Nënshkruhet në Luksemburg Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit midis Shqipërisë dhe BE
Berisha firmos për Shqipërinë europiane
Kryeministri Berisha nënshkroi dje në Luksemburg Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian. Kështu, 15 vjet pas shembjes së regjimit totalitar, Shqipëria bëri hapin e parë kontraktual të shënueshëm me kontinentin ku bashkëjeton që nga fillimet, me Kodin e vet të trashëgimisë. MSA-ja u nënshkrua për palën shqiptare nga kryeministri Sali Berisha, për Presidencën e BE-së nga Presidentja në Detyrë e Këshillit të Ministrave të Jashtëm, ministrja e Jashtme e Austrisë, Ursula Plassnik, për Komisionin Evropian nga Komisioneri për Zgjerimin, Olli Rehn, dhe për Bashkimin Evropian nga ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare. Në ceremoninë e nënshkrimit përshëndetën kryeministri Berisha, Komisioneri Rehn dhe ministrja e Jashtme e Austrisë, Plassnik. Në fjalën e saj, zonja Plassnik u shpreh se nënshkrimi i kësaj Marrëveshjeje është një gur themeli në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Së bashku me mekanizma të tjerë të procesit të Stabilizim- Asociimit, kjo marrëveshje shënon një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet e mëtejshme të Shqipërisë me BE-në. Ndërsa Komisioneri për Zgjerimin, Olli Rehn, theksoi se ky moment simbolizon fundin e një procesi të vështirë dhe shënon një moment tepër të rëndësishëm për Shqipërinë në rrugën drejt BE-së.
Kryeministri Berisha e ka vlerësuar integrimin në BE si projektin më madhor të shekullit XXI, nisur nga orientimi i dukshëm properëndimor, vlerat e mëdha që shqiptarët ndajnë me kombet e tjera europiane. Berisha e konsideroi 12 qershorin e djeshëm si ditën e bekuar që bashkoi kombin shqiptar me identitetin europian. Kryeministri shqiptar ka falenderuar përzemërsisht strukturat dhe qeveritë europiane për mbështetjen në arritjen e kësaj marrëveshjeje.
Në përbërje të delegacionit zyrtar shqiptar, të kryesuar nga kryeministri Sali Berisha, ishin ministri i Punëve të Jashtme, Besnik Mustafaj, ministrja e Integrimit Evropian, Arenca Trashani, ministri i Brendshëm, Sokol Olldashi, ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Bamir Topi, kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Pandeli Majko, kryetari i Komisionit parlamentar për Integrimin Evropian, Ilir Meta, si dhe ministrat e mëparshëm të Integrimit Evropian, Ermelinda Meksi dhe Sokol Nako.
Berisha: "Çdo reformë për integrimin"
"Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit nga Ju është vlerësimi i madh që Ju i bëni shndërrimit paqësor të vendit tim gjatë këtyre 14 vjetëve nga vendi i komunizmit më totalitar, ateizmit të imponuar, hiperkolektivizmit të plotë dhe shkatërrimit të iniciativës së lirë, në vendin e pluralizmit politik të konsoliduar, lirisë së besimit fetar dhe tolerancës së shkëlqyer fetare, me një sektor privat në rritje e zhvillim, i cili kontribuon për mëse 80% të prodhimit të brendshëm, ku të ardhurat për frymë janë rritur 11 herë"
Kryeministri Sali Berisha tha dje gjatë ceremonisë së nënshkrimit të MSA-së mes Shqipërisë dhe BE-së në Luksemburg se "12 qershori është një ditë e bekuar në historinë e kombit shqiptar, ditë e lidhur me përpjekjet e tij të mëdha për liri dhe identitet evropian".
"Ju firmosni MSA me një komb, i cili është i regjistruar në analet e historisë dhe qytetërimit europian si njëri ndër banorët më të lashtë të tij, që në shekuj dhe mijëvjeçarë, djep dhe strehë ka patur Europën dhe që përveç saj, nuk mund të ketë të ardhme tjetër. Ja se pse ai është kaq i etur të bashkohet me ju. Një ndër etërit e Rilindjes sonë Kombëtare shkruante se për shqiptarët, dielli lind nga Perëndimi. Ata janë krenarë dhe mirënjohës për diellin që shohin këtë mëngjes", u shpreh zoti Berisha.
"Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit shënon për shqiptarët një hap madhor drejt realizimit të ëndrrës së tyre për rikthimin dhe ribashkimin me familjen e tyre europiane", u shpreh zoti Berisha në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë së organizuar.
Kryeministri u shpreh se "në këtë ditë të shënuar, dëshiroj të falenderoj përzemërsisht presidencën austriake dhe personalisht Ju, zonja Plasnik, të falenderoj Ju, zotërinj ministra të vendeve anëtare të BE-së, zotin Solana dhe zotin Rehn, qeveritë tuaja dhe Komisionin Europian, për përkrahjen dhe kontributin e tyre, që bënë të mundur asociimin me Bashkimin Europian".
"Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit nga Ju është vlerësimi i madh që Ju i bëni shndërrimit paqësor të vendit tim gjatë këtyre 14 vjetëve nga vendi i komunizmit më totalitar, ateizmit të imponuar, hiperkolektivizmit të plotë dhe shkatërrimit të iniciativës së lirë, në vendin e pluralizmit politik të konsoliduar, lirisë së besimit fetar dhe tolerancës së shkëlqyer fetare, me një sektor privat në rritje e zhvillim, i cili kontribuon për mëse 80% të prodhimit të brendshëm, ku të ardhurat për frymë janë rritur 11 herë", theksoi zoti Berisha.
Kryeministri shqiptar tha se "shqiptarët i arritën këto në sajë të bujarisë dhe solidaritetit të jashtëzakonshëm dhe të gjithanshëm të qeverive, kombeve dhe taksapaguesve të vendeve tuaja. Ne u jemi shumë mirënjohës". Duke u ndalur në përmbushjen e standarteve, detyrimeve dhe angazhimeve që burojnë pas nënshkrimit të MSA-së, zoti Berisha tha se "Shqipëria do të bëjë çdo përpjekje, do të ndërmarrë çdo reformë, në mënyrë që MSA që firmosëm sot me Ju, tërësia e normave, standardeve dhe kritereve të saj, të partneritetit europian, si dhe kriteret e Kopenhagenit, të shndërrohen në themele solide të demokracisë sonë të bazuar në tregun e lirë, garantimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve dhe minoriteteve, shtetin ligjor, ndarjen e pushteteve dhe funksionimin e institucioneve të pavarura, pavarësinë e mediave, luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit".
"Unë jam i vetëdijshëm se ne e nënshkruajmë këtë Marrëveshje në një kohë kur në memorien tuaj dhe qytetarëve të vendeve tuaja janë ende të pazbehura lajme, skena dhe ngjarje të pakëndshme nga Shqipëria, dhe në një kohë kur sindroma e lodhjes nga zgjerimi i BE-së është realitet. Por unë jam sot këtu për t'ju garantuar Ju, qeveritë dhe kombet tuaja, se krimi i organizuar shqiptar dhe sistemi i korrupsionit po çmontohen me shpejtësi, dhe se Shqipëria do të jetë ndër vendet më të sigurta në rajon", u shpreh zoti Berisha.
Kryeministri theksoi se "po kështu rajoni gjeopolitik, Ballkani, me angazhimin e SHBA-ve dhe vendeve të BE-së, është shndërruar nga rajon lufte, konfliktesh të egra që ishte pak vite më parë, në rajon bashkëpunimi miqësor dhe integrimi rajonal dhe europian".
Kontrata më serioze e Shqipërisë me BE
Pas ceremonisë së nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, kryeministri Sali Berisha përshëndeti këtë ngjarje të rëndësishme për të gjithë shqiptarët, duke e konsideruar MSA si kontratën më serioze të Shqipërisë me BE-në.
Duke përshëndetur nga Luksemburgu të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, kreu i qeverisë tha se firmosja e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit shënon hapjen e një horizonti të ri drejt të ardhmes së tyre, shënon fundin e një periudhe 15-vjeçare tranzicioni të zgjatur, të lodhshëm, por së fundi, të suksesshëm.
"Sot është një nderim i madh për të gjithë; qytetarët, forcat politike, drejtuesit e tyre, administratën, që me votën, përkushtimin, dijet dhe përgjegjësitë e tyre, bënë të mundur që Shqipëria, nga vendi i monizmit më totalitar, të shndërrohet në vendin e pluralizmit politik, pluralizmit ekonomik, pluralizmit fetar të konsoliduar dhe të arrijë një sërë standartesh, normash institucionesh, ligjesh, të cilat e bënë të mundur nënshkrimin e marrëveshjes sonë", tha Berisha. Kryeministri e konsideroi firmosjen e MSA një nderim për të gjithë ata, të cilët 15 vjet më parë mbushën rrugët e Tiranës nën moton "ta bëjmë Shqipërinë si Europa" dhe shembën perden e hekurt. Sipas tij, kjo ditë është një nderim për ata, të cilët me shpejtësi shembën murin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, dhe që bënë të mundur firmosjen e MSA-së brenda një kohe relativisht të shkurtër.
Gjithashtu, firmosja e MSA-së është një detyrim madhor për të gjithë shqiptarët. "Kjo është një kontratë që ne nënshkruajmë me Bashkimin Europian. Është kontrata më serioze që kemi nënshkruar në historinë tonë me kombet e qytetëruara të këtij kontinenti. Detyrimi ynë është t'i përmbahemi pikë për pikë kësaj kontrate dhe ta shndërrojmë atë në një hartë të vërtetë rruge, në një projekt për të ardhmen tonë", tha Berisha. Kryeministri siguroi qytetarët shqiptarë se qeveria mbetet e hapur për bashkëpunim me të gjitha forcat politike, me të gjitha grupet e interesit dhe me mbarë qytetarët që, nëpërmjet reformave të thella e të gjithanshme, të zbatojë me dinjitet Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Kreu i ekzekutivit tha se kjo marrëveshje i bën shqiptarët më të lirë, më të ditur, më të denjë, më të begatë.
