e enjte, mars 2

Republikanët sherr me Rusmajlin për ligjin e pronave


Republikanët sherr me Rusmajlin për ligjin e pronave

Miratohet, në mungesën e socialistëve, projektligji i qeverisë “Për kthimin e Kompensimin e Pronave”, në Komisionin e Ekonomisë. Pas miratimit të pesë neneve të para, dje ka vazhduar votimi i neneve të tjera, që përkojnë me ndryshimet e propozuara nga qeveria për ligjin ekzistues.Gjatë votimit nen për nen, sërish nuk janë marrë parasysh propozimet e bëra nga ana e Partisë Republikane. Debate janë zhvilluar midis zv. Kryeministrit, Ilir Rusmali dhe kryetarit të Grupit Parlamentar të PR-së, Arjan Madhi. Ky i fundit ka shprehur keqardhje për moskonsiderimin e propozimeve të grupit të tij nga ana e anëtarëve demokratë të Komisionit. Ndërkohë, ligji është lënë për t’u votuar në tërësi ditën e hënë duke qenë se, në veçanti për nenin 8, janë shprehur shumë shqetësime nga ana e biznesmenëve, me anën e një letre drejtuar Komisionit të Ekonomisë. Këtë shqetësim e ka përcjellë Kryetari i Komisionit, Spaho, i cili ka kërkuar që ky nen të rishqyrtohet, ndërkohë që Madhi tha se reagimi duhet të jetë në një hap me kohën. Rusmali është shprehur se ditën e hënë do të vazhdojnë të diskutohen edhe disa nga sugjerimet e Grupit Republikan. Komisioni i ka drejtuar pyetje zv. Kryeministrit në lidhje me amendimet e qeverisë, pyetje këto, të cilave Rusmali u është përgjigjur duke u bazuar në ligjin përkatës. Përsa u përket pasurive të paluajtshme në zonat turistike dhe faktit nëse ato do të përdoren për kompensim, ai u shpreh se ekziston një ligj që përcakton se një pjesë e madhe e zonave turistike në Ultësirën Perëndimore do të përdoren për këtë qëllim. Pyetjes së Spahos mbi kompensimin fizik, Rusmali iu përgjigj duke theksuar se ky kompensim do të realizohet përmes fondit përkatës, nën përgjegjësinë e shtetit. Nga ana tjetër, Madhi ka bërë dy propozime, qëllimi i të cilave është shtimi i gamës së burimeve financiare për kompensim duke iu referuar përdorimit të aksioneve të shoqërive anonime. Përmendjen e kësaj të fundit në ligj, Rusmali e quajti të panevojshme dhe si “mish të huaj” për të, pasi e rëndësishme është që në ligj përfshihet fakti se për kompensim do të përdoren pasuritë e luajtëshme. Njëkohësisht, ai theksoi se kompensimi nuk duhet të jetë i kufizuar, me qëllim që të mos cënohet oferta e shtetit, kurse konkurencën e mundshme midis kompensimit brenda qarkut me atë të zonave turistike, e cilësoi si të paanshëm. “Qeveria nuk riformulon”, u shpreh Rusmali, “por, ofron ekspertizë”. Amendimet Diskutime ngjalli edhe efektiviteti i Komitetit të Pronave, në lidhje me procesin e ankimimit, që është vlerësuar si një proces që sjell mjaft ndërlikime. Mbi këtë, zv. Kryeministri u shpreh se ai që nuk i kryen detyrimet ligjore në Komitet duhet të largohet nga pozicioni që ka. Në lidhje me nenin 9, që rregullon nenin 16 dhe që lidhet me çështjen e sipërpërmendur, PR-ja shprehu një tjetër propozim të vetin duke kërkuar që problemi në fjalë të trajtohet më seriozisht. Nenet vijuese u miratuan pa replika, ndërkohë që Madhi pasqyroi rezerva mbi nenin 14 për ndryshimin e nenit 28 të ligjit ekzistues. Sipas tij, Qeveria po rrëzon nenin 28, nëpërmjet 28/a-së. “Neni 28 nuk duhet ngacmuar”, u shpreh Madhi, “pasi është një dispozitë garantuese dhe fondamentale për ligjin”. Kurse Rusmali e cilësoi këtë dispozitë kalimtare si fatkeqe dhe evazive duke kujtuar konceptin “toka-shtet”, që konsiston në moslejimin e privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore nga ligji. Rusmali caktoi edhe afatin e ri të krijimit të fondit për kompensim, 60 ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit, nën sugjerimin e kryetarit të Komisionit, Spaho. Gjithashtu, Spaho ka sugjeruar që në ligj të përfshihet edhe një kufizim për Këshillin e Ministrave, që të mos përfshijë asetet në kompensim. Për këtë, Rusmali ritheksoi se pronat në shërbim të interesit publik nuk përfshihen për kompensim. Madhi nuk la pa përmendur këtu një rast, në të cilin ministri i Ekonomisë, Ruli, ka ndaluar një privatizim vetëm se ishte në përputhje me nenin 28. Gjithashtu, sipas tij, miratimi i fondit bëhet nga Këshilli i Ministrave dhe jo nga Parlamenti, gjë që është në favor të interesave të veçanta. Pas miratimit të nenit 14, mbi bazën e amendimeve të propozuara nga Qeveria, Spaho theksoi se ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas regjstrimit në fletoren zyrtare, ndërkohë që Komisioni do t’i vazhdojë diskutimet përkatëse ditën e Hënë.