e premte, qershor 23

Çdo ndërtim, qoftë edhe për banesë, pas 15 korrikut, nuk do t’i nënshtrohet procesit të legalizimit.


Legalizimet, Memia: I ligjshëm ai që ndërton brenda 15 korrikut
Sipas kreut të agjencisë, do të legalizohen edhe katet shtesë pa leje në pallate, por ndërtuesit do të gjobiten


Nevila Perndoj


TIRANË- Asnjë tullë nuk do të lejohet të ndërtohet pas datës 15 korrik, ditë kur do të fillojë edhe procesi i vetëdeklarimit të banesave në zonat informale, pa një plan të studiuar sipas rregullave, studimeve dhe zhvillimit urban. Drejtori i Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, Shaban Memia, ka deklaruar dje për “Shekullin”, se do të futen në proces legalizimi të gjitha ndërtimet pa leje, qoftë në zonat informale, formale, qoftë shtesat e të gjitha kategorive, që ditën e hyrjes në fuqi të ligjit janë të konturuara si banesa ndërtimi në funksion të banimit. Gjithçka që ka ndodhur pas kësaj dite, nuk i nënshtrohet procesit të legalizimit. Rastet specifike Procesit të legalizimit do t’i nënshtrohen të gjitha banesat pa leje, ndërkohë që janë parashikuar edhe raste specifike që janë të papërfillshme. Kështu, në rast se një ndërtesë është ndërtuar në një zonë arkeologjike, ndërtimi i të cilave dëmton këto vlera me pasoja të caktuara, atëherë ndërtesa nuk do të legalizohet dhe do të vendoset diku tjetër. Sipas Memisë, rëndësi ka që të ketë procedura korrekte me kritere shkencore, teknike dhe juridike. Ndërsa sa i përket çështjes se shumëpërfolur, pallateve të shumta të ndërtuara veçanërisht në Tiranë, kur ndërtuesi ka shtuar tri ose katër kate pa leje, të gjitha familjeve në këto pallate do t’u legalizohen shtëpitë, do të regjistrohen në hipotekë dhe do të bëhen pjesë e tregut, ndërsa penalitete do të ketë vetëm ndërtuesi. “Të gjithë banorëve apartamentet do t’u legalizohen. Ndërtuesit paguajnë faturën ose ka penalitete për shtesa të reja. Pra, penalizohet ndërtuesi dhe jo banori”, - shtoi Memia. Procesi Drejtori i agjencisë sqaroi edhe njëherë se për qytetarët do të ketë lehtësira të mëdha. Në përputhje me afatet dhe kriteret ligjore, qytetari do të plotësojë formularin së bashku me dokumentacionet teknike të domosdoshme, të cilat thelbësore kanë përcaktimin e vendndodhjes dhe hapësirave që kanë zënë. Pikërisht këtë dokumentacion, ai e dorëzon pranë pushtetit të qeverisjes vendore. Me të dorëzuar këtë dokumentacion, qytetari, në një lloj mënyre, e mbaron detyrimin e vetë juridik dhe ligjor. Memia sqaroi gjithashtu se ka një paketë financiare shumë të favorshme, mbi të cilën do të realizohen të gjitha aktet e shitblerjes dhe kontraktuale që nuk e rëndojnë ekonominë e qytetarit. Paralel me procesin e legalizimit do të realizohet edhe procesi i kompensimit të pronarëve të ligjshëm. PaketatPas miratimit të planveprimit nga Këshilli i Ministrave, Memia bëri me dije se janë përgatitur nga kjo agjenci edhe dy paketa të tjera, që pritet të marrin miratimin nga Këshilli i Ministrave. Paketa e dytë lidhet me akte nënligjore kryesisht të karakterit tekniko-juridik, mbi të cilët do të fillojë veprimtaria e secilit nga punonjësit e administratës që do të merret me këtë problem. Pra, do të ketë kriteret përkatëse. Në këtë paketë përfshihet edhe një tjetër akt i rëndësishëm, i përfunduar tashmë që lidhet me të gjitha kriteret dhe procedurat e mbledhjes, grumbullimit dhe përpunimit të të dhënave bazë mbi të cilat do të realizohet procesi dhe do të sigurohet e tërë strategjia deri në momentin e regjistrimit në zyrën e hipotekave. Ndërsa paketa e tretë që është në proces, sipas Memisë, lidhet me metodologjinë e realizimit të procesit, që unifikon metodën. Ajo është në fazën e një resursi të gjerë, që do të përgatitet miratohet dhe shpërndahet së bashku me manualin tekniko-shkencor dhe ligjor që ka pastaj specifikimet dhe zgjidhjet për secilën specifikë dhe problematikë që do të dalë gjatë rrugës. “Tri paketat, bashkë me paketën që lidhet me fushatën sensibilizuese, duke i shtuar edhe veprimtarinë trajnuese që do t’i bëhet administratës, pushtetit lokal dhe strukturave që merren me këtë proces, të gjitha këto do të mbarojnë deri me datën 15 korrik, sepse në këtë ditë do të fillojë edhe procesi i vetëdeklarimit. Deri në këtë etapë i garantoj qytetarët shqiptarë se të gjitha do të jenë të përfunduara ”,- tha Memia.