Halil RAMA
Ministrja e Jashtme e Austrisë shprehet se me nënshkrimin e MSA fillon sfida e madhe për Shqipërinë
Plassnik: E ardhmja e Shqipërisë në BE
Presidentja e radhës e Këshillit të Ministrave të BE-së, ministrja e Jashtme e Austrisë, Ursula Plassnik, u shpreh dje se "të gjitha forcat politike në Shqipëri duhet të unifikojnë përpjekjet e tyre për përmbushjen e standarteve të vendosura nga Bashkimi Europian".
Në fjalën e mbajtur pak minuta përpara nënshkrimit të MSA-së, zonja Plassnik tha se "Shqipëria po nënshkruan këtë lloj marrëveshjeje dhe do të dëshiroja të vlerësoja punën e madhe që është bërë nga Shqipëria, për të përmbushur detyrimet që prej fillimit të negociatave në vitin 2003". Shefja e diplomacisë austriake u shpreh se me nënshkrimin e MSA-së fillon sfida e madhe për Shqipërinë dhe rruga që do të ndjekë ajo. "Marrëveshja konsiston në mbi 500 faqe, që janë rregulla dhe detyrime që Shqipëria duhet t'i përmbushë. Duhen përmbushur reformat dhe duhet të realizohen prioritetet e vendosura nga BE, për transformimin e shtetit shqiptar në një shtet modern", tha presidentja e radhës e Këshillit të Ministrave të BE-së. Sipas zonjës Plassnik, "të gjitha palët në Shqipëri kanë bërë përpjekjet e tyre për të finalizuar dhe mbërritur në këtë moment". "Në takimin e ministrave të Jashtëm, që u zhvillua në mars të këtij viti, ne konfirmuam se e ardhmja e Shqipërisë dhe e vendeve të tjera të Ballkanit do të jetë brenda BE-së. Të gjitha përpjekjet e vendeve aspirante për në BE do të varen nga përmbushja e standarteve dhe Shqipëria duhet t'i përmbushë ato", theksoi zonja Plassnik
Olli Renh: MSA, gur themeli në rrugën e integrimit
Komisioneri për Zgjerimin, Olli Rehn, e konsideron nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit si gur themeli për Shqipërinë në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e nënshkrimit të MSA-së, zoti Rehn u shpreh se ky moment finalizon fundin e një procesi të vështirë dhe kjo marrëveshje do të përshpejtojë avantazhet dhe përfitimet dypalëshe. "Përshëndes Shqipërinë në këtë moment ku ka mbërritur sot me nënshkrimin e MSA", tha zoti Rehn. Duke u ndalur në standartet që duhen plotësuar nga Shqipëria, ai tha se lufta ndaj korrupsionit dhe trafiqeve mbeten dy nga prioritetet kryesore që duhet të kenë institucionet shqiptare. "Kjo marrëveshje siguron një kornizë të qartë për Shqipërinë, për përmbushjen e standarteve dhe legalizon rrugën që pas këtij momenti dhe tutje, Shqipëria duhet të ndjekë. Përmbushja e standarteve dhe kërkesave, janë faza që janë të paevitueshme dhe reformat duhet të përshpejtohen", u shpreh zoti Rehn.
Mustafaj: Shqipëria, e përgatitur për standartet
Ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, vlerësoi dje nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së. Sipas tij, përfaqësuesit e mazhorancës dhe ata të opozitës reflektuan gjatë gjithë kohës entuziazmin që u takonte. Në një prononcim për mediat, pas ceremonisë së nënshkrimit të MSA-së në Luksemburg, shefi i diplomacisë shqiptare tha se Shqipëria është e përgatitur që ratifikimi i MSA të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur, pasi ka shumë kohë që po negociohet.
"Kemi një platformë reformash komplekse që ne duhet t'i përmbushin, por ne jemi të përgatitur për t'i realizuar ato. Jam i bindur se institucionet shqiptare kanë një eksperiencë për të përmbushur angazhimet, sikundër ka një vullnet dhe nuk mund të gjej arsye për të menduar se gjërat nuk do të ecin ashtu siç duhet", tha zoti Mustafaj.
Olldashi: Vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme
Qeveria shqiptare është e vendosur të përmbushë detyrimin kryesor të Bashkimit Europian, realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ministri i Brendshëm, Sokol Olldashi, u shpreh dje që nga Luksemburgu se zgjedhjet e ardhshme lokale do të përmbushin standartet e Bashkimit Europian. Ministri Olldashi ishte i pranishëm dje në ceremoninë e nënshkrimit të MSA-së mes Shqipërisë dhe BE-së në Luksemburg.
