e shtunë, qershor 10

Memia: Legalizimi, hapat që iu bëjnë pronarë të shtëpive


Kur nis plotësimi i formularit, fotografimi ajror i ndërtimeve dhe kur formularët e vjetër janë të vlefshëm

Nevila Perndoj

TIRANË- Është emëruar prej 10 ditësh në krye të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) dhe në tavolinën e tij të punës, mund të dallosh një mal me dosje dhe vendime, që janë ndërmarrë në funksion të procesit të legalizimit. Shaban Memia ka zbuluar dje në një intervistë për “Shekulli”-n, një pjesë të mirë të vendimeve që janë marrë në funksion të lehtësimit të procedurave që do të ndjekin banorët e zonave informale, për të legalizuar banesat e tyre. Kështu, ndryshe nga vitet e tjera, sipas Memisë, banorët do të paraqiten vetëm një herë pranë zyrave të qeverisjes vendore, me formularin dhe dokumentacionin ligjor. Më pas, do të jenë institucionet e tjera që do të marrin përsipër gjithë procesin e legalizimit, ndërsa në fund banorët do të kenë në duar vetëm certifikatën e pronësisë. Do të ketë vetëm një formular për të plotësuar, ndërkohë që, sipas Memisë, deri më tani, me ligjin e vjetër janë realizuar vetëm 17 mijë deklarime. Memia është shprehur, se është një punë e gjatë për t’u bërë, por, që sipas tij, do të rezultojë me sukses, për shkak së ligji aktual jep zgjidhjen më të mirë të mundshme për këtë proces. Banorët e zonave informale do të fillojnë plotësimin e formularit, vetëm në mesin e muajit korrik, atëherë kur hyn në fuqi edhe ligji, ndërkohë që periudha dymujore, sipas Memisë, është mëse e mjaftueshme për të plotësuar formularin. Procesi i legalizimit do të zhvillohet paralelisht me atë të kthimit dhe kompensimit të pronave ish-pronarëve. Z. Memia, jeni emëruar në krye të një agjencie të rëndësishme për procesin e legalizimit. Cilat janë hapat që ka ndjekur deri me tani kjo agjenci, në funksion të këtij procesi? Periudha prej 10 ditësh, përfshin veprimtari intensive, ku në përputhje me afatet ligjore, ne po bëhemi gati për të startuar realizimin e procesit të legalizimit, kompensimit dhe urbanizimit të zonave informale. Ky është një fenomen masiv dhe, ligji aktual përfshin të gjitha kategorikë e ndërtimeve gjatë këtyre 15 viteve. Konkretisht, ndërtimet në zonat informale, ndërtuesi i paligjshëm në truall të tjetërkujt, ndërtim informal ose i paligjshëm në truall të ndërtuar pa leje, shtesat e të gjitha kategorive brenda qytetit, ndërtimet mbi pallatet të cilat janë më leje, por ndërtuesi ka shtuar tre ose katër kate etj. Kështu që ky proces, duke e përmbledhur, së bashku me kompensimin përbën nismën më të gjerë, më të plotë, shumëdimensionale, më serioze, të reformimit të institucionit të pronësisë. Duke iu referuar afateve ligjore, gjatë një periudhe 2 mujore pasi ligji hyn në fuqi, është ngritja e administratës në nivel nacional dhe lokal, ku ne tashmë i kemi bërë gati aktet nënligjore, të cilat janë në proces e sipër për t’u miratuar nga qeveria, së bashku me projektbuxhetin në tërësi, që kërkohet për të ngritur këtë infrastrukturë të madhe e serioze. Ne do të ngremë një administratë shumë dinjitoze, më të mirën që mund të ketë në fushën përkatëse. Do të realizojmë një proces pune transparente, të kontrollueshme, me qëllim që të eliminojnë gjithë proceset negative që mund të deformojnë këtë proces. Deri në momentin kur po flasim, ne kemi përgatitur aktet nënligjore më të rëndësishme, mbi të cilat do të fillojë puna, qoftë nga struktura jonë, qoftë nga pushteti vendor. Kemi përgatitur gjithashtu aktet nënligjore që kanë të bëjnë me hartografinë, që ka të bëjë me mbledhjen e të dhënave mbi të cilat do të ndërtohet e tërë strategjia e ndërtimit të saj, të cilat janë të një karakteri teknik shkencor dhe juridik pa dyshim. Paralelisht kemi përgatitur edhe një dokument që përbën plan-veprimin dhe matricën e cila përcakton detyrimet ligjore për të gjitha institucionet në Shqipëri, që lidhen më këtë proces. Kemi përgatitur gjithashtu afatet ligjore për secilin etapë dhe secilin institucion, sepse një ndër funksionet e agjencisë të institucionit që unë drejtoj, është që të rakordoj veprimtarinë e gjithë institucioneve të shtetit. Aktualisht ne jemi edhe në përfundim të përgatitjes së elementeve të domosdoshëm të fushatës sensibilizuese, e cila do të jetë e përbërë me shumë elementë dhe do të fillojë në përputhje me afatet ligjore. Nga ana tjetër, për të realizuar një proces korrekt, të mbështetur mbi principe shkencore dhe për t’i dhënë zgjidhje gjithë informalitetit, por edhe për ta bllokuar njëherë e përgjithmonë këtë informalitet, ne po përgatisim dokumentacionet për të realizuar fotografimin ajror. Si është parashikuar të jetë struktura që do të merret me këtë proces?Do të jetë një zyrë nacionale dhe do të ketë zyra në të gjitha qarqet, madje edhe në zonat ku ka ngarkesë