“Simboli Rugova” nuk mund të zëvendësohet
“Simboli Rugova” nuk mund të zëvendësohet
Koço Danaj
Megjithëse ishte një ngjarje e pritshme për shkak të sëmundjes, lajmi i vdekjes së Ibrahim Rugovës ishte më shumë se një lajm morti. Zyrtarisht ka vdekur Presidenti i Kosovës dhe kryetari i LDK. Ndërsa realisht, Kosovës dhe gjithë shqiptareve u ka ikur edhe një simbol, edhe një mit. Sepse, Rugova ishte shumë më tepër se një kryetar partie apo shteti në formim. Ai ishte një guru, një ideolog shpirtëror i shqiptareve. Brenda vijës së tij ai kërkoi pa pushim shtetësinë dhe dinjitetin e vendit që i përkiste. Rugova zgjodhi rrugën e tij të pavarësimit, por ai nuk lëvizi kurrë nga rruga e tij. Edhe brenda anatemës, ai vetë nuk anatemoi, por mbeti një udhëheqës shpirtëror. Të tjerë menduan ndryshe nga ai. Por, të gjithë bashkë kanë ardhur në prag të shtetit të Kosovës, të cilin Rugova nuk do ta shijojë, për shkak të vdekjes. Po si do të venë bisedimet për statusin e Kosovës? Natyrisht, pesha e argumenteve të shtetit të Kosovës tashmë do bashkohet edhe me peshën e dhimbjes për ikjen e simbolit të Kosovës. Dhe natyrshëm, pesha bëhet më e madhe. Por, gjithsesi është një peshë e përballueshme, sepse është pesha e së ardhmes, është pesha e lirisë. E ardhmja dhe amaneti të japin më shumë forcë sesa dëshpërim dhe fatalizëm. Po kush do ta zëvendësojë Rugovën? Eshtë herët për ta bërë këtë pyetje, siç është herët për të dhënë përgjigje të plotë dhe tërësore. Megjithatë, një gjë mund të thuhet qysh tani për t’i dhënë përgjigje pyetjes. Nuk është thjesht një përgjigje, por edhe një lloj i veçantë homazhi: Kryetari i LDK apo Presidenti i Kosovës do të zëvendësohet. Koha nuk ka rëndësi, edhe emrat kanë pak rëndësi. Por, simboli Ibrahim Rugova nuk mund të zëvendësohet dot nga askush. Ky nuk është fatalizëm, por realizëm. Popuj të ndryshëm kanë shumë kryetarë partish apo qeveritarë, por simbole kanë fare pak. Fati e solli që Rugova të ishte më shumë se qeveritar. Dhe ai e pranoi fatin siç i erdhi. Por, çfarë do të ndodhë pas Rugovës? Eshtë përsëri një pyetje, qe pavarësisht dëshirës së shqiptarëve, e kanë bërë të tjerët. Bile, disa syresh kanë parashikuar se pas Rugovës në Kosovë do të instalohet demokracia e armatosur. Eshtë një parashikim keqdashës ndaj vetë Rugovës dhe ëndrrës së tij, Kosovës së pavarur. Eshtë një temë që nesër do të zhvillohet më gjerësisht. Ndërsa sot mund të themi, se Kosova ka provuar demokracinë e Bashkim-Vëllazërimit, ka provuar demokracinë e bajonetave dhe gjenocidit serb. Kosova e di se çfarë do të thotë paqe apo demokraci bajonetash. Prandaj ajo është e vendosur të ndërtojë demokracinë e qytetarëve të saj, pavarësisht nga përkatësia etnike.
<< Home