Pas përfundimit të ceremonisë, zoti Olldashi tha se ministria që drejton, ndonëse ka kontribuar me disa rezultate pozitive në luftën kundër krimit, duhet të jetë e përgjegjshme se ky është vetëm fillimi në kuadrin e plotësimit të angazhimeve të qeverisë shqiptare kundër kriminalitetit, korrupsionit dhe trafiqeve.
Bumçi: Do të realizojmë kushtet e BE për drejtësinë
Ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, shprehu dje vendosmërinë e qeverisë shqiptare dhe të dikasterit që drejton për plotësimin e kushteve nga Bashkimi Europian për reformat në fushën e drejtësisë dhe çështjeve të brendshme. Duke vlerësuar firmosjen sot në Luksemburg të MSA-së nga qeveria shqiptare, ministri Bumçi theksoi se BE i ka vënë Shqipërisë kushte për plotësimin e standarteve të saj në fushën e drejtësisë.
"Ne shpresojmë që me kalimin e kohës dhe realizimin e tyre, vëmendja të mos jetë vetëm tek çështjet e brendshme dhe ato të drejtësisë, por ajo të fokusohet tek ato ekonomike, pasi janë më të rëndësishme në zhvillimin e vendit", u shpreh Bumçi që nga Luksemburgu, ku ishte i pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të MSA midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Meksi dhe Nako, vlerësime për nënshkrimin e MSA
Ish-ministrat e Integrimit Europian, Ermelinda Meksi dhe Sokol Nako, vlerësuan dje nënshkrimin e MSA-së nga Shqipëria, si një ditë të shënuar për të gjithë shqiptarët. Pas ceremonisë së firmosjes së kësaj marrëveshjeje, dy ish-ministrat që ishin të pranishëm si pjesë e delegacionit shqiptar theksuan se pas kësaj, fillon procesi i ratifikimit të MSA-së.
"Pas nënshkrimit është një rrugë shumë e gjatë përpara, që lidhet me ratifikimin e marrëveshjes nga të gjitha vendet anëtare. Kjo do të bëjë të mundur monitorimin e procesit të realizimit të reformave, të cilat, realisht, do të shtyjnë përpara progresin e vendit tonë sipas standarteve europiane, që realizohet me mbështetjen dhe punën e të gjithëve", tha ish-ministrja Meksi, deputete e PS-së.
Ndërsa për ish-ministrin Nako, kjo ditë shënon "hyrjen në një fazë të re, më të rëndësishme dhe me më shumë përgjegjësi, për ta përgatitur vendin për anëtarësim në BE". Gjithsesi, sipas tij, ky është një moment që duhet të na shërbejë si moment reflektimi, në mënyrë që gjithçka që e tejzgjati këtë moment, të mos përsëritet më.
Përgatiti: Halil RAMA
Ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes me BE ndiqet drejtpërdrejt në legjislativin shqiptar
Ngrihet flamuri i BE në Kuvendin shqiptar
Kuvendi i Shqipërisë përcolli dje me duartrokitje momentin kur kryeministri Sali Berisha hodhi firmën e tij mbi dokumentin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian. Duke e ndjekur nëpërmjet një lidhje televizive ceremoninë e nënshkrimit, e cila u zhvillua në Luksemburg, në prani të 25 ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, përfaqësuesit e të gjithë spektrit politik shqiptar u angazhuan në plotësimin sa më të shpejtë të standarteve për anëtarësimin në BE. Me këtë rast nën kujdesin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, legjislativi shqiptar organizoi një ceremoni festive ku përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës përshëndetën nënshkrimin e MSA-së, duke e cilësuar atë si një ngjarje historike për shqiptarët. Kryeparlamentarja Topalli e cilësoi këtë moment si një gur themeli në historinë e demokracisë shqiptare. Duke iu rikthyer në retrospektivë ditëve kur shqiptarët shembën murin e dikaturës komuniste, Topalli tha se, ajo ishte trokitja e shpresës që vazhdoi për 15 vite derisa u arrit, siç tha ajo, në kapërcimin e pragut. "Më lejoni në emër të Kuvendit të Shqipërisë te përshëndes nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian, të përshëndes këtë ngjarje kyçe, këtë gur-themeli në historinë e demokracisë shqiptare. Aspirata është e të gjithë popullit që na ka zgjedhur për të realizuar ëndrrën e tij. 15 vjet më parë, shembëm murin e diktaturës për të trokitur në derën e familjes së madhe europane, duke ndjerë thellësisht se jemi pjesë e saj. Trokitja e shpresës që kurrë nuk mungoi, ka qenë e vazhdueshme e sot është hapi i parë drejt kapërcimit të pragut. Shqiptarët, pa dyshim mbetën pasionantë pro-europianë", nënvizoi më tej numri një i legjislativit shqiptar gjatë ceremonisë së zhvilluar para selisë së Kuvendit të Shqipërisë. Topalli theksoi se, me kalimin e viteve klasa politike shqiptare kuptoi se sllogani: "E duam Shqipërinë si gjithë Europa", nuk ishte thjesht një dëshirë që do të realizohej, duke pritur duarkryq, por që kërkonte më shumë angazhim dhe më shumë vullnet politik, seriozitet e përkushtim. "Një kapitull i ri hapet sot përpara nesh, plot sfida e risi, por që jemi seriozisht të angazhuar t'i përmbushim me sukses. Të gjithëve ne, na pret një fushatë gjithpërfshirëse për ratifikimin e marrëveshjes nga vendet anëtare. Secili nga ne mund dhe jam e bindur se do të bëjë maksimumin. Vendet e Bashkimit Europian na presin si miq, si popull me rrënjë dhe identitet europian, nuk ka dyshim për këtë, por rruga deri në anëtarësim nuk është e lehtë. Ishte dhe mbetet mision i vështirë, por aspak i pamundur. Dita e sotme e vërteton këtë", tha më tej Topalli në fjalën e saj. Ajo shtoi se pas nënshkrimit të Marrëveshjes, Kuvendi i Shqipërisë do të këtë një punë intensive për përafrimin e legjislacionit, ndërkohë që saktësoi se për këtë nevojitet mbi të gjitha vullnet politik. Me këtë rast i bëj thirrje të gjitha forcave politike për angazhim, seriozitet dhe sens pozitiv. Fakt domethënës që vlen për t'u theksuar është se për çështjet e integrimit në BE, të gjitha forcat politike në Shqipëri flasin në një zë, ashtu si i gjithë populli.
