e hënë, shkurt 27

Shqipëri: Demokratët dhe socialistët ashpërsojnë polemikat



Shqipëri: Demokratët dhe socialistët ashpërsojnë polemikat

Keida Kostreci 26-02-2006

Dy partitë kryesore politike në Shqipëri vazhduan të dielën debatet, me demokratët që këmbëngulën se nuk do të përsëritet votimi për mocionin për shkarkimin e kryetares së Parlamentit, ndërsa socialistët që paralajmëruan se ky është një provë për mënyrën sesi do të mebaxhohen zgjedhjet lokale nga shumica. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Kryetari i Grupit parlamentar socialist Pandeli Majko i quajti të papërgjegjshme dhe jo serioze akuzat e kryeministrit Sali Berisha për lidhje të opozitës me krimin. Ai reagoi ndaj një konference shtypi të kryeministrit Berisha ku ai akuzoi shumë ashpër Partinë Socialiste duke për lidhje me krimin dhe korrupsionin. Sipas kryeministrit janë këto lidhje dhe mbrojtja e tyre arsyeja e vërtetë pse socialistët po protestojnë për votimin në parlament. Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të demokratëve Bamir Topi, në intervistën që i dha Zërit të Amerikës së bashku me zotin Majko e quajti kërkesën e opozitë për rivotim të pamotivuar dhe politike.





Zëri i Amerikës: Zoti Majko, kryeministri Sali Berisha sapo dha një konferencë për shtyp. Mesa duket zoti Berisha nuk është tërhequr nga qëndrimi i demokratve për votimit (mbi mocionin për shkarkimin e zonjës Topalli). Cili është reagimin juaj ndaj qëndrimit të kryeministrit?

Pandeli Majko: Mendoj që jo pa ironi festa e maskave që u zhvillua në Shkodër po kalon tani në Tiranë. Pas vizitës së zotit Barroso me rastin e firmosjes së Marrëveshjes së Asociimit dhe hedhjes së një hapi të rëndësishëm të filluar prej vitesh nga Shqipëria për të hyrë në Bashkimin Evropian, sot zoti Berisha në kundërshtim me ato që deklaroi në krah të zotit Barroso lidhur me marrëdhëniet me opozitën, e deklaroi opozitën aleate të krimit. Më vjen shumë keq që dëgjoj përsëri deklarata të tilla jo serioze, të papërgjegjshme, por që në thelb tregojnë krizën politike të qeverisë, sesa atë të opozitës.

Zëri i Amerikës: Në kushtet e problemeve që u shkaktuan gjatë votimit dhe acarimit të shkaktuar pas tij, pse nuk pranoni ju që votimit të përsëritet?

Bamir Topi: Unë mendoj që problemi i votimit pas kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, nuk ka të bëjë thjesht me një moment vullneti, por është çështje principiale që ka të bëjë me rregullat parlamentare. Unë ju kujtoj që vetëm muajt e fundit të legjislaturës së kaluar në mënyrë konsensuale u miratua një rregullore e Kuvendit e cila dikton jo vetëm rregullimin e punimeve të parlamentit, por edhe uljen e tensioneve të pamotivuara në Kuvend. Kjo është arsyeja që ne në votimin e fundit jo vetëm duke marrë në konsideratë precedentët sikurse dihet kur janë emëruar mbi 110 zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, por duke iu referuar thellësisht nenit përkatës në rregullore, parashikonte që votimi duhet të ishte i fshehtë dhe në dy mënyra: ose në kutinë e votimit, ose në sistemin elektronik dhe kjo përcaktohej nga seanca plenare. Mbas propozimit tonë me sistem elektronik u miratua nga mazhoranca aktuale në parlament dhe besoj që jemi thellësisht konform nenit 60, pika numër 3, e cila rregullon votimin e fshehtë.

Zëri i Amerikës: Zoti Topi, acarimet u krijuan nga probleme teknike gjatë votimit dhe jo me rregulloren dhe pse nuk do të ishit ju të gatshëm të pranonit një rivotim jo sepse ka ndonjë problem me rregulloren, por thjesht për shkak të problemeve që u hasën gjatë votimit?

Bamir Topi: Kanë qenë rreth 3-4 momente të mungesës së vëmendjes më shumë në momentin e votimit, por ne kemi pranuar që ka edhe probleme të karakterin teknologjik, por gjithsesi nuk influencon në këtë rezultat që ju siguroj që edhe me 37 vota do të përbënte një kalim të mocionit nga ana e maxhorancës parlamentare. Pra problemi nuk është tek ky moment që ne po diskutojmë, por është tek një element principial që ka të bëjë me një kërkesë politike të pamotivuar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.

