Edi Rama, anetar i Parlamentit Evropian te Kultures
Letra në emër të Karl-Erik Norrman
Edi Rama, anëtar i Parlamentit Evropian të Kulturës
Shekulli
“Ju jeni propozuar për t’u bërë Anëtar i Parlamentit Evropian i Kulturës, një tribunë për personalitetet e shquara kulturore nga të gjitha anët e Evropës. Shpresoj që ju të pranoni anëtarësimin dhe të merrni pjesë në sesionin tjetër në Turku të Finlandës, më 15-17 shtator 2006”. Kjo është ftesa zyrtare në adresë të kryebashkiakut të Tiranës Edi Rama, nga Sekretari i Përgjithshëm i Parlamentit Evropian të Kulturës Karl-Erik Norrman. Në letrën e tij ai i bën të ditur Ramës, intelektual aktiv në frontin e kulturës pa i hyrë ende fort politikës deri në vitin 2000, se ky organizëm “është forumi i vetëm kryesor i artistëve dhe intelektualëve të shquar nga e gjithë Evropa”. Parlamenti Evropian i Kulturës është një forum i personaliteteve evropiane në fushën e artit, kulturës dhe letrave për dialogun, diskutimin dhe debatin mbi çështje thelbësore për rëndësinë e bashkëpunimit evropian, demokracinë dhe kulturën evropiane. Kredo e tij është se ideja evropiane është bazuar në balancën midis respektit për diversitetin e kulturave në Evropë dhe tolerancës e mirëkuptimit ndërkulturor. Qëllim i PEK-ut është të forcojë rolin e ideve kulturore dhe artistike në debatin mbi të ardhmen e Evropës dhe të ofrojë një forum për debat të rregullt mbi çështje thelbësore midis artistëve, shkrimtarëve, muzikantëve, historianëve, filozofëve, projektuesve, arkitektëve të pavarur dhe personaliteteve të tjera kulturore nga të gjitha vendet e Evropës. PEK-u u krijua në mjediset e Këshillit të Evropës në Strasburg në vitin 2001. Sesioni i parë i tij u mbajt në Collège d´Europe, në Bruges, në nëntor 2002, më pas në Grac e Xhenova dhe në vitin 2005 u mbajt në Lisbonë dhe u drejtua nga presidenti portugez së bashku me presidentin e Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso. Anëtarë të ndryshëm janë angazhuar, edhe midis sesioneve, në zbatimin e projekteve të ndryshme, të iniciuara nga PEK, si për shembull: “Të drejtat e artistëve”, “Universiteti Nomad për artet dhe menaxhimin”, “Muzika dhe shëndeti”. Qendra ligjore dhe administrative e PEK-së është organizata gjermane “Verein für ein Europäisches Kulturparlament“, në Klett-Haus, Stuttgart. Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të PEK-së, Karl-Erik Norrman ndodhet në Berlin. Në listën e 26 Senatorëve të këtij parlamenti janë edhe emra të njohur në skenën evropiane të kulturës si Umberto Eco, Frederic Delouche, Manfred Osten, Barbara O’Toole etj.
<< Home