Petit: "Nënshkrimi me BE nxit reformat"
Përfaqësuesi i Komisionit Europian në Tiranë, Hubert Petit, deklaroi në ceremoninë e organizuar në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë, se nënshkirmi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mundëson progresin e Shqipërisë në nxitjen e mëtejshme të reformave. Petit e cilësoi nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit si një moment mjaft të rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, ndërkohë që shtoi se ky përbën gjithashtu një moment domethënës edhe për vetë BE-në, nëpërmjet të cilit do të thellohen marrëdhëniet kontraktuale me Shqipërinë. "Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Shqipërinë është një moment shumë i rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Por ky moment është gjithashtu një hap i rëndësishëm, nëpërmjet të cilit ne jemi duke thelluar marrëdhëniet tona kontraktuale me Shqipërinë. Përfaqësuesi i KE-së në Tiranë vlerësoi bashkëpunimin me të gjithë partnerët shqiptarë, dhe në veçanti me Kuvendin e Shqipërisë, me të cilin është punuar për të bërë të suksesshëm nënshkrimin e kësaj marrëveshje. Ai saktësoi se zbatimi i MSA-së do të jetë një detyrë sfiduese për Shqipërinë, ashtu siç është edhe për çdo vend që ka nënshkruar këtë marrëveshje, pasi MSA krijon detyrime domethënëse për sa i përket tregtisë, shtetit të së drejtës, të drejtave të njeriut, standarteve demokratike, bashkëpunimit rajonal dhe legjislacionit të ri. "MSA përfaqëson një mundësi të rëndësishme ekonomike dhe politike, sepse rritja e liberalizimit të tregtisë do të sjellë përfitime të rëndësishme ekonomike për Shqipërinë, por edhe për BE-në. Përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë të BE-së do ta sjellë Shqipërinë më afër standarteve europiane, do të ndihmojë për forcimin e lidhjeve mes nesh, si dhe do të bëjë që Shqipëria dhe BE të përdorin në mënyrë të suksesshme këto dispozita", tha Petit. Në përfundim të fjalës së tij, ai nënvizoi se Komisioni Europian do të bëjë të pamundurën për të siguruar që përfitimet e plota të kësaj marrëveshje që u nënshkrua sot, të arrihen.
Ylber Drazhi
Marrëdhëniet diplomatike të Shqipërisë me Bashkimin Europian janë vendosur në vitin 1991
Etapat kryesore në procesin e integrimit
Marrëdhëniet diplomatike të Shqipërisë me Bashkimin Europian (BE) janë vendosur në vitin 1991. Më 11 maj 1992, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtar përfshirë deklaratën e përbashkët për dialogun politik, e cila hyri në fuqi më 1 dhjetor 1992. Në maj të vitit 1999, Bashkimi Europian miratoi një politikë të re në lidhje me marrëdhëniet e tij me rajonin, të quajtur Procesi i Stabilizim-Asocimit (PSA) për 5 vende të Ballkanit përfshirë dhe Shqipërinë. Ky proces kishte për qëllim vendosjen e marrëdhënieve më të ngushta ndërmjet BE-së dhe vendeve të lartpërmendura, nëpërmjet Marrëveshjeve të Stabilizim-Asocimit (MSA). Marrëdhëniet intensive Shqipëri-BE në kuadër të Procesit të Stabilizim- Asociimit u finalizuan me hapjen zyrtare te negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë. Raundi i parë i negociatave u zhvillua më 13 shkurt 2003. Në negociatat BE-Shqipëri për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit janë zhvilluar tetëmbëdhjetë raunde negociatash, nga të cilët shtatë raunde politike dhe njëmbëdhjetë raunde teknike negociatash. Raundi i fundit zyrtar më 8 shkurt 2006 shënoi mbylljen e negociatave, duke konkluduar dhe me përafimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Më 12 Qershor 2006 u nënshkrua në Luksemburg Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, duke hapur kështu rrugën e fillimit të zbatimit të Marrëveshjes së Ndërmjetme, ndërkohë që vazhdojnë procedurat e ratifikimit të marrëveshjes së plotë nga 25 vendet anëtare të Bashkimit Europian procedure që zgjat deri në 3 vjet.
