e martë, shkurt 28

Kaos në seancë, deputetët e PS shurdhojnë gjithçka, ndërpritet dy herë seanca





PS, sulm me bilbila në Parlament
Protesta, socialistët vetëprangose në sallë

ROZETA RAPUSHI


Kuvendi zhvillon punën në kaos dhe nën zhurmën e denjë për një stadium. Pas grushteve e shqelmave të ditëve të fundit, deputetët u rikthyen dje në sallën e punimeve të Kuvendit me zhurmë, ulërima, bilbila, bori e pranga. Dy kampet kundërshtare politike pozita edhe opozita u shfaqën dje në Kuvend me strategji të reja për të mbijetuar në kërkesat e tyre. Të armatosur me bilbila e me pranga, deputetët e opozitës në këmbë para podiumit të ministrave kërkonim me zhurmë rivotimin me kuti të shkarkimit të kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli. Ndërsa maxhoranca e sapodalë pas një mbledhjeje, bëri të qartë se rivotim nuk ka dhe Kuvendi do vazhdojë punimet me ulërima apo jo. E në këtë situatë të turbullt, lexoi raportin kryetari i Komitetit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Sokrat Sina, të cilit nuk ju dëgjua as edhe një fjalë. Madje me kokëfortësi, maxhoranca votoi kalendarin e punimeve të Kuvendit dhe planin e punës.Sherri Kuvendi u hap sërish me opozitën në këmbë para tryezës së ministrave, e cila kërkonte rivotim. Pa prekur fare karriget e tyre, deputetët socialistë ju drejtuan podiumit duke kërkuar rivotim për Topallin që ata deklarojnë se nuk e njohin më si kryetare. “Nuk mund të vazhdoni sikur s’ka ndodhur asgjë”, - kërkoi kreu i grupit të PS-së, Pandeli Majko i shoqëruar nga boritë, e bilbilat që mbanin Ndriçim Hysa, Bashkim Fino apo Taulant Balla dhe kërcitjet e prangave, për të ironizuar akuzat e Berishës një ditë më parë. Por drejtuesi i seancës Fatos Beja i përgatitur për protesta, nuk pyeti as për bilbilat e aq më pak për boritë, por miratoi shpejt e shpejt kalendarin e punës së Kuvendit për tre javët e ardhshme madje edhe raportin e KKRT-së dhe rezolutën për të. “Si s’të vjen turp more burrë. Kërkojmë votim të fshehtë”, - kërkoi në kor opozita. “Uluni kolegë socialistë mos i tregoni elektoratit këtë fytyrë”, - vijoi Beja. “Ça të ulemi more, ça të ulemi. Ti voton pa pasur kuorum, se quajmë fare”, - replikoi Majko.Sinaj mes zjarreveNë “luftën”, mes pozitës dhe opozitës, u përfshi dje edhe kryetari i Komitetit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sokrat Sina. I thirrur për të lexuar raportin vjetor të punës së institucionit, Sina u vu në qendër të akuzave të parlamentarëve. “Lexo raportin zoti Sina, se opozita këtë punë ka”, urdhëroi nënkryetari Beja. Por me gjithë thirrjet e tij, Sinaj nuk niste leximin pasi zhurmat e bilbilat e opozitës nuk lejonin që të dëgjohej asnjë fjalë. “Ne kemi punën tonë, ata të tyren po nis leximin”, - kërkonte me këmbëngulje Beja, i cili donte të mbyllte me çdo kusht seancën edhe pse kori i burive e bilbilave nuk lejonte. Ndërsa nga ana tjetër deputetët e majtë i ulërinin kryetarit Sina që të mos niste leximin, pasi Kuvendi duhej të bënte rivotimin. I gjendur përballë këtyre reagimeve e presionit të vazhdueshëm të Bejës i cili kërkonte lexim, Sina nisi raportin, por s’ja dilte dot. “Për ca më vini mua në pozita të tilla. Po kjo nuk është serioze”, - tha i ofenduar kryetari Sina. Por as ndërprerjet e seancës për qetësimin e situatës, nuk shërbyen aspak, dhe Sina u detyrua të lexojë një më një por për veten e tij, raportin e përgatitur. Ky gjest acaroi opozitën në këmbë e cila nuk kurseu topat e letrave në drejtim të Sinës. Diskutimet Për dy orë resht deputetët e opozitës nuk u lodhën duke i rënë burive dhe fryrë bilbilat për të penguar zhvillimin e seancës. “Votimi i bërë për Topallin është nul. Kjo pranohet edhe nga Ngjela që është kryetari i Komisionit të Ligjeve”, - tha Kastriot Islami, duke kërkuar rivotimin. Por sipas Preç Zogaj, Kuvendi nuk pezullohet se duan 20 apo 30 veta. “Kjo është zgjedhja e tyre. Ata mund të kërkojnë shumë gjëra, mund të lajthisin edhe nga trutë e kokës, po kjo s’do të thotë se do u plotësohet”, - tha Zogaj. Por të dy palët nuk tolerojnë dhe debatet do të reflektohen edhe në mbledhjet e Komisioneve Parlamentare, ku opozita është e vendosur të mos marrë pjesë, edhe pse kreu i grupit parlamentar të PD-së Bamir Topi kërkoi që ata të marrin pjesë.