Turma “stërvitet” në bulevard!
Turma “stërvitet” në bulevard!
Koço Danaj
Eshtë ndërhyrë me dhjetëra herë në Kodin Zgjedhor nga ana e politikës. Janë ndryshuar dhe përgatiten të ndryshohen përsëri nene të ndryshme deri në kalimin nga votimi maxhoritar në votimin proporcional etj. Por si asnjëherë, ashtu edhe këtë herë askush nuk po kap thelbin e reformës zgjedhore. Dhe thelbi i reformës zgjedhore në Shqipëri është «Turma dhe njeriu i turmës». Çdo parti politike në Shqipëri për të ardhur në pushtet thërret në ndihmë turmën dhe njeriun e turmës. Por çdo qeveri sa vjen në pushtet përpiqet ta mbajë larg atë. (Ju kujtohen predikimet e socialistëve kur erdhën në pushtet në vitin ‘97, kur për të mbajtur larg turmën që i solli në pushtet shpikën meritokracinë. Demokratët nuk kanë shpikur gjë deri më tani, por mbi qeverinë e tyre rëndon «mali» i premtimeve që iu bënë edhe turmës gjatë fushatës elektorale) E megjithatë, çdo parti politike harron një gjë të madhe: Turma është stërvitur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në bulevardet e tjera të Shqipërisë. Ashtu siç filloi stërvitjen te Zogu i Zi para disa ditësh. (Shkoni, shikoni dhe zbavituni me ansamblin Tropoja,- u shpreh me cinizëm një drejtues i lartë socialist në fundvitin ’97, kur i thanë se në sheshin “Skënderbej” janë grumbulluar disa qindra vetë dhe po protestonin) Por, njeriu që erdhi në pushtet nëpërmjet turmës e nënvleftësoi rolin e saj. Prandaj më vonë, turma e largoi nga pushteti. Ishte një hyrje pak e gjatë, por e domosdoshme në këtë prag reforme zgjedhore. Zgjedhjet asnjëherë në Shqipëri nuk janë deformuar nga Kodet, me gjithë mangësitë e tyre. Sepse zgjedhjet në Shqipëri realisht nuk janë deformuar, por janë dhunuar. Mangësitë e Kodit Zgjedhor vetëm deformojnë. Ndërsa «mentaliteti i turmës» që thirret në mbështetje të kësaj apo asaj partie dhunon dhe poshtëron zgjedhjet. Dhe këtij mentaliteti i kanë dhënë të drejtë legjitime vetë partitë politike. (Mentaliteti i qytetarit e për më tepër mentaliteti i anëtarit të çdo partie politike nuk do pranonte të tjetërsonte votën në 3 korrik 2005, ta transferonte atë masivisht si një «kope bagëtish» nga një parti në tjetrën. Këtë e bën vetëm mentaliteti i turmës, i cili nuk është gjë tjetër veçse ndërgjegjja e pabërë e një shoqërie)Dhe në kushtet kur kërkohet reformim dhe modernizim i sistemit të zgjedhjeve, puna e parë dhe e fundit është reformimi i turmës dhe shndërrimi i saj në opinion publik dhe në qytetar. Eshtë sipërmarrja më e vështirë para politikës shqiptare. Por edhe më e domosdoshmja.«Mentaliteti i turmës» tashmë është i sofistikuar. Ja disa tregues domethënës. E para: «Turma» po nxjerr përfaqësuesit e saj të cilët hyjnë në pazare me parti politike, kandidatë për deputetë apo përfaqësues të tyre. Dhe këto janë pazare financiare. Sekserët e turmave kanë hapur bursën e votave. Dhe vlera e një vote, siç e treguan edhe zgjedhjet e 3 korrikut, ndryshonte në varësi të vendit dhe të njeriut. E dyta: Turma po bëhet më e djallëzuar. Ajo nuk mjaftohet më me blerje votash. Por edhe me riblerje apo rishitje në bazë të parave të ofruara. Pra, lindi mekanizmi i shitblerjes së votave. (A nuk ju kujtohet se si janë zhgënjyer dhjetëra kandidatë për deputetë që shpresonin se kishin blerë kaq apo aq qindra vota. Dhe më vonë morën vesh se këto vota kishin shkuar tjetërkund sepse ishin riblerë apo rishitur?) E treta: Turma po ndër-gjegjësohet në mënyrë instiktive. Ajo bën sikur i ha ato që i thonë politikanë të ndryshëm. Por vetëm kaq. Sepse në fakt mezi pret rastin të hakmerret ndaj atyre që kryejnë ritualin e mashtrimit. (A nuk ju kujtohet se si dështuan me dhjetëra kandidatë për deputetë që shpreheshin se e kishin të sigurt fitoren? Ata nuk i ndëshkoi qytetari, por turma. Dhe inati i turmës është shumë i madh. Ndërgjegjja e saj ka arritur të kapë poshtërimin që i behet, prandaj i mori leket, por nuk i dha votat. Eshtë hakmarrja e saj. Disa politikanë tallen me turmën për katër vjet, ajo hakmerret me ata një herë në katër vjet. (A nuk u ndodhi kështu edhe të majtëve, të cilët me pashpirtësinë e tyre tetëvjeçare e egërsuan turmën)E katërta: Turma nuk banon në periferi të Tiranës apo qyteteve të tjera të Shqipërisë. Ajo banon edhe në qendër të Tiranës, edhe te Blloku. Ajo është «turma e partisë politike» dhe është kudo. Sa herë partia politike nuk ka ide apo alternativa, ajo thërret në ndihmë turmën. Dhe fusha e stërvitjes është bulevardi. Me përjashtim të herës së fundit që ishte Zogu i Zi.Po turma është pjesë e shoqërisë, mund të thotë dikush? Kjo është e vërtetë. Të gjithë janë pjesë e shoqërisë, edhe turma, edhe qytetari, edhe opinioni publik. Problemi shtrohet se kush është «primati i shoqërisë». Dhe primati është qytetari. Ndërsa turma në një shoqëri moderne zvogëlohet gjithmonë e më shumë. Që të zvogëlosh turmën duhet të shtosh idetë dhe alternativat e së ardhmes. Sa kohë që në Shqipëri turma është e stërmadhe, aq kohë partitë politike më shumë janë udhëheqëse të turmave sesa projektuese të progresit të Shqipërisë. Ndërsa reforma zgjedhore që predikohet kaq shumë, nuk ka asnjë fjale për shndërrimin e turmës në qytetarë. Përkundrazi, ka një harresë ndaj saj, kur ajo është vetë reforma zgjedhore. Mediokriteti politik harron një detaj të rëndësishëm: Turma në Shqipëri ka mbi 60 vjet që «stërvitet» në bulevard. Dhe tre shtyllat e shtetit, Presidenca, Kryeministria dhe Kuvendi janë anash bulevardit.
<< Home