Qëllimi
Qëllimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit është vendosja e stabilitetit politik dhe ekonomik të shtetit kandidat. Pikërisht për këtë arsye kjo marrëveshje përmban detyrime asimetrike në favor të tij. Kuadri i përgjithshëm i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit përbëhet nga katër shtylla: dialogu politik dhe bashkëpunimi rajonal, dispozitat tregtare lidhur me liberalizimin progresiv të këmbimeve deri në vendosjen e një zone tregtie të lirë midis palëve, liritë komunitare, dhe së fundi, bashkëpunimi në fushat prioritare sidomos në fushën e drejtësisë dhe çështjeve të brendshme. Për t'u bërë palë e marrëveshjes, Shqipëria duhet të plotësojë kriteret e vendosura nga Këshilli Europian i Kopenhagenit në qershor të vitit 1993. Këto kritere janë të karakterit politik dhe ekonomik. Ato kërkojnë nga njëra anë që shteti kandidat për integrim të garantojë demokracinë, shtetin e së drejtës, respektimin e të Drejtave të Njeriut dhe të Minoriteteve dhe nga ana tjetër, të vendosë një ekonomi tregu që mund t'i bëjë ballë presionit të konkurrences të tregut të përbashkët europian. Së fundi, shteti kandidat duhet të jetë i aftë ti përgjigjet detyrimeve që rrjedhin nga "acquis communautaire", legjislacioni i Bashkimit Europian.
Kërkesa e anëtarësimit
Shqipëria si vend evropian ka të drejtën të aplikojë për anëtarësim në BE. Çdo vend europian ka të drejtën të aplikojë për anëtarësim. Bashkimi Europian është i hapur për çdo shtet që respekton vlerat europiane, si: respekti për të Drejtat e Njeriut, demokracia dhe shteti ligjor, mbrojtja e minoriteteve, ekonomia e tregut të lirë, etj. Shteti që aplikon për anëtarësim, i kërkohet t'i japë informacion Komisionit Europian rreth çështjeve të veçanta të përfshira në një pyetësor voluminoz. Në bazë të përgjigjeve të pyetësorit, Komisioni i paraqet Këshillit të Ministrave të BE një opinion. Në bazë të opinionit, Bashkimi Europian mund të vendosë t'i japë shtetit kërkues, statusin e kandidatit për anëtarësim.
Hapja e negociatave të aderimit
Pasi Bashkimi Europian vendos që një kandidat i përmbush Kriteret e Kopenhagenit, negociatat e aderimit mund të fillojnë në bazë të kuadrit negociues, të miratuar unanimisht nga Këshilli. Për të lehtësuar negociatat, "acquis communautaire" është i ndarë në 31 kapituj ose në 36 (në të ardhmen). Kandidati për anëtarësim i dorëzon Komisionit një pozicion për çdo kapitull të "acquis". Ai mund të kërkojë gjithashtu të merren masa të përkohshme. Në bazë të pozicioneve negociuese, Komisioni i paraqet Këshillit draftin e Pozicioneve të Përbashkët të BE-së. Pasi Këshilli bie dakord me Pozicionin e Përbashkët të BE-së për një kapitull të caktuar, shtetet anëtare e diskutojnë këtë pozicion me shtetin kandidat në një Konferencë Ndërqeveritare. Negociatat për një kapitull mund të mbyllen provizorisht kur shtetet anëtare dhe shteti kandidat bien dakord që përgatitja e këtij të fundit në një fushë të caktuar ka avancuar mjaftueshëm dhe marrëveshje mbi çështje të caktuara si dispozita të përkohshme janë arritur mes palëve.
Mbyllja e negociatave të aderimit
Kur të jenë mbyllur të gjithë kapitujt e "acquis", negociatat mund të mbyllen. Kjo ndodh në një Konferencë Ndërqeveritare, e cila zakonisht zhvillohet përkrah Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme dhe Marrëdhënieve me Jashtë të Bashkimit Europian.
Traktati i Aderimit
Pas mbylljes së negociatave të aderimit, fillon hartimi i tekstit të Traktatit të Aderimit. Në traktat dhe në anekset e tij përfshihen të gjitha marrëveshjet dhe kushtet që lidhen me procesin.