Zëri i Amerikës: Zoti Majko, mungesa e vullnetit të shumicës për përsëritjen e votimit në një farë mase duket se ju favorizon juve dhe opozitën në përgjithësi politikisht. Juve në fakt vazhdoni ta luftoni këtë vendim. Deri ku e keni parashikuar t’i çoni masat tuaja të mëtejshme?

Pandeli Majko: Besoj se kerkoj mirëkuptimin e plotë të të gjithë dëgjuesve qofshin këta të majtë, por sidomos u drejtohem atyre që jane te djathtë: Partia socialiste dhe opozita nuk është duke e vënë në dyshim faktin se kush ka shumicën në parlament. Ne e dimë që shumicën e ka Partia Demokratike dhe koalicioni i saj bashkë me imoralitetin e Xhuvelit. Problemi që ne shtrojmë është se duhet të respektojmë procedurat në parlament. Ne nuk na intereson se kush është apo kush do të zgjidhet kryetare e Parlamentit. Ne duam që kryetarja e Parlamentit me të njëjtën procedurë që u zgjodh, e njëjta procedurë të ndiqej për shkarkimin e saj. Është një rregull juridik: Çdo individ do të shkarkohet sipas logjikës me të cilën emërohet. Partia demokratike e politizon këtë çështje realisht për të kamufluar krizën e brendshme që e ka zaptuar dhe sigurisht që gjendet e papërgatitur përballë reagimit në bllok të të gjithë opozitës shqiptare. Ne do të qëndrojmë deri në fund për të respektuar procedurat dhe kutinë e votimit në sallën e parlamentit. Jemi të bindur sepse kjo është një provë e vërtetë përballë gjithë publikut sesi do të menaxhohen zgjedhjet e ardhshme lokale nga zoti Berisha dhe të vetët.

Zëri i Amerikës: Zoti Topi, është e qartë që ju e keni numrin e deputetëve në parlament për të vendosur në favorin tuaj. Por në fakt ky qëndrim duket se dërgon mesazhin e arrogancës duke mos e pranuar një propozim të tillë. A jeni ju të shqetësuar qoftë edhe për mesazhin që dërgohet përmes këtij veprimi?

Bamir Topi: Unë mendoj se nuk ka asnjë lloj mesazhi arrogance, përkundrazi ka një mesazh shumë të qartë të nevojës dhe domosdoshmërisë për tëm zbatuar rregulloren në mënyrë të përpiktë. Ju siguroj që në mungesë të zbatimit të rregullores në parlament, do të krijoheshin probleme. Në këtë mënyrë duke kërkuar me rigorzoitet zbatimin e neneve të rregullores, mendoj se jemi në një pozicion mëse të drejtë. Gjithsesi grupit parlamentar të Partisë Socialiste i lind e drejta legjitime që të kërkojë në gjykatën kushtetuese për një vendim që atyre u duket i padrejtë. Ne jemi të bindur që edhe gjykata kushtetuese, duke iu referuar në mënyrë eksplicite nenit përkatës, natyrisht do t’i japë të drejtë vendimit të parlamentit i cili nuk ka bërë gjë tjetër, nuk ka devijuar nga nenet e rregullores, por i ka zbatuar ato me korrektësi.

Zëri i Amerikës: Zoti Majko, juve i keni dërguar një letër presidentit Moisiu për këtë çështje, gjithashtu zoti Topi përmendi si mundësi Gjykatën Kushtetuese. Çfarë shpresoni të arrini?

Pandeli Majko: Ne po i drejtohemi Presidentit si garant i respektimit të Kushtetutës dhe frymës së mirëkuptimit dhe dialogut në vend për të ushtruar influencën e tij. Sugurisht edhe nga Presidenti kanë ardhur mesazhe për konsensus, por konsensusi që do të vendosë përsëri rregullin në parlament për të ecur normalisht rreth objektivave që ka vendi, jo vetëm maxhoranca por edhe opozita, të jetë edhe përgjegjësia përkatëse do të jetë vetëm duke zbatuar rigorozisht ligjin dhe kushtetutën në parlamentin shqiptar. Nëqoftëse nuk zbatohen rregullat në parlamentin shqiptar, të jeni të bindur që kjo do të tejçohet në gjithë jetën politike. Ne kemi sinjale që shumë ministra që kanë qenë treguar me gisht për manipulimin e zgjedhjeve po vendosen në poste kyçe në administratë. Janë sinjale shumë të këqia së bashku me konferencën e shtypit të sotme të zotit Berisha, të cilat ne na bëjnë të qartë se nuk bëhet fjalë për luftë kundër korrupsionit, por bëhet fjalë për t’i krijuar pengesa opozitës dhe mbi të gjitha dua t’i kujtoj jo zotit Topi, por zotit Berisha sot se edhe regjimi Taleban erdhi në emër të luftës anti-korrupsion. Anti-korrupsioni nuk është dëshirë, anti-korrupsioni është bashkëpunim, negociatë për ndërtim institucionesh.