e hënë, mars 13

Letra e diktatorit: Në venat e mia ka helm

Autopsia: Millosheviçi vdiq nga infarkti


Patologët përfunduan autopsinë e trupit të Sllobodan Millosheviçit. Mbështetësit e tij serbë kanë deklaruar se ai ishte helmuar dhe një deklaratë nga kryeprokurorja e Hagës nuk e hedh poshtë mundësinë se ai mund të jetë vetëvrarë.
Por pas përfundimit të autopsisë së trupit të ish-diktatorit, mjekët dolën në përfundimin se ai kishte pësuar infarkt. Ky ishte shkaku i vdekjes së tij, edhe pse analizat e mëparshme të Millosheviçit në janar, flisnin për gjurmë të një ilaçi që përdorej për të kuruar lebrosën dhe tuberkulozin. Serbia ka dërguar vetë një mjek patolog për të vëzhguar autopsinë në “Netherlands Forensic Institute”, i cili kontrollohet nga Gjykata e Ministrisë holandeze të Drejtësisë. Jashtë gjykatës, avokati i Millosheviçit u tregoi reporterëve një letër gjashtëfaqëshe, të cilën, sipas tij, e kishte shkruar ish-lideri serb të premten, një ditë para vdekjes, ku deklaronte se ndjente një ”sasi të madhe helmi” brenda venave të tij dhe se kishte frikë se ishte helmuar. Letra supozonte se një ilaç i përdorur për të trajtuar lebrosën apo tuberkulozin ishte gjetur në gjakun e tij gjatë ekzaminimit mjekësor të 12 janarit, tha Zdenko Tomanoviç. “Atyre do t’u pëlqente të më helmonin”, kishte thënë Millosheviç. Tomanoviç kishte rezerva edhe për faktin se gjykata e refuzoi kërkesën e familjes së tij që autopsia të kryhej jashtë Holandës. Vëllai më i madh i Millosheviçit, Borislav, tha se familja nuk besonte se gjykata do të kryente një proces të drejtë autopsie. Ai njëkohësisht fajësoi gjykatën për vdekjen e të vëllait sepse ajo kishte refuzuar kërkesën e tij për t’u kuruar në Rusi, edhe pse u dhanë garancitë se ai do të kthehej për të përfunduar gjyqin. Letra datonte më 10 mars dhe i drejtohej ambasadës ruse. Vetëm një shënim ishte në anglisht dhe thoshte që letra duhej t’i dorëzohej ministrit të Jashtëm rus. Tomanoviç tha se hera e fundit që kishte parë ish-liderin serb ishe dita e premte në orën 4:30 pasdite. Trupi i pajetë i tij u gjet të shtunën në mëngjes. Gjykata më parë kishte thënë se nuk kishte gjurmë vetëvrasje, apo shkaqe jonatyrale vdekjeje. Karla Del Ponte është shprehur më parë se ekzistonte një mundësi që Millosheviçi mund të ishte vetëvrarë, pasi në fund të pranverës atij do t’i jepej gjykimi përfundmtar që mund të ishte burgim i përjetshëm, por kurrësesi nuk pranon variantin se ai mund të jetë helmuar në burg. Askush nuk do ta bënte këtë.

Letra e Millosheviçit
Millosheviçi kishte shkruar një letër për ministrin e Jashtëm rus një ditë përpara se të vdiste. Letra supozonte se një ilaç i përdorur për të trajtuar lebrosën apo tuberkulozin ishte gjetur në gjakun e tij gjatë ekzaminimit mjekësor të 12 janarit, tha Zdenko Tomanoviç. “Atyre do t’u pëlqente të më helmonin”, kishte thënë Millosheviç. Ish-diktatori ishte seriozisht i shqetësuar se dikush mund ta helmonte brenda burgut.

Bill Klinton “Më vjen keq që nuk u bë e mundur që gjyqi i Sllobodan Millosheviçit të shkonte deri në fund të gjykimit dhe se ai njeri nuk mundi dhe nuk diti që të pranonte e të kërkonte të falur për të gjithë njerëzit që ka shkelur dhe për të gjitha krimet që ka kryer, dhe këtë duhet ta bënte përpara vdekjes së tij. Ishte vendimi im që SHBA të ndërhynte në atë kohë për të bombarduar Serbinë, bëhet fjalë në vitin 1999 për t’i dhënë fund shkeljes së të drejtave të njerëzve dhe padrejtësive të tjera që po kryente në ato kohëra në Ballkan dhe kjo ndërhyrje bëri të mundur rënien e tij nga pushteti. Megjithatë, arrestimi dhe gjyqi i tij do të shërbejnë për të kujtuar gjithmonë se krimet skandaloze kundër njerëzimit nuk mund të tolerohen”.
Zdenko Tomanoviç“Kam rezerva për faktin se gjykata e refuzoi kërkesën e familjes së tij që autopsia të kryhej jashtë Holandës. Ata dyshonin se këtu mund të kryhej një autopsi e saktë dhe se ishte Gjykata e Hagës që stimuloi vdekjen e Millosheviçit, kanë lirinë e tyre për ta menduar këtë. Por unë, si avokat i tij kam rezerva në radhë të parë për shkak të letrës gjashtëfaqëshe që ai ka kërkuar t’i dorëzohej ministrit të Jashtëm rus, një ditë para vdekjes. Letra flet për bindjen serioze të Millosheviçit se ai ishte helmuar dhe kjo ishte konfirmuar në analizat e fundit të tij, më 12 janar. Hera e fundit që kam parë Millosheviçin ishte dita e premte në orën 4:30 pasdite. Më kanë mbetur në mendje fjalët e tij “Atyre do t’u pëlqente të më helmonin”.
Karel De Gucht “Vdekja e Millosheviçit është një ngjarje e trishtuar, pasi ajo do të përfundojë gjykimin kundër tij për 66 akuzat për genocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Ish-Jugosllavi dhe si pasojë e kësaj viktimat e lënduara gjatë luftërave të shkaktuara prej tij nuk do të jenë të kompensuara. I kërkoj komunitetit ndërkombëtar dhe qeverive të të gjithë botës që të vazhdojnë të mbështesin Gjykatën ndërkombëtare për Krimet e Luftës të kryera në ish-Jugosllavi dhe ta nxisin atë që të vazhdojë më tej përpjekjet e saj për të arrestuar dhe nxjerrë para drejtësisë kriminelët e tjerë të luftës. Ata që kanë lidhje me krimet e kryera kundër njerëzimit dhe viktimat e tyre duhet të marrin shpërblimin e vet shpirtëror”.
Gazeta “Express”Kosovarët kanë shprehur gjithmonë gjithë urrejtjen e tyre për liderin serb, i cili shkaktoi mijëra viktima mes tyre. Edhe media kosovare nuk mund të mbetej pa reaguar pas vdekjes së Millosheviçit pa marrë ende gjykimin përfundimtar të Hagës. Vdekja e tij është një lehtësim për të gjithë viktimat e tij në Ballkan, por njëkohësisht edhe një peng që nuk morën atë kënaqësi shpirtërore në vendimin që do të caktonte për të Gjykata e Drejtësisë. Megjithatë shqiptarët e Kosovës e kanë dhënë vendimin tyre. “N’ferr”, ky është vendimi i marrë ditën e vdekjes së armikut më të madh të Kosovës. Urimi i kosovarëve vjen nga thellësia e shpirtit për mijëra të afërm që u masakruan me urdhër të tij