Tribalizmi që kërcënon demokracinë
Tribalizmi që kërcënon demokracinë
Andrea Stefani
Nyja e Zogut të Zi ka mbetur ende e paprekur, por nuk është aspak e vështirë tashmë, të prekësh gërmadhat që ka shkaktuar beteja politike për të. Dhe nuk është fjala për gërmadha betoni apo çimentoje. Eshtë fjala për rrënoja marrëdhëniesh nën peshën e të cilave vdes mirëkuptimi, toleranca. Pra flasim për ato rrënoja, mbi të cilat vërdalloset shkaktari i tyre, cunami i urrejtjes, i luftës së klasave, për shembjet nga ku tribalizmi dhe shërbimi prej skllavi ndaj partisë zgjat thonjtë që të mbysë institucionalizmin dhe çdo pavarësi. Ulërasim për rishfaqjen e atyre gërmadhave institucionale dhe asaj kolere epshesh, ambiciesh dhe nënshtrimesh, të atij tribalizmi politik, që për gati gjysmë shekulli vrau në Shqipëri jo shtetin, por lirinë.Eshtë lehtësisht e kuptueshme se nyja e Zogut të Zi nuk është një projekt i përsosur. Qoftë edhe për faktin e thjeshtë se në këtë botë nuk ka asgjë të përsosur. Madje, sikur ndokund dhe ndonjëherë, të zbulohej ndonjë gjë e përsosur, e meta e saj më e madhe do të ishte fakti i të qenit pa të meta. Akoma më e vështirë është të gjendet ndonjë vepër arkitektonike e përsosur (edhe mes atyre që radhiten ndër mrekullitë e kësaj bote), sepse është bërë nga njerëzit që janë qenie të papërsosura. Në këtë kuptim, as që diskutohet se projektit të Zogut të Zi mund t’i qëmtosh shumë gjëra të cilat, mund të bëheshin ndryshe pra, më mirë. Por anormale nuk është kritika kundër projektit. Anormaliteti ka të bëjë me kohën kur zhvillohet kjo kritikë dhe me shkallën e saj.Dhe është analiza e dinamikës së kësaj kritike që të bën të kuptosh se në genet e saj nuk fshihet ekzigjenca teknike, se forcë e saj lëvizëse nuk është pasioni i pastër shkencor, idealizmi teknik dhe e mira publike, por shërbimi ndaj partisë. Kupton me dhimbje se, kjo kritikë e zgjuar befas është shprehje e asaj që pak ditë më parë, në një intervistë, gjeniu i letrave shqipe Ismail Kadare, e cilësoi mendësi tribale, mendësi antiliri e cila, për fat të keq, vazhdon të mbizotërojë në shtetin, politikën dhe shoqërinë shqiptare.Një kritikë mund të jetë e drejtë, por ajo duhet bërë në kohën e duhur që të jetë e dobishme. Ka mjaft sfera të jetës që e shfaqin më qartë rëndësinë që ka bërja në kohë e kritikës. Si për shembull mjekësia, ku korrigjimi i një diagnoze të gabuar ka vlerë për aq kohë sa pacienti është gjallë. Nëse pacienti vdes, atëherë kritika ndaj mjekimit shërben vetëm për ndëshkimin e doktorit. Pacienti nuk ngjallet më. Ajo që të bën përshtypje me projektin e Zogut të Zi është kjo dinamikë e çuditshme e kritikës. Një heshtje thuajse totale, në kohën kur ky projekt miratohet dhe nis të zbatohet publikisht në dritë të diellit, dhe mbi një vit më pas, shpërthimi i një cikloni kritike, kur në vepër janë investuar mbi 1 milion dollarë. Përse sillet kaq çuditshëm kritika tekniko-shkencore në Shqipëri? Përgjigja lidhet me thundrën e hekurt të politikës, gjë që dëshmon njëherazi se kritika tekniko-shkencore vazhdon të mbetet e sunduar nga vullneti politik si në komunizëm. Se çfarë i ka penguar teknikët e inxhinierët, që sot kritikojnë, të flisnin mbi 1 vit më parë dhe po kaq fort sa sot për të shmangur një gabim? Asgjë përveç faktit që, në atë kohë, ishte në pushtet PS dhe se nuk ekzistonte asnjë vullnet politik për të kritikuar projektin e Zogut të Zi. Por, me ardhjen në pushtet të PD, ky vullnet ndryshoi. Tashmë ky projekt mund të kritikohet, sepse për politikanët e PD nuk është një projekt publik, por një projekt politik i pushtetit të PS që është në fuqi në Tiranë, është një “vepër socialiste”. Të inkurajuar nga ky vullnet politik i “ri”, teknikë dhe inxhinierë (të shtytur nga një larmi ndjenjash, besnikëri për pushtetin e ri, dëshirë për ta pasur