e shtunë, janar 7

Rrezikshmëria e “korrupsionit politik”

Rexhep Meidani
Korrupsioni politik”, sëmundje e rrezikshme e demokracisë shqiptare. Në çdo fushë ekziston një hierarki konceptesh, strukturash, organizimesh e veprimesh. Nga kjo hierarki prioritetesh konceptuale apo praktike nuk ka si të shpëtojë dukuria e korrupsionit dhe lufta kundër tij. Parë në këtë optikë, në shfaqjet e ndryshme të korrupsionit, hierarkinë më të lartë e ka “korrupsioni politik”. Ai, i “përkthyer” ndryshe dhe si mosrespektim i ligjit e shtetit të së drejtës, është, madje, dhe më i rrezikshmi, gjeneratori i të gjitha shfaqjeve të tjera antidemokratike e antiligjore. Në prani të tij, në një sistem demokratik, çdo përpjekje për të luftuar pamjet e tjera të korrupsionit, sidomos atë ekonomik, mbetet pothuajse sipërfaqësore, me nota propagandistike dhe në thelb e pasuksesshme. (Ndryshe është puna në një sistem diktatorial!). Për më tepër, në situata, në të cilat demagogjia, si shprehje e korrupsionit politik, “gëlltitet” me lehtësi, kjo luftë shihet e zhvillohet jo si betejë ligjore e kushtetuese ndaj dukurisë dhe të gjithë individëve të korruptuar në përgjithësi, por si një përpjekje politike selektive: deklarative dhe imagjinare ndaj “mbështetësve”, nga njëra anë dhe konkrete e reale ndaj kundërshtarëve, në mënyrë të veçantë ndaj opozitarëve politikë, të pabindurve të tjerë neutralë apo përfaqësuesve të pavarur institucionalë, nga ana tjetër. Kjo ndërthurje binomiale, përzgjedhëse e përjashtuese, bëhet mjaft më e rrezikshme kur harrohet apo “mbulohet” tërësisht me “nota” gjoja parimore, “neutrale” e propagandistike. Aq më keq kur korrupsionit politik, në kuptimin e mësipërm, nuk i kushtohet kurrfarë vëmendje mediatike e qytetare. Problemi bëhet akoma më serioz për një demokraci të brishtë si kjo e jona, kur korrupsioni politik si niveli më i lartë i korrupsionit arrihet të nxirret apo të perceptohet krejtësisht jashtë kategorisë përgjithësuese korrupsion...
Parë në këtë perspektivë, nuk mund të luftohet me sukses korrupsioni ekonomik pa luftuar në radhë të parë korrupsionin politik dhe individët-protagonistë mbartës e ushqyes të tij. Por si shfaqet korrupsioni politik? Në fakt, ky lloj korrupsioni, si i shkallës më të lartë, është në vetvete një shkelje e sistemit ligjor dhe rregullator, natyrisht jo në mënyrë publike e të drejtpërdrejtë, por në mënyrë opake e të tërthortë. Ai është karakteristik në demokracitë e reja, në të cilat forca e opinionit publik dhe e institucioneve “gardiane” të demokracisë është ende e dobët. P.sh., korrupsioni politik shfaqet më qartë, në kushtet tona, në procesin zgjedhor. Kështu, p.sh., në zgjedhjet e fundit ai mori format nga më të çuditshmet, diku të fshehta, diku në “dritë të diellit”. Megjithatë rezultati i këtij procesi me mjaft elementë korruptivë e mori, pak a shumë, “bekimin” e jashtëm, gjë që në një mënyrë apo tjetër “përkthehet”, përveç lodhjes me “manovrat” e pafundme të politikës shqiptare, dhe si pranim i “korrupsionit” politik në situatën tonë të brishtë demokratike. Sepse, në mungesë të respektit për institucionin e votës së lirë apo loja e pandershme me të, me anëtarë “të fortë” krejtësisht komisionesh, me lista të pasakta, me certifikata të falsifikuara, me votime nën emra të tjerë, me pazare votash, me numërime të manipuluara, etj., ky lloj korrupsioni i mbështetur