e enjte, janar 5

Një shok i 17-vjeçarit të vrarë kishte veshur një bluzë me shqiponjën dykrenore. Një djalë grek i ka kërkuar në disko që ta heqë atë




Nëna: Edisoni u vra për stampën me shqiponjë në bluzë

Entela Bani

Tepelenë- “Djalin na e vranë kot, vetëm për racizëm, ndaj ne kërkojmë drejtësi. Në të kundërt, drejtësinë do ta vendosim vetë ne, sepse gjaku lahet vetëm me gjak”. Kështu janë shprehur dje familjarët dhe të afërmit e emigrantit 17-vjeçar, Edison Jahaj, nga fshati Levan i rrethit të Tepelenës, i masakruar me thika nga disa të rinj grekë natën e ndërrimit të viteve. Në familjen e viktimësNë shtëpinë e familjes Jahaj dera qëndron e hapur për të pritur të gjithë njerëzit që vijnë për t’i ngushëlluar në humbjen e madhe që kanë pësuar. Pas kryerjes së ceremoninë së varrimit, një ditë më parë, gjendja kudo është e akullt. Duke filluar qysh nga moti i keq e deri në atmosferën brenda shtëpisë, ku duket se fjalët kanë ngrirë, madje edhe vaji. Në banesën njëkatëshe, megjithëse të zotët e saj prej vitesh banojnë në Greqi, zakonet kanë mbetur të njëjta: burrat qëndrojnë në njërën prej dhomave dhe gratë në tjetrën. Në ndriçimin e paktë, pasi mungon edhe energjia elektrike, siluetat duken zbehtë dhe dallohet vetëm ndriçimi i cigareve që ndizen e shuhen pareshtur nga burrat e fisit Jahaj. Në tavolinën e vendosur në dhomë vihen re një sërë paketash të hedhura pa kujdes nga ata që kanë ardhur për ngushëllim, një rit ky i kësaj zone. “Na helmuan deri në palcë. Na morën më të mirin, më të urtin, më punëtorin”. Me këtë fjali na presin familjarët e Edisonit, i cili qysh fëmijë shkoi në emigracion për të ndihmuar të atin e që prej andej u kthye i vdekur. “Kemi qenë shumë të kënaqur dhe u ishim mirënjohës si banorëve grekë, mjekëve, ashtu edhe zyrtarëve të qytetit Rrethima për ndihmën e madhe që i dhanë vëllait tim, Latifit, babait të Edisonit, pasi prej gati 4 vjetësh mjekohej për veshkat (dializë) falas në spital. Po duket se ishte e shkruar që atë ndihmë të madhe ta paguante ai dhe të gjithë ne, shumë shtrenjtë. Me jetën e nipit tonë, që ishte vetëm 17 vjeç”,- thotë mes lotësh dhe mjaft e tronditur halla e viktimës, Luljeta, e cila ka qenë e para që ka hyrë në shtëpinë e të vëllait pas ngjarjes së rëndë.Janë 25 familje nga fisi Jahaj, rreth 60 persona, nga fshati Levan i komunës së Krahësit në rrethin e Tepelenës që prej shumë vitesh jetojnë në emigracion në ishullin e Kretës në shtetin fqinj, Greqi. Ajo që i ka lënë më shumë të tronditur të gjithë pjesëtarët, të cilët bashkë me trupin e pajetë të 17-vjeçarit janë kthyer për ta varrosur atë në vendlindje, ka qenë fakti se gjatë gjithë kohës që kanë punuar në emigracion nuk kanë pasur kurrë probleme, as me banorët grekë dhe as me policinë e këtij shteti. “Gjithmonë kemi kaluar shumë mirë me banorët e qytetit, kurse në polici jemi paraqitur vetëm për rinovimin e dokumenteve. Edhe Edisoni kurrë nuk ka pasur problem, pasi ai ka punuar qysh fëmijë dhe nuk dilte shpesh. Nuk dimë sesi t’ia vëmë emrin kësaj që na ndodhi”,- vazhdon më tej Luljeta.Ata i ka prekur shumë edhe mungesa e interesimit nga shteti shqiptar për fatin e emigrantit të vrarë. “Po na shfrytëzojnë në dhe të huaj deri në palcë dhe ky nuk është i vetmi rast kur fëmijëve tanë dhe ne vetë na marrin edhe gjakun, jetën. Ku është shteti ynë në këto rastë? Ku janë qeveritarët të cilëve u kemi dhënë votën, se po të kishte shtet, po të na krijonin kushtet as ne nuk largoheshim, po do të jetonim në vendin tonë”,-thonë familjarët. NgjarjaSipas tyre, gjithça ka ndodhur fill pas festimit të Vitit të Ri. Nëna e Edisonit, Sabiheja, dhe vëllai i madh, Saimiri, 18 vjeç, kishin tre ditë që ishin kthyer në Shqipëri për të festuar me të afërmit ndërrimin të viteve. Duke qenë se Latifi 57- vjeçar, tashmë i plagosur dhe i shtruar në një spital grek vuante nga veshkat dhe duhej që çdo tri ditë të kryente procesin e hemodializës, ai dhe djali i vogël, Edisoni, qëndruan në qytetin Rrethima të Kretës, ku jetonin prej katër vjetësh. Kanë festuar të gjithë bashkë në shtëpinë e njërit prej