e enjte, janar 12

“Shakaja vrastare” e komunikimit



“Shakaja vrastare” e komunikimit

Rexhep Meidani
Shumë vite më parë, i ndodhur në Dallas (Teksas) për një projekt shkencor, pata rastin të ndiqja, në mjedisin e kolegëve amerikanë, barsoletën e mëposhtme “Një drejtues i lartë, i ndodhur në zyrë, i telefonoi, si zakonisht, të shoqes në shtëpi, për t’i transmetuar kërkesat (më saktë urdhrat) e tij. Aparatin e telefonit e ngriti punonjësja e re e pastrimit, që sapo kishte filluar këtë detyrë. “Më kaloni pak time shoqe” – i tha ai. Por pastruesja iu përgjigj pa menduar dy herë: “Jo, nuk mundem. Ajo është në katin e dytë, në dhomën e gjumit, me një mikun e saj”... Për një moment, në të dy anët, në distancë, u vendos një qetësi e nderë, por pastaj, me marrjen e vetes, nga ana tjetër e telefonit erdhi urdhri i prerë: “Ashtu! Atëherë, shko në raftin e korridorit dhe merr aty çiften time, që është e mbushur. Ngjitu në katin e dytë dhe vriti që të dy ata”. Punonjësja e shërbimit, duke ditur se “rekrutimi” për të ishte bërë, në radhë të parë, për motive besnikërie, dhe jo për “shkathtësinë” e saj në punë, pa më të voglin hezitim, u përgjigj: “Mirë, dakord”. Pesë minuta më vonë, ajo u rikthye tek aparati dhe i telefonoi po atij numri të regjistruar aty pak më parë: “Çdo gjë në rregull. Të dy janë tashmë të vdekur. Çfarë duhet të bëj me trupat e tyre?”. “Mirë, hidhi ato trupa në pishinë. Kur të kthehem, do të merrem unë me ta.”- erdhi përgjigja e ftohtë nëpërmjet linjës telefonike. Por ende pa u mbyllur telefoni u dëgjua klithma e punonjëses dhe më tej belbëzimi i saj: “Por ne nuk kemi pishinë!”. Atëherë, zyrtari i alarmuar u kujtua të pyesë: “A nuk është ky numri 555-1234?” Por, tashmë, ishte mjaft vonë...Urdhri apo “nxitja deklarative” .Duke kujtuar këto radhë, si në një “qark të shkurtër”, më erdhën në mendje, në mënyrë “paralele” e “algoritmike”, tri ngjarje të këtyre 2-3 muajve të fundit. ***Ngjarja e parë është ajo e lidhur me atë anijen e famshme të vajit të porositur nga kompania “Olim”. Karakteristike ishte aty “qëndrueshmëria sakrifikuese” dhe “besnikëria asgjësuese”, e dëshmuar nga drejtuesit në “doganë”, deri dhe në kundërshtim me vendimin gjyqësor për zhbllokim. Por jo më pak, ishte edhe “arratisja e çuditshme” nga porti e kësaj anije të madhe ngarkese (që pa ndonjë urdhër për “mbyllje sysh” duket fare e pamundur, kur dhe një gomone duhet të kapet nga radarët!). Por le t’i lemë mënjanë komentet e mëtejshme për këtë ngjarje, sepse ajo i takon dhe “entuziazmit” fillestar politik e mediatik. Aq më tepër, që ka shumë të ngjarë që sot kjo që ndodhi- si një “perlë absurditeti”, të konsiderohet praktikisht e “arshivuar” (edhe pse “arratisja” nga porti dhe ujërat tona detare ishte një skandal i vërtetë) apo, akoma, duke shfrytëzuar “algoritmin” e barsoletës së mësipërme, edhe “e vdekur” për qeverisjen aktuale. Ndërkohë që faji tashmë është shkarkuar më poshtë, te zbatuesit-protagonistë të saj...***Ngjarja e dytë ka të bëjë me gjoja reformën e kërkimit shkencor (normalisht e nevojshme dhe e vazhdueshme në çdo vend, aq më shumë në Shqipëri). Por, sipas deklaratave të disa personave të dorës së dytë, kjo “reformë” dhe “grupi” përkatës i punës (që vështirë të bjerë era shkencë!), janë, në fakt, të orientuar drejt “eliminimit” të shumicës së instituteve shkencore të Akademisë së Shkencave. Mesa duket, edhe në këtë rast, numrat e telefonit të institucioneve shkencore janë ngatërruar apo identifikuar vetëm me atë të selisë qendrore të akademisë. Jo për ndonjë betejë të 2005-2006-ës të tipit antikorrupsion, por për atë të lënë përgjysmë më 1993-‘94, në luftën e tipit antikomunizëm! Prandaj, ndoshta, dhe ndaj disa “specialistëve” besnikë i është transmetuar një urdhër i prerë për “marrjen e çiftes” dhe për të asgjësuar “objektivin” në emër të gjoja reformës kërkimore-shkencore. (Histori që në fakt nuk ndryshon shumë me atë të dr. Adhamudhit të Çajupit, sipas “logjikës” të së cilit, kur ndonjë organ mund të jetë jo plotësisht i shëndoshë, e vetmja mënyrë për ta “shëruar” është ta kërresh atë, d.m.th. ta presësh apo ta eliminosh këtë organ, qoftë ky dhe koka!)