nga politika merr vlera të rrezikshme e shformuese për demokracinë e institucionet e saj. Për dy arsye: a) institucionet e prodhuara pas zgjedhjeve nuk kanë autoritetin e duhur elektoral e moral, b) këto institucione në mungesë të këtij autoriteti moral sulmojnë institucionet e tjera, sidomos ato neutrale e të pavarura, për ta garantuar me metoda jodemokratike këtë autoritet, më saktë “komandën” apo forcën e pushtetit politik. Korrupsioni politik shfaqet dhe në manovrat e ndryshme të luftës politike për të reduktuar deri minimizuar rolin dhe zërin e opozitës, duke shpalosur në të njëjtën kohë një demagogji të dukshme gjoja demokratike e përfshirëse. Por, dhe trysnia e pushtetit mbi median e lirë e të pavarur apo “rekrutimi” i një pjese të saj, diku duke mbyllur sytë ndaj aferave të dyshimta, diku dhe duke e ushqyer atë me mjete financiare apo filozofi manipuluese e “shpifëse”, është po ashtu një shprehje tjetër e korrupsionit politik. Në këtë grupim futet dhe “sajimi” politik i OJF-ve me përmbajtje partiake, por të shitura si neutrale, qytetare apo përfaqësuese të shoqërisë civile...
Vullneti politik akumulues - shprehje e korrupsionit politik.
“Ushqim” i korrupsionit politik është dhe spekulimi i tejskajshëm me “vullnetin politik” apo protagonizmin individual. Sidomos kur del në pah vetëm e thjesht shpalosja “deklarative” e vullnetit politik në luftën antikorrupsion. Aq më tepër që, sot për sot, ky vullnet as nuk mund që të bindë, sepse në të vërtetë nuk po mishërohet, në një shkallë realiste, në projektimin e iniciativave të reja reformuese, nuk po shfaq nivel të lartë pjesëmarrjeje dhe përfshirje të aktorëve politikë dhe të shoqërisë civile (pavarësisht ndonjë përjashtimi jo aq neutral!), apo, akoma, nuk po tenton të konkretizohet nëpërmjet një bashkëpunimi të hapur e konstruktiv midis pozitës dhe opozitës, por nëpërmjet një përplasjeje të hapur me të. Ai, madje, po zhvillohet në luftë gati frontale me të gjitha institucionet e pavarura, duke manifestuar publikisht dhe një shkallë të lartë mungese respekti ndaj tyre. Ndërkohë që, në skemën e pavarësisë-ndërvarësisë, rregullat e lojës politike, në shprehje dhe mishërim të vullnetit politik, të ndikimit të aktorëve ndërkombëtarë dhe të plotësimit të kritereve të integrimit, normalisht duhet t’i jepnin një “epërsi” jo sulmit, por mbrojtjes parimore, konsolidimit dhe zhvillimit të institucioneve demokratike autonome. Në këtë kuptim nuk ka të bëjë fare me ndonjë manifestim të vullnetit politik çfarëdo lloj prirjeje e hapur ose e fshehtë për të “uzurpuar” këto institucione apo për t’i përdorur ato si “çadër” ndaj veprimeve të mëtejshme komanduese. Madje, përkundrazi, një synim i tillë mund të klasifikohet pa frikë si një pamje tjetër konkrete e korrupsionit politik. Në fund të fundit, vendosmëria për të luftuar korrupsionin, në kuptimin e zakonshëm, nuk është thjesht problemi i drejtuesve politikë apo i pjesës burokratike të administratës ekzekutive, por në radhë të parë i strukturave mbipartiake si Kontrolli i Lartë i Shtetit, Prokurorisë dhe Gjykatave, Avokatit të Popullit, Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive, enteve të ndryshme, etj. Edhe sektori privat ka pjesën e tij. Mbi të gjitha, një vlerë të madhe ka dhe mobilizimi qytetar në një veprim të fuqishëm kolektiv, trysnues e reagues ndaj çdo abuzimi e shkeljeje.