Nënshkrimi i Traktatit të Aderimit dhe ratifikimi i tij
Traktati i Aderimit nënshkruhet nga të gjitha shtetet anëtare. Para nënshkrimit, Këshilli duhet të marrë një vendim për aderimin e këtij vendi, pas konsultimit të Komisionit dhe miratimin e Parlamentit Europian. Traktati duhet të ratifikohet nga të gjitha shtetet anëtare, si dhe nga ai kandidat në bazë të procedurave të tyre kombëtare.
Aderimi
Aderimi bëhet pas ratifikimit të Traktatit të Aderimit nga të gjitha shtetet anëtare dhe shteti kandidat.
Majko: "Fitore e të gjithë shqiptarëve"
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Pandeli Majko, e konsideroi dje nënshkrimin nga Shqipëria të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE, si "një fitore që iu takon të gjithë shqiptarëve". Në cilësinë e përfaqësuesit të opozitës, zoti Majko ishte i pranishëm në Luksemburg, si pjesë e delegacionit shqiptar në ceremoninë e nënshkrimit të MSA-së. Pas kësaj ceremonie, nga Luksemburgu, zoti Majko tha për mediat se "kjo ditë nuk ka nevojë për komente, pasi ajo është një ditë e shënuar për të gjithë shqiptarët". "Unë jam këtu për të përfaqësuar opozitën, si dhe për gjithë ato që na bashkojnë. Akti i sotëm është një shenjë e maturisë së klasës politike shqiptare", vlerësoi Majko.
Agjencitë dhe rrjetet televizive më prestigjioze ndërkombëtare të lajmeve i bëjnë jehonë nënshkrimit të marrëveshjet me BE
Shqipëria, më pranë Europës
Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit i Shqipërisë me Bashkimin Europian është komentuar gjerësisht nga agjencitë dhe rrjetet televizive më prestigjioze ndërkombëtare të lajmeve. Duke e vlerësuar këtë si një zhvillim pozitiv në përmbushjen e kërkesave politike dhe ekonomike nga pala shqiptare, media ndërkombëtare vlerëson me nota optimiste arritjet e fundit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Rrjeti televiziv i lajmeve "Voice of America", në faqen zyrtare të internetit vlerëson se nënshkrimi i MSA-së cakton për Shqipërinë kornizën e hollësishme të kërkesave politike dhe ekonomike që duhet të përmbushë për t`u anëtarësuar në BE. Ndërsa Radio "Europa e Lirë" e komenton nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë me BE-në si një ngjarje historike për të gjithë shqiptarët, duke radhitur gjithashtu edhe detyrimet që rrjedhin nga kjo marrëveshje. Agjencia franceze e lajmeve AFP e konsideron nënshkrimin e Marrëveshjes mes Shqipërisë dhe BE-së si një dokument të rëndësishëm që e sjell popullin shqiptar më afër vlerave dhe standarteve europiane, nëpërmjet mbështetjes financiare dhe politike që BE do t`i ofrojë Shqipërisë në kuadër të kësaj marrëveshjeje.
"Zëri i Amerikës"
"Marrëveshja e nënshkruar dje në Luksemburg cakton një kornizë të hollësishme të kërkesave politike dhe ekonomike që Shqipëria duhet të përmbushë për t'u anëtarësuar më në fund në bllokun tregtar evropian me 25 vende anëtare. Me anë të një deklarate, Bashkimi Evropian i bëri thirrje Shqipërisë ta shfrytëzojë të ashtuquajturën Marrëveshje të Stabilizim-Asociimit për t'u dhënë shtytje reformave. Në deklaratë vihet theksi në ato që cilësohen si përmirësime të nevojshme që duhen bërë në Shqipëri, si kthimi i pronave, të drejtat e pakicave, liritë e shtypit dhe të qeverisjes. Në të përmenden gjithashtu masat inkurajuese të qeverisë së Tiranës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar".
"Europa e Lirë"
"Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka nënshkruar sot në Luksemburg Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit me Bashkimin Evropian, ndërsa nga ana e BE-së, të njëjtën marrëveshje e ka nënshkruar kryesuesja e radhës e Këshillit të Ministrave të BE-së, ministrja e Jashtme e Austrisë, Ursula Plasnik, Komisioneri i Zgjerimit, Olli Rehn, si dhe të gjithë ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së. Sali Berisha e ka quajtur këtë si ngjarje historike dhe që shënon ribashkimin e Shqipërisë me familjen evropiane. Zyrtarët e BE-së thonë se me këtë marrëveshje, Shqipëria po bën një hap të rëndësishëm në rrugën drejt BE-së dhe ajo marrëveshje do të sjellë dobi për Shqipërinë si shtet, por edhe për qytetarët e saj. Shqipëria kështu bëhet shteti i tretë me radhë i rajonit të Ballkanit Perëndimor, i cili arrin një marrëveshje të tillë me Bashkimin Evropian. Deri tani, marrëveshje të tilla më parë kanë nënshkruar vetëm Kroacia dhe Maqedonia. Por sot, Shqipëria është kujtuar se përveç të drejtave dhe beneficeve, marrëveshja sjell dhe detyrime, dhe ato duhet të përmbushen. Nga Shqipëria kërkohet të bëhet më shumë punë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të mbrohen më shumë liritë e mediave dhe të rregullohen çështjet e privatizimit, pronësisë dhe kompensimit. Deri në hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje duhet të kalojë dhe procesi i ratifikimit nga ana e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe nga Shqipëria. BE-ja ka thënë se me kujdes do të ndjekë edhe zbatimin e të gjitha pjesëve të kësaj marrëveshjeje nga ana e Shqipërisë".
