Duke gjykuar nga numri i anëtarëve dhe për-krahësve, LSI-ja është partia e dytë më e madhe ndër partitë që janë themeluar pas lejimit të pluralizmit politik në Shqipëri. Por, ndryshe nga partia që mban vend të parë në këtë klasifikim, e cila lindi si rezultat i një lëvizje mbarëpopullore, LSI-ja u ngjiz nga lart poshtë prej një grupi politikanësh, që kishte si strumbullar, Ilir Metën. Praktikisht, LSI-ja doli në jetë vetëm sepse ekzistonte Meta, ndryshe nga PD-ja, e cila do të kishte lindur edhe po të mos ekzistonte Berisha. Në fakt, në qoftë se Majko do të kishte fituar vetëm 40 vota më shumë në garën për kryetar të PS-së në vitin 1999, nuk do të ekzistonte sot fare një LSI. Dhe gjasat do të ishin që vetë Meta të ishte vënë eventualisht në krye të socialistëve. Si parti që nuk lindi nga një lëvizje popullore, ishte e natyrshme që LSI-ja të mos bëhej dot forca e parë politike në zgjedhjet e 3 korrikut, por thjesht një forcë e tretë pas PD-së e PS-së. (Kjo renditje nuk merr për bazë rezultatet zyrtare të zgjedhjeve, të cilat u deformuan keqazi nga mega-Dushku). Dhe kuptohet që për Ilir Metën, i cili arriti të bëhej njeriu më i fuqishëm i Shqipërisë pa mbushur 30 vjeç, nuk është e lehtë ta shohë veten tani në pozicionin e violinës së tretë. Por së afërmi atij do t’i duhet të marrë një vendim, që do të përcaktojë nëse do ndryshohet apo jo ky pozicion. Vendimi që duhet të marrë Ilir Meta ka të bëjë me një aleancë të mundshme të LSI-së me PS-në për zgjedhjet e ardhshme lokale. Një vendim i vështirë ky, i cili kërkon peshim të kujdesshëm të së djeshmes, së sotmes, së nesërmes dhe së pasnesërmes. Fakti që në krye të PS-së nuk është më Fatos Nano, por një kundërshtar i vendosur i ish-kryesocialistit, i heq partisë së krijuar prej Ilir Metës gurin e parë të themelit. Ishte pikërisht arroganca e Nanos, që detyroi Metën dhe pasuesit e vet të shkëputeshin nga PS-ja e të themelonin LSI-në. Dhe ishte pikërisht ajo arrogancë që bëri jo pak votues të majtë e të lëkundur të votonin në 3 korrik për kandidatë të LSI-së, duke rrëzuar kështu qeverinë “Nano” e duke sjellë në fuqi qeverinë “Berisha”. Ndërsa tani, që në krye të PS-së është Edi Rama, njeriu që ka etiketuar publikisht Nanon si shkaktar të ndarjes së saj (e si rrjedhim, të humbjes së pushtetit nga e majta), disa simpatizantë të LSI-së mund të mos shohin më arsye pse ta përkrahin partinë e Metës. Dhe ndoshta jo vetëm për këtë arsye, disa nga simpatizantët e LSI-së mund t’ia japin me gjithë zemër votat e tyre partisë së udhëhequr nga Rama. Se sa do të jetë rrjedhja e votave nga LSI-ja tek PS-ja është pyetje një milion dollarëshe për Ilir Metën. Sepse në planin pragmatik, siç shkruante para ca kohësh B. Fevziu, Metës i intereson që partia e tij të fuqizohet në kurriz të PS-së dhe zgjatjes së krizës së saj. Në kontekstin e logjikës së Fevziut, Metës i leverdis më shumë humbja e PS-së në zgjedhjet lokale, thellimi i krizës së saj dhe stimulimi i përplasjeve Rama-Nano. Kjo, me synim zgjerimin e anëtarësisë së LSI-së me socialistë të zhgënjyer e të lodhur nga luftërat e brendshme. Por, të gjitha këto llogari pragmatiste kanë një “sikur” nga prapa. Dhe sikuri në këtë rast është që, në zgjedhjet lokale, të votojnë për LSI-në pak a shumë aq sa votuan për të në 3 korrik… Në rast të një tkurrje të elektoratit të partisë së tij në zgjedhjet lokale, Ilir Meta përsëri do ta ketë një lëvizje politike rezervë në xhep; aleancën me PD-në për zgjedhjen e një presidenti të propozuar nga LSI-ja, i cili, për shkak të moshës, nuk mund të jetë vetë ai. Por, kjo lëvizje do të ishte e mbarsur me goxha rreziqe për të ardhmen politike të Metës. Sepse sado të zhvendoset drejt qendrës, pesha e tij në skenën politike shqiptare do të varet gjithnjë nga kuotat në elektoratin e majtë. Dhe ky elektorat është shumë sensitiv ndaj çdo afrimi me “gogolin” Berisha. Alternativa tjetër në dorë të Ilir Metës është bërja e një aleance parazgjedhore me socialistët për zgjedhjet lokale. Në themel të kësaj aleance ai mund të kërkojë të vërë paktin sipas të cilit, në qytete ku LSI-ja ka më shumë influencë, të garojnë vetëm kandidatët e saj, dhe në të tjerat, të përkrahen kandidatët socialistë. Kuptohet që edhe kjo alternativë, si e para, e ka një “sikur” nga prapa. Dhe sikuri këtu është që të ndodhë që PD-ja të mos jetë në gjendje të përmirësojë deri dimrin e ardhshëm situatën energjetike, furnizimin me ujë, papunësinë, varfërinë, e të tjera probleme që prekin drejtpërdrejt votuesit e thjeshtë. A do të dështojë vallë PD-ja në qeverisjen e saj gjatë këtij viti? Për të mirën e shqiptarëve të thjeshtë, dhëntë zoti që kjo të mos ndodhë. Por në qoftë se ndodh, e majta e bashkuar i ka të gjitha shanset t’i fitojë zgjedhjet lokale. Dhe në qoftë se e majta i fiton ato, ekziston probabiliteti që Ilir Meta të bëhet zv.kryeministër në fund të vitit 2007. Jo tamam ajo që ai ka në mendje, por një hap goxha i madh drejt karriges në të cilën ka pas qenë ulur dikur, e në të cilën dëshiron të ulet përsëri një ditë. |
<< Home