xhaxhallarëve, Yllit, dhe vonë pas mesnate, të rinjtë e fisit Jahaj, së bashku me disa shokë kanë dalë jashtë, që festën ta vazhdonin në ndonjë lokal. Në njerën prej diskove të qytetit, ku janë ulur ata, kanë pasur një debat me disa të rinj grekë. Sipas familjarëve të Edisonit, gjithçka ka nisur për shkak të bluzës që kishte veshur njëri prej shokëve të tij, ku ishte stampuar flamuri kombëtar shqiptar. Kaq ka mjaftuar që të rinjtë grekë, ndoshta edhe pak të dehur për shkak të festës, t’i kërkonin djalit shqiptar të hiqte bluzën, kurse Edisoni vetë thuajse nuk ishte përfshirë fare në debatin e krijuar.Megjithatë, kanë kujtuar se gjithçka është mbyllur brenda mureve të diskos, por nuk ka qenë kështu. Vetëm pak kohë më vonë, rreth orës 05.00 të ditës së parë të vitit 2006, kur të rinjtë shqiptarë kishin shkuar në shtëpitë e veta, ndodhi ajo që akush nuk e priste. Një grup prej 7 vetash, të gjithë grekë, njëri prej të cilëve babai i djalit që kishte nisur sherrin në disko, duke thirrur “ta vrasim shqiptarin”, e të pajisur me thika e leva i janë drejtuar shtëpisë së familjes Jahaj. Pasi kanë shpërthyer derën krysore të shtëpisë, kanë qëlluar në fillim me levë në kohë Latifin 57- vjeçar, duke e lënë atë pa ndjenja. Më tej i janë drejtuar dhomës ku flinte Edisoni 17- vjeçar dhe e kanë qëlluar atë disa herë me thika, duke i sjellë vdekjen e tmerrshme. Pas kësaj i gjithë grupi është larguar nga vendi i ngjarjes, për t’u arrestuar vetëm një orë më pas, falë deponimeve të Latifit dhe disa dëshmitarëve okularë, fqinjë të viktimës. Emigrantët shqiptarëMblodhën 5 mijë euro për sjelljen e trupitNgjarja e rëndë e ndodhur orët e para të datës 1 janar në qytezën Rrethima të ishullit të Kretës në Greqi, përveç familjarëve e të afërmëve ka tronditur mjaft thellë edhe të gjithë emigrantët shqiptarë që banojnë në këtë ishull. Sipas Luljetës, hallës së viktimës, “në këtë ngjarje të rëndë, të gjithë emigrantët shqiptarë na u gjendën mjaft afër, sikur të ishim të gjithë një gjak. I falenderojmë të gjithë shumë dhe veçarnërisht organizatoren, Luljeta Saliaj, që është kryetare e sindikatës së emigrantëve shqiptarë, pasi fale saj rreth 80 emigrantë mblodhën një shumë prej 5 mijë eurosh si dhe organizuan edhe protesta, ndaj këtij akti kriminal. Madje në momentin që arkivoli me trupin e Edisonit hipi në traget na kërkuan që ta hipnim me gjithë furgon, por ne e morëm në krahë, se ashtu është zakoni. Të gjithë emigrantët që kishin dalë për të na përcjellë e mbuluan me flamurin shqiptar, të cilin nuk ia hoqëm më”. Frika nga rikthimiPas mbylljes së varrimit të Edisonit 17- vjeçar, thuajse të gjithë pjesëtarët e fisit Jahaj do të kthehen sërish në Greqi, në qytetin ku ndodhi ngjarja tronditëse. Kur i pyet rreth këtij fakti ndihet ankthi dhe frika e rikthimit, edhe pa u shprehur me gojë. Gjithsesi duket se rikthimi, megjithë dhimbjen e madhe, është i pashmangshëm, pasi prej vitesh kan ndërtuar një jetë të re atje e mbi të gjitha, fshati i tyre nuk u jep asnjë mundësi jetese. Levan, ku kanë mbetur vetëm të moshuarit Megjithëse fshati Levan i përket komunës së Krahësit në rrethin e Tepelenës, për të shkuar në të duhet të kalosh fillimisht në territorin që i përket rrethit të Mallakastrës. Megjithëse ndodhet vetëm 8 kilometër larg nga rruga nacionale, terreni mjaft i thyer dhe gjendja e keqe në të cilën ndodhet rruga bëjnë që udhëtimi të zgjasë për gati një orë. Shtëpitë e vogla, të vjetra e të shpërndara në disa lagje, të japin qartë pasqyrën e mjerimit që mbizotëron në këtë fshat. Sipas banorëve të tij, dikur në Levan numëroheshin rreth 120 familje, ndërsa tani kanë mbetur vetëm 45, edhe këto jo të plota. E vetmja mundësi për mbijetesën e tyre është emigracioni. Të gjithë familjet e Levanit kanë njerëz të tyre që punojnë si emigrantë jashtë shtetit, kryesisht në Greqi, por edhe në vende të tjera të Europës. “Të gjithë banorët e fshatit, nga mosha 40 vjeç e poshtë janë në emigracion. Këtu kanë mbetur vetëm të moshuarit. Po të mos ishte emigrimi, do kishim vdekur të gjithë për bukë”,-thotë Myrtezai, njëri prej banorëve të fshatit.