mirë me të dhe pse jo, edhe për urrejtje ndaj socialistëve ose disa, edhe sepse tani e gjejnë më të parrezikshme politikisht, të thonë publikisht atë që ishte shumë e rrezikshme ca muaj më parë) mobilizohen që jo vetëm të kritikojnë apo sjellin korrigjimet e mundshme në projekt, por madje ta shkallmojnë fare atë. Me një epsh dhe zjarr të ngjashëm me atë që komunistët donin të shkallmonin dikur botën e vjetër. Këtyre i bashkohet edhe një radhë e tërë juristësh, të cilët përpiqen të argumentojnë se Bashkia e Tiranës nuk i ka dhënë leje vetes për këtë projekt të Bashkisë së Tiranës. Me një lupë që s’fal as qimen, lupë e një partishmërie jo vetëm komuniste, por gati katile, ata qëmtojnë edhe disa mangësi banale në dokumentacion, për të “argumentuar” domosdoshmërinë e shkatërrimit të objektit. Eshtë shfaqja e të njëjtave pasione, dinakërive, intrigave, besnikërive, mllefeve, urrejtjeve, nënshtrimeve, servilizmave, që në regjimin komunist viheshin kallashnikovisht në lëvizje sapo Enveri dhe Partia jepnin shenjën për ndëshkimin e një grupi armiqësor. Të njëjtët specialistë që kishin duartrokitur idenë apo veprën e një ministri apo ish-anëtari të byrosë politike, befas shndërrohen në inkuizitorë të imtë të po kësaj vepre, duke gjetur në të një bollëk të metash dhe rreziqesh për “popullin” dhe partinë. Dhe jo në të gjitha rastet është triumfi i fanatizmit politik integriteti profesional, i urdhrit të partisë mbi urdhrin e profesionit. Në shumicën e rasteve, heshtja nga njëra anë, apo zelli i tepruar në anën tjetër janë pasojë e frikës, frikës nga politika, nga pushteti që ajo vazhdon të ketë në jetën e qytetarëve. Në Shqipëri politika vazhdon të sundojë jetët e qytetarëve dhe jo t’u shërbejë atyre, politika vazhdon të jetë zot i qytetarëve dhe jo qytetarët zotër të politikës. Pa një përmbysje në këto raporte, jo vetëm që nuk mund të ketë ndryshim, por as edhe demokraci. Ajo që po ndodh me projektin e Zogut të Zi tregon se tribalizmi komunist i ka rrënjët shumë të thella në politikën dhe shoqërinë shqiptare. Se ende ka një masë të madhe njerëzish që në veprimet e tyre nxiten dhe marrin forcë jo nga vetvetja, nga devocioni për lirinë e tyre, por nga partia dhe lideri. Dhe nuk është thjesht lideri fajtor për këtë dhe as nuk mund t’i çlirojë nga një skllavëri e tillë e “lirë” e “vullnetshme” emancipimi i liderit. Janë ata vetë që nuk arrijnë të çlirojnë veten, sepse ndihen më të sigurt nën pranga, nën komandë, nën direktivë. Janë ata vetë që nuk arrijnë të realizojnë thelbin e tyre si njerëz, që është të qenit i lirë. Janë vetë ata që nuk janë të lirë sepse nuk kanë një vullnet të tyrin, por një vullnet të partisë që i vë në lëvizje, ashtu sikundër telat venë në lëvizje gjymtyrët e kukullave të një teatri fëmijësh. Si në çdo tribu, këta individë nuk rrotullohen rreth vetes, por rreth kryetarit të fisit apo partisë. Ky tribalizëm është bërë një sfidë e rrezikshme për pavarësinë e institucioneve. Në vend që të moderojë epshet dhe mendjeshkrepjet e politikanëve, tribalizmi i ushqen duke u vënë në shërbim të tyre. Tashmë është fakt i hidhur që zelli tribal ka shërbyer si burim “argumentesh”, për të injoruar ekspertiza të institucioneve kushtetuese të këtij shteti sikundër janë Avokati i popullit apo Kontrolli i Lartë i Shtetit. Në rastin e Zogut të zi, zelli tribal e ka shpërfytyruar kritikën duke e çuar në ekstrem, deri në shkatërrim, krejt në kundërshtim me atë që kanë sugjeruar këto institucione të pavarura. Dhe ky injorim është një tjetër gërmadhë e frikshme për demokracinë. Sepse shpërfillja, injorimi i institucioneve, mund të jetë simptoma e parë e çdo lloj sundimi absolutist, por jo e një qeverisjeje demokratike. Por, të gjithë shqiptarët, si ata që e votuan, si ata që nuk e votuan, presin nga PD këtë të fundit.
<< Home