... ***Ngjarja e tretë, që është bërë dhe objekt i debatit intensiv e shqetësimit publik në rritje, por dhe subjekt i një loje të egër politike, është ajo e “Zogut të Zi”. Do të shkatërrohet (d.m.th. do të vritet) “Zogu i Zi” apo jo? Kjo është pyetja më e zakonshme që dëgjohet kudo. Diku, kjo pyetje shtrohet dhe disi më ndryshe, në mënyrë më “letrare”: do të fluturojë apo nuk do të fluturojë “Zogu i Zi”? Vazhdojnë dhe komentet e llojllojshme. Ndonjë anëtar i KRRT-së, me zë të mekët, thotë se në atë mbledhje të famshme të KRRT-së nuk është miratuar ndonjë vendim-urdhër për ekzekutim prishjeje. Këtë ka pohuar fillimisht, në mënyrë publike, dhe një këshilltar kabineti - specialist mjaft i zoti. Ndërsa, kryetari i këtij institucioni e bën shkatërrimin pothuajse fakt të kryer në të gjitha deklarimet e tij, edhe pse në “dalje” përgjegjësinë, në të shumtën e rasteve, ia ka lënë Policisë Ndërtimore. Sot, çështja që shtrohet, është shumë më e thjeshtë: a është transmetuar pa ekuivok urdhri i ekzekutimit apo, këtë radhë telefonimi, në numër të gabuar, u kap në kohë dhe u korrigjua nga ata që e dinë shumë mirë që politika, në radhë të parë, është ekonomi, që, në fund të fundit, për çdo mendje normale ekonomia është mbi politikën? Ndoshta, është kjo e dyta, prandaj dhe po luhet tashmë si “macja me miun”, pikërisht për të fituar ca kohë në variantin e gjuajtjes (shkatërrimit) rreth e rrotull, apo, e thënë ndryshe, në variantin e “shtetrrethimit”. Por, pavarësisht nga varianti i zgjedhur, në këtë ngjarje, të karakterizuar nga një përplasje e ashpër institucionale pushtet qendror-pushtet vendor, ndodhi ajo që nuk duhet të ndodhte: vonesa e pafalshme për qytetarët dhe konsumi politik negativ, krejt i panevojshëm i energjive, diku me pikësynime “vrastare”, diku me motive të dyanshme partiake, në funksion të përfitimit politik. Nëse telefonimi i “gabuar” është bërë, atëherë a do të paguajë përsëri tjetërkush, për “besnikëri”, aktin e “vrasjes” së mbikalimit, pra dhe hedhjen e tij përtokë (apo në erë)? Por, në të dy rastet, qoftë kur krijohen vonesa e përplasje, qoftë kur hidhet poshtë investimi, për shkaqe ligjore apo jo ligjore, ai që e paguan është qytetari i thjeshtë, me lodhjen dhe shkatërrimin e nervave të tij, apo humbjen e parave të tij publike. Sidoqoftë, diçka është e qartë: nëse procesi do të jetë thjesht dhe vetëm politik e emocional, i paargumentuar tërësisht nga ana ligjore apo i pakopsitur në një procedurë të rregullt gjyqësore, teorikisht, nuk duhet të vonojë dita që të bëhet “pay back”-u konkret kolektiv ose individual për këtë çështje. Madje, përveç reagimit elektoral me anë të votës, mund të stigmatizohet dhe gabimi ose faji individual. Edhe pse jo normale, por ky faj për arsye “eterike”, në zbatim të urdhrave gojorë, pa letra të shkruara, mund të kalojë lehtësisht nga urdhëruesi tek ekzekutuesi. Pra, pavarësisht nga “realitetet” procedurale, normalisht diku duhet të ndalojë apo do të zbresë përgjegjësia. Aq më tepër, që në abc-në e shtetit të së drejtës, në një shoqëri realisht demokratike, me konsolidimin e shtetit dhe të strukturave përkatëse, me fuqizimin e opinionit publik, po të luftohet seriozisht për të vërtetën, arrihet të përcaktohet përgjegjësia e detyrës së çdo zyrtari, jo vetëm ndaj abuzimeve në detyrë, paaftësisë e shpërdorimit financiar, por dhe ndaj pareve të humbura të taksapaguesve për kapriço personale apo arrogancë politike...