shumë të madhe të ndërtimeve informale, ne do të kemi zyra rajonale. E rëndësishme është për t’u evidentuar një fakt, që procedurat e veprimit kësaj here do të garantojnë një proces korrekt, dhe do të minimizojë në maksimum zvarritjet dhe fenomenet negative të korrupsionit dhe burokracisë. Konkretisht, Z. Memia, çfarë do të ndryshojë në krahasim me procedurat e aplikuara më parë?Pas 60 ditëve të hyrjes në fuqi, fillon procesi i vetë-deklarimit nga qytetarët. Dy muajt e parë është falas, pa pagesë. Kjo fazë përbën edhe sfidën themelore dhe unë jam i bindur, se do të jetë fazë e suksesshme. Sepse ligji aktualisht kënaq në mënyrë maksimale të mundshme, interesat e gjithë faktorëve që lidhen më këtë. Dhe ju garantoj, se procesi i legalizimit do të realizohet në mënyrë paralele me procesin e kompensimit të pronarit të ligjshëm, me çmimin e tregut. Tashmë, qytetari nuk do të sorollatet dyerve të administratës. Qytetari nuk do të sorollatet agjencive të licencuara poshtë e lart, që mund të krijojnë probleme për deviacione dhe fenomene korruptive për të spostuar hapësirën, që do ta komprometonte procesin dhe do ta shtynte pafundësisht. Qytetari shqiptar, sipas procedurave që kemi parashikuar, do të marrë vetëm një herë kontakt më administratën për këtë proces. Në përputhje me afatet dhe kriteret ligjore do të plotësojë formularin së bashku me dokumentacionet teknike të domosdoshme, të cilat thelbësore kanë përcaktimin e vendndodhjes dhe hapësirave që kanë zënë. Pikërisht këtë dokumentacion, ai e dorëzon pranë pushtetit të qeverisjes vendore. Me të dorëzuar këtë dokumentacion, qytetari në një lloj mënyrë e mbaron detyrimin e vetë juridik dhe ligjor. Nga ky moment, derisa të marrë certifikatën e pronësisë së regjistruar pranë zyrave të hipotekave, të gjithë procesin do ta realizojë zyra e urbanistikës (në fazën e parë) në pushtetin vendor dhe me pas administrata e agjencisë. Mbyllet dosja, firmoset leja e legalizimit dhe ia çon sërish administratës në zyrën e regjistrimit. Pra nuk do të shkojë qytetari. Qytetari do të marrë vetëm certifikatën e pronësisë. Deri më tani interesimi është jashtëzakonisht i madh, sepse siç e thashë edhe më sipër, ligji kënaq në mënyrën maksimale të mundshme interesat e të gjitha grupeve që lidhen më këtë proces. Më të mbaruar faza e vetë-deklarimit, ne do te kemi një informacion të plotë për gjeografinë e këtij problemi në gjithë Shqipërinë, dhe vetëm pasi ta kemi këtë në dorë, atëherë do të fillojnë procedurat e studimit të zonave dhe përcaktimit të strategjisë, se kush do të jenë prioritetet. Çfarë do të bëhet me ata, që tashmë i kanë dorëzuar formularët sipas procedurave të parashikuara në ligjin e vjetër? Sipas informacionit që unë kam, një numër prej 17 mijë deklarimesh janë bërë dhe të gjithë këto deklarime në rastet kur nuk kanë shtesa, janë të vlefshme. Në raste kur ka shtesa nga dita e deklarimit mbi ndërtimin ekzistues, atëherë do të bëjnë rideklarimin.Sa formularë do të plotësojnë banorët e zonave informale? A është e ndarë kjo për kategori të ndryshme?Po. Janë dy formularë për dy kategori. Zonat informale, pra, që është ndërtimi i paligjshëm dhe është mbi truallin e dikujt tjetër dhe formulari për ndërtimet informale, që mund të jetë mbi truallin e tij ose mund të jenë mbi një objekt me leje, por që ka shtesa katesh. Pastaj saktësimi i të gjithë veprimeve të tjera tekniko-shkencore dhe juridike, për të plotësuar dosjen që do të çojnë në finalizimin e procesit do të realizohet në administratë. Unë mendoj se kjo eliminon fenomenet e korrupsionit. Kur fillon plotësimi i formularit?Nga mesi i muajit korrik dhe do të zgjasë falas, deri nga mesi i muajit shtator. Pra, dy muaj janë falas, pastaj muajt e tjerë është plotësimi përkundrejt një penaliteti të caktuar. Vendimet më të rëndësishme që kanë ndërmarrë gjatë këtyre 10 ditëve ALUIZNI Vendim“Për përcaktimin e kritereve, procedurave dhe dokumentacionit të zbatueshëm për të kualifikuar objektin e ndërtimit që legalizohet”Vendim“Për përcaktimin e procedurave të mbledhjes dhe administrimit të të dhënave të ndërtimit pa leje dhe ngritjen e bazës të të dhënave”Urdhër“Për miratimin e strukturës dhe organikës të zyrës qendrore në nivel qarku të agjencisë se legalizimit, urbanizimit dhe integrimit të zonave të ndërtimeve informale”Vendim“Për miratimin e plan-veprimit për legalizimin e ndërtimeve pa leje dhe detyrimeve ligjore sipas institucioneve”Vendim “Për termat e specifikimit teknik të realizimit dhe fotografimit ajror, dhe sigurimit të hartografisë për legalizimin dhe zhvillimin urban”Udhëzim “Për dokumentacionin teknik dhe ligjor të ndërtimeve pa leje”Udhëzim “Për përcaktimin e gjithë anës procedurale të gjithë veprimeve, që do të kryejë administrata e pushtetit vendor e punonjësve të agjencisë, deri në përfundim të procesit”