fqinjët e Shqipërisë kanë shqetësime të ndryshme për të. Nuk mendoj se ndokush do të votojë kundër Shqipërisë", theksoi Ilves. Lidhur me konfliktet e kohëve të fundit në politikën shqiptare, si ai verës midis pozitës dhe opozitës, është parë mundësia e ndonjë ndikimi të mundshëm ndaj Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në BE. Për këtë, Ilves tha se "unë mendoj se njerëzit janë të vetëdijshëm që niveli i demokracisë në një vend ka rëndësi shumë të madhe për BE, për zgjerim të marrëdhënieve. Unë, siç e dini, përmend në raport nevojën për reformim të sistemit elektoral të "Dushkut", që vërtet ka mendimin se pothuajse çdokush shtrembëron rezultatet e zgjedhjeve për t'i shërbyer balancës së vendeve në parlament. Ky është defekt. Shumë vetë janë të shqetësuar, por në raport ne flasim jo me aq forcë përsa i përket luftës kundër korrupsionit, që disa herë duket se politizohet. Nuk e di nëse kjo është e vërtetë apo jo, por edhe paraqitja e paragjykimit politik në luftë kundër korrupsionit ka pasoja negative". Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit për Shqipërinë sjell më shumë detyrime dhe këtë e pohon raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Tomas Ilves. "Anëtarësimi në BE është i vështirë. Nëse Shqipëria nuk do që të anëtarësohet, atëherë do të vazhdojë me statusin aktual të marrëdhënieve, që sipas mendimit tim nuk e ndihmon atë. Natyrisht, më shumë i kërkohet një vendi pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit, por ky është çmimi i anëtarësimit në BE", tha Ilves. Lidhur me debatin e mundshëm të pritshëm në PE, madje edhe të nxehtë për Shqipërinë, Ilves u shpreh se "nuk mendoj kështu, pasi pas të gjithave, kur ne patëm debatin dhe votën në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë, pati një konsensus të gjerë, kështu që unë nuk pres ndonjë problem të madh", përfundoi fjalën e tij Ilves.
Xhumelina Dervishi