Shqipëria firmos marrëveshjen e para anëtarësimit me BE-në
Luksemburg. (AFP) - Shqipëria firmosi sot Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian, që përbën hapin e parë në anëtarësimin në BE, njofton Agjencia Franceze e Lajmeve, AFP. Në mars, Komisioni Europian u rekomandoi 25 vendeve anëtare të BE-së të firmosin marrëveshjen. Dokumenti parashikon implementimin gradual të ligjit për tregti të lirë me BE-në dhe që e sjell popullsinë shqiptare prej 3.2 milion shtetas më afër vlerave dhe standarteve europiane, nëpërmjet mbështetjes politike dhe financiare, saktëson më tej AFP, e cituar nga focus Neës Agency.
BE dhe Shqipëria nënshkruajnë paktin e stabilitetit
BRUKSEL (AFX) - Bashkimi Europian firmosi sot Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Shqipërinë, e cila përbën fazën e parë në procesin e anëtarësimit të vendit në BE. "Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit hedh themelet e një kornize kontraktuale gjithëpërfshirëse mes BE-së dhe Shqipërisë", deklaroi Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Olli Rehn, në një deklaratë pas nënshkrimit të Marrëveshjes me Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha. Marrëveshja, e cila ka filluar që në vitin 2003, do të ratifikohet nga Tirana dhe më pas nga çdo vend anëtar i BE-së dhe nga Parlamenti Europian, para hyrjes së saj në fuqi.
Shqipëria firmos Marrëveshjen e Asociimit me BE-në
Luksemburg, 12 qershor (UPI)- Shqipëria dhe Bashkimi Europian nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, duke e nxjerrë vendin ballkanas nga dekadat e izolimit komunist. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha se "data e sotme ka një rëndësi të madhe për historinë e Shqipërisë", duke shtuar se ëndrrat e Shqipërisë për t'u kthyer drejt Europës, pas shumë vitesh izolimi, u bënë realitet, citon Agjencia Serbe e Lajmeve "Beta". Pas Luftës së Dytë Botërore, në 1945, Shqipëria u gjend nën regjimin komunist deri në vitin 1989. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit u firmos nga kryeminisri Berisha dhe 25 ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së. Marrëveshja do të ratifikohet nga Parlamenti shqiptar dhe nga 25 vendet e BE-së.
E gjithë Shqipëria në sheshe, Koncert i madh në kryeqytet, "Shqipëria më pranë Europës"
Tirana, festë në sheshin Skëndërbej
Mijëra qytetarë të Tiranës festuan të Hënën në mbrëmje, me një koncert të madh në sheshin "Skënderbej, nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në, të realizuar dje në Luksemburg. Koncerti me moton "Shqipëria më pranë Europës" u organizua nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Integrimit Europian, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, Shkollën e mesme të Koreografisë, Qendrën Kulturore Kombëtare të Fëmijëve. I prezantuar nga Evis Mula, koncerti festiv, nisi me një performancë baleti të fëmijëve të shkollës koreografike, ndërsa gjatë koncertit kënduan për publikun në skenën e vendosur në sheshin qendror të Tiranës, këngëtarët Alban Skënderaj, Jonida Maliqi, Mariza Ikonomi, Orinda Huta, Julka, Florian Mumajesi, Vikena Kamenica, Sidrit Bejleri, grupi "Produkt 28", Evis Mula, dhe këngëtarë të Festivalit "Rinfest", etj. Tenori Sidrit Bejleri përcolli për publikun edhe këngën himn "Për ty Atdhe", kënduar mjeshtërisht vite më parë nga Artisti i Popullit, Mentor Xhemali. Pjesë e skenografisë së koncertit ishin edhe dy flamujt, ai i Europës dhe flamuri shqiptar. Interpretimi himnit të Europës së Bashkuar dhe himnit shqiptar nga Kori i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, studentëve të Akademisë së Arteve të Bukura dhe nxënësve të Liceut Artistik "Jordan Misja", në fund të koncertit, në shoqërinë e fishekzjarreve, ishin pikat kulminante të koncertit festiv, organizuar në ditën e shënuar të nënshkrimit të MSA-së me BE-në, që i krijon mundësinë Shqipërisë për t'iu afruar edhe më pranë familjes europiane. Përreth dy orë edhe pse në një mot të rrezikuar nga shiu, qytetarët e kryeqytetit shqiptar qëndruan në shoqërinë e muzikës dhe të fishekzjarreve që festonin ditën e shënuar.
<< Home