Policia Ndërtimore i kërkon ndihmë forcave të rendit për të siguruar zonën
Dashamir Biçaku
TIRANE- Policia Ndërtimore i kërkon mbështetje me forca rendi Drejtorisë së Policisë së Tiranës, nëse gjatë ditës së sotme do të nisë shembja e nënkalimit te “Zogu i Zi”. Lajmi është konfirmuar për “Shekullin”, nga burime të besueshme në policinë e Tiranës, të cilët pohojnë se Policia Ndërtimore mund të vendoset pranë masiveve të betonit mëngjesin e sotëm, ndërsa është kërkuar që në orën 10:00 të paradites, policia e rendit duhet të dërgojë një numër forcash, me qëllim sigurimin e zonës, gjatë kryerjes së shembjes. Ndërkaq, krerë të policisë së kryeqytetit nuk kanë konfirmuar zyrtarisht nëse ka pasur një kërkesë në rrugë zyrtare nga ndërtimorët për të siguruar mbështetjen me forca të rendit dhe të grupeve të gatshme. Mbështjetja për ndërtimorët, sipas burimit të “Shekullit”, për shembjen e ndërtimit është kërkuar gjatë orëve të paradites, vetëm pak orë pasi inspektorë dhe punonjës të Policisë Ndërtimore të mbërrijnë aty, ndoshta për të nisur ata të parët vetë shembjen. Informacionet për ditën e saktë të shembjes së nënkalimit të “Zogut të Zi”, në fakt dje kanë qenë të ndryshme. Fillimisht u njoftua se Policia Ndërtmore do të niste shembjen sot në mëngjes, ndërsa pak orë më vonë u mësua se operacioni ishte shtyrë për ditën e shtunë. Gjithsesi, burimet policore thanë se ata do të jenë sot paradite pranë kryeqëzimit të “Zogut të Zi”, sipas kërkesës së bërë dje nga Policia Ndërtimore. Ndërkohë, kupola e selisë rozë ka vendosur dje që të shtyjë për ditën e shtunë organizimin e një mitingu proteste pranë “Zogut Zi”. Ky miting ishte parashikuar nga drejtuesit e Partisë Socialiste për t’u zhvilluar gjatë ditës së sotme, pikërisht pranë nënkalimit të “Zogut të Zi”. Por një informacion tjetër ka bërë që drejtuesit e opozitës së majtë të shtyjnë për në fundjavë organizimin e mitingut të protestës. Socialistët e kanë quajtur qeverinë e kryesuar nga Berisha si të dhunshme, për shkak të vendimit të marrë nga KRRTRSH-ja. Nyja e kryqëzimit të mësipërm ka pushuar së ndërtuari rreth 3 muaj më parë, kur një urdhër i Policisë Ndërtimore i kërkonte subjektit që kryente punimet, t’i ndërpriste ato.
06/01/2006
<< Home