e premte, qershor 16

Duhen respektuar të Drejtat e Njeriut - Interviste me Kryeministrin e Shqiperise z. SALI BERISHA




- Zoti Berisha, është hera e parë që vizitoni Kosovën. Si ndiheni dhe cilat janë emocionet tuaja?
Është e vërtetë që unë fizikisht vij sot për vizitë të parë zyrtare në Kosovë, por të jeni të bindur se me mendje kam ardhur me qindra e mijëra herë, kam lexuar kaq shumë, sa më duket se kam qenë shumë herë në këtë vend.
- Zoti Berisha, cilat janë detyrat dhe përpjekjet e qeverisë shqiptare në çështjen e statusit të Kosovës?
Unë sapo i pohova kryeministrit Çeku se detyrën tonë në këtë drejtim na e ka lehtësuar shumë udhëheqja politike e Kosovës me qëndrimet e saj të përgjegjshme, me përkushtimin e saj, kështu që ne e kemi patur të thjeshtë detyrën. Ne e kemi mbështetur dhe e mbështesim pavarësinë e Kosovës, sikundër qëndrojmë fuqishëm për respektimin e lirive dhe të drejtave të serbëve, dhe të pakicave të tjera në Kosovë, si një kusht për paqe dhe stabilitet në Kosovë.
Unë e përgëzoj zotin Çeku për përpjekjet serioze që janë bërë për kthimin e të zhvendosurve, Grupin Negociator për platformën e hartuar, e cila mishëron plotësisht parimet e Kartës Europiane të Autonomisë Lokale dhe Rajonale. Natyrisht, do t'u bëja thirrje edhe qytetarëve të Kosovës të marrin pjesë në këtë proces, sepse edhe çdo qytetar i saj ka në dorë të vendosë një gur të ri në drejtim të pavarësisë së Kosovës, duke përshtatur një qëndrim të ri ndaj pakicave dhe minoriteteve në tërësi.
- Zoti Çeku, me ardhjen tuaj në detyrën e kryeministrit të Kosovës u angazhuat për afrimin e serbëve në institucionet kosovare. Si ka ecur ky proces?
Qeveria dhe të gjitha institucionet e Kosovës kanë bërë përpjekje të shumta për integrimin e minoriteteve. Ky është një nga prioritetet e të gjitha institucioneve dhe qeverisë së Kosovës. Ne kemi bërë përparime përsa i përket këtij problemi. Ende konstatojmë një mungesë vullneti të komunitetit serb apo të deputetëve të opozitës, për ta njohur realitetin dhe për t'u angazhuar në institucionet e vendit. Mungesa e realizmit është shumë e theksuar në lidershipin serb dhe ata duhet të mësojnë nga historia se askush në botë nuk e ka paguar më shumë mungesën e realizmit sesa populli serb. Procesi do të finalizohet në mënyrë të suksesshme dhe komuniteti serb do ta shohë Kosovën si vend të tyre, ku respektohen të gjitha të drejtat e tyre. Edhe pse vihet re një vullnet i tyre i munguar, ne nuk do t'i ndalim përpjekjet tona. Do të vazhdojmë të dëshmojmë se vërtet përpjekjet tona janë të sinqerta, bujare dhe u ofrojnë një jetë më të mirë qytetarëve serbë të Kosovës, si dhe të gjithë qytetarëve të tjerë të saj.