Me gjithë vlerën e padiskutueshme të zbatimit të parimit kushtetues “checks and balances”, (“kontroll e balancë”) nuk mund të thuhet se sistemet politike demokratike janë “të mbrojtur” apriori përkundrejt shfaqjeve të ndryshme të korrupsionit, përfshirë dhe atë politik. Çdo prirje për të ngushtuar hapësirën demokratike në kundërvënie ndaj parimeve apo frymës kushtetuese demokratike është po ashtu një prirje korruptive, natyrisht me natyrë të pastër politike. Një prirje e tillë ishte dhe miratimi i ndryshimit në rregulloren e Kuvendit dhe “legalizimi” i procesit të votimit të hapur për emra konkretë, që lidhen me drejtimin e institucioneve të pavarura, pikërisht në prag të mbylljes së sesionit të parë të tij, apo, akoma, vetëm pak kohë pas mbarimit të konferencës së shtypit të 100 ditëve, me të cilën pothuajse e gjithë media shpenzoi të gjitha “bateritë” e saj! Mos vallë një gjë e tillë mund të quhet iniciativë për reformë institucionale apo luftë ndaj korrupsionit? Kaq shpejt kemi harruar që pikërisht mospërdorimi i dhomës së fshehtë, kthimi i saj në një “relike” për votuesit (pra votimi i hapur, para syrit vigjilent dhe të stërzgjatur të udhëheqësit) ishte ai që favorizoi në dhjetëvjeçarë diktaturën komuniste?!...
Në përgjithësi, prirjet për të shmangur potencialet institucionale ekzistuese apo realitetet konkrete, dhe jo korrelacioni apo bashkëpunimi i ngushtë me të njëjtin objektiv dhe me synime të përbashkëta përmirësuese e reformuese, marifetet në fshehtësi dhe kartoni parlamentar, sulmet publike për t’i “shtypur” ato me anë të veprimit apo presionit jodemokratik, mosrespektimit të kushtetutës dhe ligjit, urdhërimit të organit të hetimit, ushtrimit të kontrollit ekzekutiv mbi gjyqësorin, etj., nuk janë gjë tjetër veçse pamje të korrupsionit politik në një shoqëri demokratike, apo, më keq, zhvillime autoritariste drejt një shoqërie jodemokratike...
Nga ana tjetër, vullneti politik as buron, as nuk ekziston në boshllëk. Ai është dhe një pasqyrim i një morie rrethanash komplekse, të cilat nisin që nga aspiratat individuale të drejtimit politik dhe diku përfundojnë pozitivisht me gjetjen e mbështetjes së duhur për të kapërcyer çdo rezistencë në rrugën e mishërimit të këtij vullneti, në nivelin makro apo mikro, dhe diku tjetër negativisht për të “akumuluar” sa më shumë pushtet. Në këtë kuptimin e fundit, duhet të luftohen publikisht ato përafrime jo efektive, deri spekulative, manipuluese apo të papërshtatshme, në luftën kundër korrupsionit. Të tilla mund të jenë ato që krijojnë çekuilibri politike e sociale, bllokime politike projektesh të domosdoshme, situata të pafavorshme ekonomike që “zhurmohen” në mënyrë politike, duke shfrytëzuar çështjen e korrupsionit si një rrugë për të akuzuar individë të caktuar apo për të delegjitimuar vendime të drejta të mëparshme, largime jo ligjore nga administrata, etj. Apo më keq, kur bëhen thjesht për propagandë kalimtare, për të tërhequr vëmendjen e qytetarëve nga mungesa të domosdoshme e serioze të ditës, me një synim të vetëm konsolidimin e pushtetit vetjak apo përqendrimin e tij në mënyrë antikushtetuese. Kjo gjë ndryshe mund të pagëzohet si objektiv ushtrimi force, si synim jodemokratik, përqendrues e komandues.
***
Janë këto vetëm një pjesë e arsyeve që e bëjnë korrupsionin politik më të rrezikshmin për demokracinë e brishtë shqiptare. Vigjilenca qytetare, reagimi politik dhe publik i menjëhershëm janë përgjigja më e mirë. Përndryshe, thjesht dhe vetëm duke shpresuar, shumë shpejt mund të jetë dhe shumë vonë!...