Statusi i Kosovës do të vendoset në “Tiranë”!
Statusi i Kosovës do të vendoset në “Tiranë”!
Koco Danaj
Në thelb duket se do të ndodhë sipas titullit të sipërpërmendur. Pavarësisht se juridikisht dhe formalisht do jetë një institucion tjetër që do ta përcaktojë statusin e Kosovës. Tirana si epiqendra e statusit të Kosovës nuk është një rastësi, por lidhet me vetë peshën e statusit që do të ketë Kosova. Dhe pesha është e rëndë: Kosova sa një shtet? Apo pesha sa një provincë? Këtë e dinë të gjithë, pavarësisht se nuk e thonë të gjithë. Kosova sa një shtet - e pranojnë një pjesë, por nuk e pranojnë një pjesë tjetër. Brenda Shqipërisë dhe jashtë saj. Brenda Kosovës dhe jashtë saj. Eshtë faza kur diplomacia dhe politika ndërkombëtare nuk pranon më deklarata shteti, por argumente shteti. Prandaj Tirana politike ka filluar të marrë një rëndësi kaq të madhe. Prandaj në Tiranën politike kanë ardhur dhe do të shtohen akoma më shumë në të ardhmen vizitat e politikanëve dhe shtetarëve të Evropës dhe Ballkanit si dhe të politikanëve të Kosovës. Atyre u duhet mendimi i Tiranës politike. Sepse ata e dinë më mirë se midis qindra gabimeve dhe defekteve, Tirana politike ka një rol regjisori lidhur me statusin e Kosovës. Por do të shtohen edhe ardhjet e matrapazëve dhe «batakçinjve politikë e patriotikë» nga Kosova dhe Beogradi. Partneret e këtyre të fundit në Tiranë janë dhe do të jenë ajo pjesë e politikës pa ndjenja kombëtare, por vetëm me etje të shfrenuara karrieriste. Analiza e ngjarjeve të fundit të luftës politike në Shqipëri, tregon se në thelbin e saj kemi të bëjmë me një aleancë të re të «shqiptarëve të ndershëm» nga Kosova me karrieristët politikë nga Shqipëria. Të dy palët i bashkon «Odiseu» i Greqisë së lashtë. Në fillim jeta pastaj atdheu. Atdheu duhet vetëm për dy metra varr! Ky është diabolizmi real politik me të cilin po ndeshet dhe do të ndeshet akoma më shumë Kosova dhe statusi i saj. Këtë duket se e ka kuptuar më mirë Serbia dhe diplomacia e saj.(Përpiquni të gjeni se ku ekziston ndonjë deklaratë zyrtare e partive të majta shqiptare për shpërthimin në ambasadën shqiptare në Beograd, por nuk kini për ta gjetur kurrë sepse nuk ka as nga PS, as nga LSI dhe as nga PSD). Ka vetëm një deklaratë qeverie. Ndërsa përballë tyre është ajo pjesë e shoqërisë shqiptare e cila është në gjendje që të japë me shumicë argumente shteti para diplomacisë dhe politikës ndërkombëtare. Argumente shteti për Tiranën politike në fillim, që nesër të shërbejnë si bazë e argumenteve të shtetit edhe për Kosovën politike. (Megjithëse disa shqiptarë të vetëquajtur bashkëkohorë po rinxjerrin nga varri Vladan Gjorgjeviçin për të argumentuar se shqiptarët nuk dinë të bëjnë shtet). Debati politik në Tiranë sapo ka filluar. Ai mund të fshihet në dhjetëra dhe qindra mbulesa. Mund të ketë fuqi të madhe, të mesme apo të pakët mediatike. Por në fund të fundit, shumë shpejt edhe «Haxhiqamilët» shqiptarë që mendojnë se nuk mund të ketë shtet të Kosovës pa Serbinë, ashtu edhe shqiptarët që mendojnë se aftësia shtetformuese nuk qëndron te realiteti i ndërtuar nga të tjerët, por tek idetë e realitetit të nesërm të ndërtuar nga shqiptarët, do të ndeshen fare hapur në Tiranë. Pavarësisht nga emrat e partive politike në emër të të cilave do të dalin, pavarësisht se do jenë nga Prishtina apo Tirana, nga Kamenica apo Gramshi, nga Saranda apo Zubin Potoku, pavarësisht se kush ka më shumë media përkrah apo përballë, pavarësisht se kush do financohet më shumë nga lloj-lloj burimesh me emra lufte apo ujqish (Voin apo Vuk), shumë shpejt debati midis tyre do jetë i hapur, por dhe i egër e i pamëshirshëm. Tirana do jetë kryeqendra e përcaktimit të statusit real të Kosovës! (Statusi sa një shtet, apo statusi sa një province - kjo do jetë kryefjala e debatit). Në këtë debat, Serbia nuk do të marrë pjesë direkt, por do të përfaqësohet me anë të «shqiptarëve të ndershëm» nga Kosova dhe «karrieristëve» politikë nga Shqipëria. Ndërsa bashkësia ndërkombëtare do të ndjekë debatin me shumë vëmendje për të gjykuar mbi atë që do vendosë formalisht dhe juridikisht në OKB. (Kosova akoma nuk është bërë atdhe, dhe disa serbofilë duan t’i bëjnë qejfin duke i thënë se do bëhesh Eurodhe) !!
<< Home